Në një klimë gjithnjë e më sfiduese për lirinë e medias në Shqipëri, organizatat që përfaqësojnë gazetarët dhe punonjësit e medias po intensifikojnë përpjekjet për të forcuar mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Sot, përfaqësues të organizatave të shoqerisë civile, SCiDEV, e udhëhequr nga Blerjana Bino, e cila është gjithashtu hulumtuese pranë rrjetit SafeJournalists, së bashku me Asociacionin e Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dhe Sindikatën e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias, zhvilluan një takim me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Qëllimi ishte i qartë: të përmirësohet bashkëpunimi institucional në mbështetje të gazetarëve dhe profesionistëve të medias në të gjithë vendin.
Në një frymë dialogu të hapur dhe bashkëpunimi, organizatat ngritën shqetësime konkrete mbi sfidat në rritje me të cilat përballen gazetarët në terren, nga diskriminimi dhe presionet politike apo ekonomike, te largimet e padrejta nga puna dhe mungesa e mekanizmave efektivë për raportimin e shkeljeve. U theksua se pa raportim nuk ka llogaridhënie, dhe pa mbrojtje nuk mund të ketë gazetari të lirë.
U identifikuan këto fusha kyçe për bashkëpunimin në të ardhmen:
- Raportimi efektiv i shkeljeve të të drejtave të gazetarëve pranë institucioneve përkatëse.
- Rritja e ndërgjegjësimit mbi të drejtat dhe mbrojtjen ligjore të gazetarëve.
- Fuqizimi përmes edukimit dhe informimit, përfshirë edhe reagime të koordinuara institucionale për të parandaluar diskriminimin dhe largimet e padrejta nga puna.
Takimi shënoi një hap konkret drejt ndërtimit të një rrjeti institucional më të gjerë për mbrojtjen e gazetarëve në Shqipëri, në përputhje me standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes dhe sigurinë e profesionistëve të medias.
I jemi mirënjohës Komisionerit për angazhimin e tij në avancimin e të drejtave të gazetarëve dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt për ushtrimin e gazetarisë në Shqipëri.