Tiranë, Tetor 2025 — Raporti Përfundimtar i OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri jep një tablo të zymtë të mjedisit mediatik, duke konfirmuar shumë nga shqetësimet e ngritura prej kohësh nga Rrjeti SafeJournalists (SJN), SCiDEV, organizatat për lirinë e medias dhe shoqëria civile në Shqipëri, në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian.
Raporti arrin në përfundimin se përqendrimi i pronësisë mediatike, ndërhyrjet politike dhe frikësimi i gazetarëve kanë minuar kushtet për një debat publik të informuar dhe drejtësi zgjedhore. Ai gjithashtu përmend Rrjetin SafeJournalists (SJN) si një burim kyç që dokumenton sulmet ndaj gazetarëve.
Përqendrim Pronësie dhe Kontroll Politik
Sipas ODIHR,
“Pavarësia, diversiteti dhe integriteti i lajmeve që u ofrohen votuesve janë cënuar nga varësia e shumicës së mediave ndaj financimeve jotransparente nga interesa politike dhe biznesi, të cilat shpesh mbështeten në kontrata me qeverinë” (fq. 22).
Raporti paralajmëron se
“Përqendrimi në pronësinë e mediave minon më tej pluralizmin e burimeve të informacionit” (fq. 22),
duke theksuar se katër pronarët kryesorë kontrollojnë 72% të të ardhurave të tregut të transmetimeve dhe 87% të audiencës. Shumica e mediave të mëdha janë “të perceptuara si të lidhura me Partinë Socialiste në pushtet” (fq. 22).
Shih raportin e BIRN Albania mbi Pluralizmin Mediatik.
Këto gjetje pasqyrojnë dokumentimin e vazhdueshëm nga SJN të kërcënimeve strukturore ndaj lirisë së medias në Shqipëri dhe rajon.
Mund të lexoni Raportin Vjetor të Treguesve mbi Sigurinë e Gazetarëve dhe Lirinë e Medias këtu.
Mungesa e Pavarësisë në RTSH dhe AMA
Raporti thekson dobësitë institucionale në mediat e shërbimit publik dhe në rregullatorin mediatik, duke deklaruar se
“Procedura dypartiake e emërimeve si në Shërbimin Publik të Transmetimit (RTSH) ashtu edhe në Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) nuk garanton pavarësinë e tyre faktike” (fq. 22–23).
ODIHR bën thirrje për ndryshime ligjore që të sigurojnë pavarësi të vërtetë institucionale, duke theksuar se:
“Ndryshimet ligjore duhet të garantojnë depolitizim efektiv dhe pavarësi të mirëfilltë institucionale si për Shërbimin Publik të Transmetimit ashtu edhe për Autoritetin e Mediave Audiovizive, në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare.” (fq. 34)
Kjo rekomandim përforcon qëndrimin e Rrjetit SafeJournalists (SJN) për procese transparente dhe meritokracie në emërime, që mbrojnë autonominë redaksionale nga kontrolli politik.
Shihni këtu monitorimin dhe avokimin tonë mbi transmetuesin publik në Shqipëri.
Sulme, Frikësim dhe Hapësirë në Tkurrje
ODIHR dokumenton një model shqetësues të frikësimeve, pengesave dhe sulmeve verbale ndaj gazetarëve gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve.
“Ndërhyrjet e përhapura nga pronarët e mediave në autonominë redaksionale, së bashku me vetëcensurën midis gazetarëve, ndikojnë negativisht në informacionin që i ofrohet publikut.” (fq. 23)
“Në ditën e zgjedhjeve dhe pas saj, vëzhguesit afatgjatë të Misionit të ODIHR-it dhe organizatat e shoqërisë civile raportuan shumë raste frikësimi dhe pengimi të punës së gazetarëve.” (fq. 23)
Veçanërisht, raporti përmend në mënyrë të qartë platformën SafeJournalists.net si burim për dokumentimin e sulmeve ndaj gazetarëve, duke theksuar rolin e Rrjetit në verifikimin dhe evidentimin e sulmeve ndaj profesionistëve të medias dhe në promovimin e llogaridhënies.
Për shembull, reagimi ynë pas sulmeve gjatë ditës së zgjedhjeve më 11 maj i bëri thirrje autoriteteve shqiptare të hetojnë menjëherë dhe me transparencë rastet dhe të sigurojnë pasoja ligjore për të gjitha shkeljet.
Së bashku me partnerin e Media Freedom Rapid Response, ne ngritëm alarmin për numrin e madh të rasteve të frikësimit dhe pengimit me të cilat u përballën gazetarët që mbulonin zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.
Kërcënime Ligjore: Padi për Fyerje dhe SLAPP-e
Pavarësisht rekomandimeve të përsëritura ndërkombëtare, Shqipëria vazhdon të kriminalizojë fyerjen. ODIHR konstaton se:
“Gazetarët janë përballur me një numër të madh çështjesh civile dhe penale për fyerje vitet e fundit, përfshirë raste të padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP).” (fq. 24)
Raporti është i qartë dhe i prerë:
“Fyerja duhet të dekriminalizohet plotësisht dhe dispozitat civile për fyerjen duhet të harmonizohen me standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes.” (fq. 34)
Rrjeti SafeJournalists (SJN) ka paralajmëruar në mënyrë të vazhdueshme se paditë për fyerje dhe SLAPP-et përdoren si mjete frikësimi, që dekurajojnë gazetarinë hulumtuese dhe dobësojnë kontrollin demokratik.
SCiDEV ka publikuar gjithashtu një analizë të pavarur ligjore të projekt-Kodit Penal të Shqipërisë, duke theksuar rreziqe të mëdha për lirinë e shprehjes, lirinë e medias dhe rolin e mbikëqyrësve publikë përfshirë gazetarët, sinjalizuesit, organizatat e shoqërisë civile dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut.
Kontrolli Shtetëror i Informacionit dhe Manipulimi Mediatik
Agjencia e Informacionit dhe Medias (MIA), që vepron në varësi të Zyrës së Kryeministrit, identifikohet në raport si një mekanizëm kyç i komunikimit të centralizuar të qeverisë:
“Agjencia e Informacionit dhe Medias centralizon dhe filtrin informacionin që publikohet për qeverinë dhe institucionet publike.” (fq. 23)
ODIHR raporton gjithashtu se:
“Pamjet televizive të fushatës elektorale u ofruan nga vetë partitë politike, në vend të gazetarëve,”
dhe se
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mori masa për ta adresuar këtë praktikë.” (fq. 24)
Kjo praktikë, sipas ODIHR,
“u mohoi votuesve informacion të pavarur, të larmishëm dhe të besueshëm mbi garën elektorale.” (fq. 25)
Ky shqetësim është ngritur vazhdimisht nga SJN, SCiDEV, organizatat për lirinë e medias dhe shoqëria civile në Shqipëri, në Ballkanin Perëndimor dhe BE.
Më 22 janar 2025, katërmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile publikuan një deklaratë të përbashkët, duke u bërë thirrje partive politike dhe kandidatëve të respektojnë parimet themelore të lirisë së medias, transparencës dhe debatit demokratik para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit 2025.
Fatkeqësisht, shkelje të shumta të këtyre parimeve u vunë re gjatë muajve para zgjedhjeve, gjatë fushatës dhe në ditën e votimit. Lexo ketu më shumë.
Rekomandime të Drejtpërdrejta në Përputhje me Prioritetet e SJN
Raporti i ODIHR-it përfshin rekomandime të forta që janë plotësisht në përputhje me agjendën rajonale të SJN:
“Autoritetet shtetërore duhet të promovojnë një mjedis mediatik të pavarur dhe të larmishëm, të lirë nga ndikimi politik dhe korporativ.” (fq. 34)
“Duhet të miratohet një rregullim gjithëpërfshirës i pronësisë mediatike dhe të forcohet zbatimi i tij efektiv.” (fq. 34)
“Fyerja duhet të dekriminalizohet plotësisht…” (fq. 34)
“Rregullat në Kodin Zgjedhor për ndarjen e kohës televizive duhet të ndryshohen për të siguruar një shpërndarje më të drejtë për të gjithë garuesit.” (fq. 34)
SJN u bën thirrje autoriteve shqiptare që të veprojnë pa vonesë për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it, dhe i bën thirrje Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës që të kushtëzojnë progresin në reformat demokratike me përmirësime të prekshme në lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve.
Siç përfundon raporti i ODIHR-it:
“Mjedisi i kufizuar mediatik dhe dështimi për të zbatuar kërkesat ligjore në mirëbesim ua mohuan votuesve informacionin e pavarur, të larmishëm dhe të qëndrueshëm.” (fq. 25)
Ky përfundim i bazuar në vëzhgim dhe prova pasqyron atë që gazetarët shqiptarë e kanë paralajmëruar prej kohësh:
Liria e shprehjes mbetet prova më e madhe e Shqipërisë në rrugën e saj drejt demokracisë.