
Partnerët e nënshkruar të Media Freedom Rapid Response (MFRR) dhe anëtarët e Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës shprehin mbështetje për kolegen e tyre Flutura Kusari, Këshilltare e Lartë Ligjore në Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), në prag të veprimeve të saj ligjore ndaj Mentor Llugaliut. Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë Themelore të Prishtinës që të zhvillojë një hetim të shpejtë, të paanshëm dhe të gjithanshëm mbi këtë rast.
Më 21 mars 2025, znj. Kusari paraqiti një kallëzim penal kundër Mentor Llugaliut, një aktivist online dhe mbështetës i partisë në pushtet në Kosovë, Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar atë për ngacmim dhe frikësim të drejtuar ndaj saj dhe familjes së saj.
Ngacmimi ka zgjatur tre vjet, nga dhjetori 2021 deri në shkurt 2025, gjatë së cilës periudhe Llugaliu ka publikuar të paktën 101 postime në Facebook që kanë tërhequr vëmendje të madhe publike, duke grumbulluar mbi 42,000 pëlqime, 700 shpërndarje dhe 2,200 komente. Aktiviteti i tij në rrjetet sociale, i shoqëruar me gjuhë fyese dhe nënçmuese, ka shkaktuar dëme serioze emocionale për znj. Kusari dhe familjen e saj.
Në postimet e tij, Llugaliu i referohet Kusarit me një term fyes: “Mickoja”, që do të thotë “mushkonja”, me gjasë për të shmangur pezullimin e llogarisë së tij nga Facebook. Abuzimi u përshkallëzua kur ai filloi të shënjestrojë edhe anëtarë të familjes së znj. Kusari, përfshirë bashkëshortin dhe nënën e saj, me komente më shqetësuese që kishin natyrë seksuale.
Ngacmimi filloi në vitin 2021, pasi znj. Kusari, në emër të ECPMF, monitoroi procesin e zgjedhjes së anëtarëve të bordit të transmetuesit publik të Kosovës (RTK) nga Kuvendi i Kosovës, duke avokuar për përzgjedhjen e anëtarëve të pavarur politikisht. Llugaliu, si mbështetës i partisë në pushtet, kishte aplikuar për një vend, por nuk ishte përzgjedhur. Edhe pse znj. Kusari nuk e ka përmendur kurrë me emër, përmbajtja e postimeve të tij tregon se ai e fajëson atë për dështimin e tij. Shumë nga postimet e tij kanë qenë fyes dhe nxitëse, duke e akuzuar Kusarin se ka ndikuar në vendime politike.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka ndihmuar znj. Kusari në hartimin e kallëzimit penal. Duke u bazuar në vendime të mëparshme në raste të ngjashme, ata besojnë se ky rast përfaqëson një nga format më të rënda të ngacmimit online ndaj aktivisteve femra në Kosovë.
Sipas znj. Kusari, ngacmimi dhe përndjekja obsesive online, që ka zgjatur për tre vjet, nga ana e aktivistit politik dhe të paditurit Llugaliu, është kryer si një akt hakmarrjeje për angazhimin e saj si vëzhguese në procesin e monitorimit të RTK-së. Qëllimi i tij, thotë ajo, ka qenë që ta çnjerëzojë dhe ta largojë atë dhe gratë e tjera aktive nga jeta publike.
Ajo i ka kërkuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë që të ndërmarrë ndjekje penale ndaj Mentor Llugaliut për veprën penale të ngacmimit, siç parashikohet në nenin 182 të Kodit Penal të Kosovës.
Organizatat tona qëndrojnë në solidaritet me Flutura Kusarin dhe i bëjnë thirrje Kryeprokurorit të Prokurorisë së Prishtinës, Zejnullah Gashi, si dhe prokurorit përgjegjës, që të sigurojnë që ky rast të hetohet në mënyrë të shpejtë dhe të paanshme.
Si një rast kyç në luftën kundër ngacmimit online ndaj mbrojtësve të lirisë së shprehjes, në veçanti grave aktiviste, partnerët e nënshkruar të Media Freedom Rapid Response (MFRR) dhe anëtarët e Platformës së Këshillit të Evropës do ta ndjekin nga afër ecurinë e procedurave.
Ne shpresojmë që rasti të kalojë sa më parë në gjykatë dhe të çojë në një vendim që do të shënojë një hap të rëndësishëm në luftën kundër abuzimit online që synon gratë.
Nënshkruar nga:
- European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF)
- Free Press Unlimited (FPU)
- International Press Institute (IPI)
- Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT)
- ARTICLE 19 Europe
- European Federation of Journalists (EFJ)
- International Federation of Journalists (IFJ)
- PEN International
- Index on Censorship
- Reporters Without Borders (RSF)
- Association of European Journalists (AEJ)
- Committee to Protect Journalists (CPJ)
- Justice for Journalists Foundation
Postimet e Mentor Llugaliut kundër Flutura Kusarit: