Reforma e ndihmës juridike duhet të adresojë proceset abuzive ndaj gazetarëve

Burimi: Blerjana Bino for Safe Journalists
Reforma e ndihmës juridike duhet të adresojë proceset abuzive ndaj gazetarëve
photo: canva

Gazetarët dhe personat e tjerë që marrin pjesë në debatin publik kanë nevojë për ndihmë juridike në kohë kur një proces paraqet tregues të arsyeshëm se mund të jetë haptazi i pabazuar ose abuziv.

Rrjeti SafeJournalists – Shqipëri dhe SCiDEV kanë paraqitur një kontribut të përbashkët në konsultimin e Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimet e propozuara në ligjin nr. 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”.

Projektligji përmban masa pozitive për ta bërë ndihmën juridike më të aksesueshme dhe efektive. Ai thjeshton kërkesat për ndihmë juridike parësore, zgjeron kategoritë përfituese, forcon përfaqësimin e specializuar dhe krijon procedura të përshpejtuara për disa raste urgjente.

Megjithatë, projektligji nuk adreson ende pengesat me të cilat përballen gazetarët, punonjësit e medias dhe personat e tjerë të përfshirë në debatin publik kur ndaj tyre ngrihen procese potencialisht abuzive. Kostoja dhe kohëzgjatja e proceseve komplekse ose të përsëritura mund ta bëjnë të pamundur mbrojtjen efektive të raportimit me interes publik, edhe kur gazetari nuk plotëson kriterin e zakonshëm të të ardhurave për ndihmë juridike falas.

SafeJournalists nuk kërkon ndihmë juridike automatike për çdo gazetar dhe nuk e konsideron çdo padi për shpifje si SLAPP. Personat që janë dëmtuar realisht nga raportime të pasakta ose të paligjshme duhet të ruajnë të drejtën për mjete juridike civile efektive dhe proporcionale.

Kontributi i përbashkët propozon një garanci të lidhur me natyrën e procesit. Ndihma juridike e garantuar nga shteti duhet t’u ofrohet personave fizikë, përfshirë shprehimisht gazetarët dhe punonjësit e medias, kur procesi është ngritur për shkak të pjesëmarrjes në një çështje me interes publik dhe faktet fillestare tregojnë në mënyrë të arsyeshme se kërkesa mund të jetë haptazi e pabazuar ose procesi mund të jetë abuziv. Vendimi për ndihmën juridike nuk duhet të përcaktojë nëse publikimi ka qenë i ligjshëm apo nëse paditësi do ta fitojë çështjen.

Lexoni kontributin e plotë Shqip dhe Anglisht