Treguesit për Nivelin e Lirisë së Medias dhe Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve 2024 tregojnë se mjedisi i përgjithshëm për gazetarinë e pavarur dhe profesionale në Shqipëri mbetet në vështirësi të vazhdueshëm për shkak të një kombinimi problemesh strukturore, politike dhe ekonomike. Ndërthurja e interesave politike, të biznesit dhe medias, së bashku me sfidat e shtetit të së drejtës, ka krijuar kushte në të cilat gazetaria e pavarur dhe me cilësi bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u mbështetur. Të marra së bashku, gjetjet në të gjithë treguesit tregojnë se sektori i mediave në Shqipëri është zyrtarisht i mbrojtur, por në thelb mjaft i brishtë. Garancitë ligjore po përafrohen gjithnjë e më shumë me standardet e BE-së, ndonëse ato vazhdojnë të dobësohen nga zbatimi me hope dhe i kufizuar në praktikën e përditshme.
Kushtet e punës së gazetarëve mbeten të paqëndrueshme, të karakterizuara nga pagat e ulëta, përhapja e informalitetit dhe mungesa e mekanizmave të negociatave kolektive, ndërkohë që pavarësia e redaksive komprometohet nga përqendrimi i pronësisë dhe ndërhyrjet politike. Shumë media përdoren për siguruar interesat personale dhe komerciale të pronarëve të tyre, të cilët shpesh kanë biznese në sektorë të tjerë të rregulluar ose përfitojnë nga koncesionet shtetërore. Raportimi dhe monitorimi investigativ kanë shprehur shqetësime për sa i përket lidhjeve midis aktorëve të caktuar të mediave dhe rrjeteve të krimit të organizuar, të cilat dëmtojnë më tej integritetin dhe deformojnë politikat editoriale. Në të njëjtën kohë, përhapja e portaleve të panjohura online që shërbejnë si instrumente dezinformimi, fushatash shpifjesh apo shantazhi, i përkeqëson këto problematika dhe kontribuon në rënien e mëtejshme të besimit të publikut te mediat.
Problemet lidhur me sigurinë e gazetarëve mbeten të konsiderueshme. Edhe pse rastet e dhunës fizike ose kërcënimet për jetën janë relativisht të rralla, ngacmimi, frikësimi, sulmet online dhe fushatat e shpifjes janë të përhapura ndërkohë që mbrojtja institucionale është mjaft e dobët. Retorika politike shpesh nxit urrejtje në vend që të dënojë pa asnjë ekuivok dhunën ndaj gazetarëve, duke nxitur një klimë mosbesimi te gazetarët dhe vetëcensurën mes tyre. Në vitin 2024, Rrjeti SafeJournalists dokumentoi 45 raste të shkeljeve të lirisë së medias, konkretisht: 27 raste kërcënimesh dhe ngacmimesh jo-fizike ndaj gazetarëve në Shqipëri; 3 raste që përfshinin kërcënime ndaj jetës ose sigurisë fizike të gazetarëve; 6 sulme reale ndaj gazetarëve; dhe 9 raste kërcënimesh dhe sulmesh që synonin media dhe shoqata të gazetarëve. Prania e vazhdueshme e këtyre kërcënimeve, e kombinuar me mungesën e ndjekjes së qëndrueshme institucionale, ushqen mosbesimin, nxit vetëcensurën dhe gërryen gazetarinë në interes publik.
Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve për vitin 2024 është 2.90, nga 2.80 që ishte në vitin 2023.
Rritja e lehtë e Indeksit të Sigurisë së Gazetarëve në vitin 2024 pasqyron përmirësime procedurale graduale, veçanërisht emërimin e pikave fokale në polici dhe prokurori si dhe hartimin e udhëzimeve fillestare për sigurinë e gazetarëve, të cilat kanë forcuar në mënyrë të kufizuar parandalimin dhe procesin e rregullt ligjor. Megjithatë, kjo rritje nuk përfaqëson një ndryshim strukturor, pasi boshllëqet e vazhdueshme në zbatim, mekanizmat e mbrojtjes dhe llogaridhënien institucionale vijojnë të kufizojnë sigurinë reale të gazetarëve në terren.
Raporti ofron rekomandime të detajuara për kuadrin ligjor të mbrojtjes, kushtet e punës së gazetarëve dhe pavarësinë editoriale, sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarëve, si dhe rolin e shoqatave të gazetarëve dhe solidaritetin profesional.