Televizioni Publik Shqiptar (RTSH) raportohet se po përballet me një krizë të thellë financiare dhe qeverisjeje, e cila sipas gazetarëve dhe raportimeve mediatike ka lënë dhjetëra gazetarë dhe bashkëpunëtorë të jashtëm pa pagesë deri në pesë muaj, megjithëse programet e tyre janë prodhuar dhe transmetuar. Që prej prillit 2025, stafi dhe bashkëpunëtorët kanë kërkuar vazhdimisht shpjegime nga drejtuesit e RTSH, por, siç raportohet në media, nuk është dhënë asnjë komunikim zyrtar apo afat për shlyerjen e detyrimeve.
Gazetarja dhe producentja Kozeta Kurti doli publikisht më 8 shtator 2025, duke deklaruar: “Unë dhe stafi im kemi 12 punë të papaguara nga 14 gjithsej… por më shumë se sa mungesa e tyre, më dhemb arroganca dhe fakti që jemi transparentë përballë këtij grupi njerëzish, veçanërisht për Drejtoreshën e Përgjithshme të institucionit.” Dëshmia e saj pasqyron shqetësimin e bashkëpunëtorëve për mungesën e dialogut me drejtuesit e RTSH.
Në një editorial për Reporter.al, gazetarja Elsa Demo theksoi se kriza financiare nuk mund të përdoret si justifikim për mos-pagesën: “‘Arka bosh’ nuk është argument. As kur bëhet fjalë për një institucion publik, të financuar nga taksapaguesit, dhe as kur bëhet fjalë për profesionistë që kanë përmbushur detyrimet e tyre.” Ajo shtoi se heshtja dhe mungesa e transparencës nga RTSH jo vetëm që dëmtojnë të drejtat e punonjësve, por rrezikojnë gjithashtu të minojnë besimin publik tek televizioni publik.
Sipas raportimit në media, disa bashkëpunëtorë kanë nisur procedura gjyqësore për të kërkuar pagesat e vonuara, ndërsa të tjerë konfirmojnë se kërkesat e tyre të përsëritura për informacion kanë mbetur pa përgjigje.
Siç është theksuar edhe në raportimet e mëparshme të SafeJournalists, kriza financiare e RTSH ka arritur një pikë kritike: drejtuesit kanë kërkuar zyrtarisht një paketë emergjente prej 2 milionë euro, duke përmendur rreth 8 milionë euro detyrime të akumuluara nga keqmenaxhimi i viteve të kaluara dhe kontrata të paautorizuara. Megjithatë, kriza nuk është thjesht financiare. Ajo pasqyron dobësi më të thella në qeverisje, transparencë dhe pavarësi editoriale, me pasoja të drejtpërdrejta për stafin dhe për aftësinë e RTSH për të përmbushur misionin e tij. Për gazetarët dhe bashkëpunëtorët, mos-pagesa e zgjatur dëmton të drejtat themelore të punës dhe krijon pasiguri financiare, veçanërisht shqetësuese në një institucion publik të financuar nga taksapaguesit. Për vetë RTSH, mospërmbushja e detyrimeve kontraktuale dhe reduktimi i programacionit origjinal rrezikojnë të dëmtojnë besueshmërinë, të dobësojnë kapacitetin për të shërbyer audiencën dhe të gërryejnë më tej besimin tek pavarësia e tij.
Në të njëjtën kohë, gazetarët kanë raportuar edhe për masa shtesë ristrukturimi. Më 4 shtator 2025, RTSH 3, RTSH Plus dhe RTSH Agro u hoqën nga platformat tokësore dhe satelitore pas Vendimit nr. 13 të Këshillit Drejtues, datë 28 mars 2023. Megjithëse ky vendim u përmend në njoftimin e brendshëm të RTSH për stafin, ai nuk është bërë publik. Njësia e Programacionit informoi stafin se puna do të riorganizohej pas mbylljes së kanaleve. Shoqëria civile ka kërkuar gjithashtu sqarime: SCiDEV ka paraqitur një kërkesë për informacion publik, duke kërkuar qasje në vendimin e Këshillit, arsyetimin faktik dhe ligjor, masat për stafin, njoftimin për Autoritetin e Mediave Audiovizive, si dhe planet për vijimësinë e programeve. Mungesa e dokumentacionit të publikuar dhe e një shpjegimi publik thekson edhe një herë shqetësimet për transparencën dhe respektimin e procedurave në RTSH në një kohë krize institucionale.
Konteksti është i vështirë dhe kompleks. Këshilli i ri Drejtues dhe Drejtoresha e Përgjithshme kanë premtuar transparencë më të madhe dhe reformë, përfshirë në tryezën e rrumbullakët të 9 korrikut 2025 ku u shpallën objektivat për një model të ristrukturuar programacioni të përshtatur me nevojat e audiencës, integrim të platformave digjitale dhe forcim të qeverisjes me prioritet transparencën, gjithëpërfshirjen dhe llogaridhënien. Këto zotime janë të mirëpritura. Megjithatë, siç raportohet në media, heshtja e vazhdueshme ndaj stafit dhe publikut për çështjen e pagesave dhe afatet ngre dyshime mbi funksionimin efektiv të procedurave dhe mekanizmave ekzistues të mbikëqyrjes.
