Forcimi i Pavarësisë dhe Llogaridhënies së RTSH-së: Pikat Kryesore nga Forumi i Zhvillimit të Medias i OSBE-së 2025

Burimi: https://www.osce.org/sq/presence-in-albania/600449

Tiranë, 29 tetor 2025 – Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvilloi Forumin e saj të 11-të vjetor për Zhvillimin e Medias, duke bashkuar politikbërës, rregullatorë dhe ekspertë të medias për të trajtuar dy çështje thelbësore në peizazhin mediatik të Shqipërisë: transparencën e pronësisë së mediave dhe pavarësinë institucionale të transmetuesit publik RTSH.

Në fjalën e tij hapëse, Ambasadori Michel Tarran, Shefi i Prezencës së OSBE-së, rikonfirmoi angazhimin e OSBE-së për të mbështetur pluralizmin, transparencën dhe qëndrueshmërinë e medias. “Qëllimi ynë i përbashkët,” theksoi ai, “duhet të jetë një mjedis mediatik në Shqipëri që është i larmishëm, transparent, i pavarur dhe rezistent ndaj presioneve politike apo ekonomike – një mjedis që nxit debatin publik të informuar dhe mbron vlerat demokratike.”

Nga Vjena, Ambasadori Jan Braathu, Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, theksoi rëndësinë e këtyre diskutimeve, duke vënë në dukje se “ato janë thelbësore jo vetëm për mbrojtjen e lirisë së shtypit, por edhe për t’u siguruar që media të shërbejë si një platformë e vërtetë për zëra të ndryshëm, gazetari etike dhe debat publik të informuar.”

Pavarësia e Transmetuesit Publik: Një Çështje e Besimit Publik

Sesioni i dytë i Forumit u përqendrua në pavarësinë e RTSH-së, rolin e tij në shërbim të interesit publik dhe sfidat që lidhen me qeverisjen, financimin dhe integritetin editorial. Në këtë sesion mori pjesë Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, znj. Eni Vasili, e cila theksoi përpjekjet e brendshme në vijim dhe kufizimet financiare, si dhe ekspertët e integritetit të medias, z. Lutfi Dervishi dhe dr. Blerjana Bino, kërkuese në SJN dhe Drejtore Ekzekutive e SCiDEV, të cilët theksuan urgjencën për forcimin e mekanizmave të llogaridhënies dhe mbikëqyrjes publike.

Dr. Blerjana Bino solli një këndvështrim analitik mbi sfidat strukturore dhe funksionale të RTSH-së, duke argumentuar se reforma duhet të shkojë përtej pavarësisë formale dhe të garantojë integritet funksional dhe llogaridhënie sistemike.

“RTSH-ja duhet parë si një infrastrukturë publike dhe demokratike e kujtesës kolektive dhe dialogut qytetar  një hapësirë ku informacioni i shërben të mirës publike, jo interesave politike apo tregut,” deklaroi Bino. “Pavarësia e saj nuk mund të jetë absolute; ajo duhet të jetë funksionale  e bazuar në paanshmëri, llogaridhënie dhe transparencë.”

Bino theksoi se reforma në qeverisje është thelbësore për rikthimin e besimit publik. Procesi i përzgjedhjes së organeve drejtuese të RTSH-së duhet të tejkalojë negociatat politike dhe formulat e proporcionalitetit, duke garantuar meritën profesionale dhe përfaqësimin qytetar. Ajo gjithashtu bëri thirrje për mekanizma të qëndrueshëm dhe transparentë raportimi, përfshirë rishikime të rregullta të performancës, publikimin e të dhënave financiare dhe kanale komunikimi me publikun që lidhin qytetarët me kuadrin e llogaridhënies së transmetuesit publik.

Një tjetër dimension thelbësor i diskutuar ishte pavarësia editoriale. Bino nënvizoi se besueshmëria varet nga standardet e qarta editoriale, gazetaria analitike dhe mbrojtja e gazetarëve nga presionet e brendshme apo të jashtme. Ajo gjithashtu theksoi nevojën për zhvillim profesional të vazhdueshëm, edukim digjital dhe aftësi në fushën e inteligjencës artificiale për t’u përshtatur me ndryshimet teknologjike dhe shoqërore, duke ruajtur standardet etike.

Në trajtimin e aspektit financiar, pjesëmarrësit ranë dakord se financimi duhet të lidhet me transparencën dhe performancën, e jo me ndikimin politik. Bino shtoi se diversifikimi i burimeve financiare nuk duhet të minojë misionin e shërbimit publik të RTSH-së dhe se inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital mund të nxisin transparencën, inovacionin dhe angazhimin e audiencës.

Diskutimi u mbyll me mirëkuptimin e përbashkët se reforma e RTSH-së duhet të jetë sistemike, jo sipërfaqësore. Kjo nënkupton qeverisje të hapur dhe transparente, mbikëqyrje pjesëmarrëse, zhvillim etik dhe digjital, si dhe llogaridhënie të qëndrueshme publike. Përtej reformës institucionale, pjesëmarrësit theksuan nevojën për të mbrojtur gazetarët nga censura e brendshme, presioni politik dhe hakmarrja. Bino argumentoi gjithashtu se forca e RTSH-së varet nga aftësia e gazetarëve të saj për t’u organizuar dhe për të folur me një zë të përbashkët.

Pjesëmarrësit në Forum u pajtuan se një strukturë e qartë e pronësisë së mediave dhe një transmetues publik i pavarur e i besueshëm janë të pazëvendësueshëm për mbrojtjen e debatit demokratik në Shqipëri. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vazhdojë të lehtësojë dialogun dhe veprimet e mëtejshme për të avancuar këto prioritete.