Për të treguar një rrugë të besueshme drejt reformës, RTSH duhet të veprojë menjëherë me hapa transparentë, të realizueshëm edhe në kushte të vështira financiare. Këto përfshijnë publikimin e një plani të qartë dhe të afatizuar për shlyerjen e detyrimeve, me afate të ndara dhe njësi përgjegjëse; krijimin e një kanali të posaçëm komunikimi për bashkëpunëtorët dhe stafin; si dhe publikimin, brenda kufijve ligjorë, të përmbledhjes së gjetjeve të auditimit dhe masave korrigjuese që po ndërmerren, përfshirë reformën e prokurimeve, kontrollin e kontratave dhe respektimin e procedurave në vendimmarrje. Në lidhje me mbylljen e RTSH 3, RTSH Plus dhe RTSH Agro, RTSH duhet të sqarojë bazën ligjore të këtyre ndryshimeve, mënyrën si do të trajtohet stafi i prekur dhe nëse apo si do të vijojnë programet përkatëse. Po aq e rëndësishme është që çdo vendim i ri për ristrukturim, reformë apo programacion strategjik të mos merret në mënyrë të njëanshme, por përmes konsultimit transparent me aktorët e interesuar, në përputhje me zotimet e veta për gjithëpërfshirje dhe llogaridhënie.
Njëkohësisht, RTSH duhet të bashkëpunojë plotësisht me organet e mbikëqyrjes. Këshilli Drejtues duhet të mbajë mbledhje të hapura dhe të publikojë procesverbalet; Inspektorati i Punës duhet të verifikojë respektimin e kontratave dhe pagesave me mbështetjen aktive të RTSH; dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive duhet të vlerësojë vijimësinë e detyrimeve të shërbimit publik dhe standardeve të transparencës. Gjithashtu, parlamenti i ri, në kuadër të rolit të tij mbikëqyrës, duhet të ndjekë me kujdes zhvillimet në RTSH dhe të sigurojë që çdo fond publik ose reformë të shoqërohet me transparencë, llogaridhënie dhe respektim të të drejtave të punonjësve të medias.
Zgjidhja e krizës në RTSH kërkon veprim jo vetëm nga drejtuesit dhe organet e mbikëqyrjes, por edhe nga një ekosistem më i gjerë llogaridhënieje. Rastet e bëra publike nga Kozeta Kurti dhe Elsa Demo kanë gjeneruar solidaritet brenda komunitetit gazetaresk, duke treguar se këto nuk janë shqetësime të izoluara, por pjesë e një çështjeje më të gjerë mbi të drejtat e punës dhe dinjitetin profesional në median publike. Megjithatë, do të nevojitet më shumë unitet dhe veprim i përbashkët për të siguruar mbrojtjen efektive të të drejtave të gazetarëve dhe për të garantuar që RTSH të përmbushë detyrimet ndaj atyre që kontribuojnë në misionin e tij. Shoqëria civile dhe organizatat monitoruese duhet të vazhdojnë të kërkojnë transparencë, të ndjekin nga afër vendimet mbi ristrukturimin dhe programacionin, dhe të mbajnë RTSH të përgjegjshëm ndaj mandatit të tij publik; ndërsa shoqatat profesionale dhe sindikatat duhet të mbrojnë të drejtat e punës përmes avokimit, mbështetjes dhe mobilizimit. Partnerët ndërkombëtarë, përfshirë BE-në, Këshillin e Europës dhe OSBE-në, duhet të vazhdojnë ta lidhin reformën e RTSH me angazhimet më të gjera të Shqipërisë për lirinë e medias dhe integrimin europian, duke ofruar njëkohësisht mbështetje dhe presion për llogaridhënie. Gjykata ka një rol thelbësor për të dhënë zgjidhje në çështjet gjyqësore të nisura, ndërsa publiku, si taksapagues dhe audiencë e RTSH, mbetet aktori më i rëndësishëm, besimi i të cilit duhet të rikthehet nëse RTSH synon të rifitojë legjitimitetin si media publike.
Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet dhe, aty ku është e nevojshme, të avokojë për reforma që forcojnë llogaridhënien financiare, pavarësinë editoriale dhe qëndrueshmërinë operacionale të RTSH. Edhe në kohë krize, transparenca, komunikimi dhe respektimi i procedurave nuk janë opsione – ato janë detyrime thelbësore të një media publike dhe kushte bazë për rikthimin e besimit në peizazhin mediatik shqiptar.
*Përgjigjja e RTSH-së lidhur me mbylljen e RTSH 3, RTSH Plus dhe RTSH Agro, 03.10.2025, e disponueshme këtu.
Shkruar nga Blerjana Bino për Rrjetin SafeJournalists