Deklaratat e fundit publike të Kryebashkiakes së Vlorës, Brunilda Mersini, të bëra gjatë një aktiviteti publik me Universitetin e Vlorës, ngrejnë implikime lidhur me lirinë e shprehjes, lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Shqipëri.
Në deklaratat e saj, Kryebashkiakja u shpreh:
“Ne kemi rrjete sociale të pakontrolluara. Sot ka individë në rrjete sociale që hapin faqe dhe nuk kanë NIPT, nuk janë të regjistruar në tatime, janë krijuar për qëllime të caktuara dhe kanë ndikim jo pozitiv në shoqëri dhe ndaj bizneseve. Ne kemi detyrë institucionale që, së bashku, të ndikojmë në ligjin e medias që këta aktorë në rrjete sociale të regjistrohen si njësi, qofshin fitimprurëse apo jofitimprurëse, por të regjistruara në territorin e Shqipërisë. Pyetja ime është nëse portalet online duhet t’i nënshtrohen anketimit dhe si operojnë ato në drejtim të krimit të organizuar.”
Shqetësimet e shprehura nga Kryebashkiakja lidhen me çështje legjitime. Megjithatë, këto veprime (si shantazhi, zhvatja apo veprimtari të tjera të paligjshme) janë tashmë të kriminalizuara nga legjislacioni në fuqi dhe bien në kompetencën e organeve të zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë. Trajtimi i rrjeteve sociale dhe portaleve online kryesisht përmes një qasjeje të rendit dhe sigurisë, si dhe propozimi i zgjidhjeve të gjera rregullatore përmes ligjit të medias, ngre pikëpyetje të rëndësishme mbi proporcionalitetin, domosdoshmërinë dhe përputhshmërinë me standardet evropiane të lirisë së shprehjes, veçanërisht kur sfida kryesore lidhet me zbatimin efektiv të ligjeve ekzistuese dhe jo me nevojën për kufizime të reja të gjera.
Regjistrimi i detyrueshëm i aktorëve në rrjetet sociale me numër identifikimi tatimor (NIPT), si dhe shtrirja e legjislacionit të medias mbi shprehjen online, rrezikojnë të përziejnë sjelljet kriminale me gazetarinë e ligjshme, kritikën qytetare dhe raportimin në interes publik. Sipas standardeve evropiane për të drejtat e njeriut, ligjet e medias synojnë të mbrojnë veprimtarinë gazetareske dhe pluralizmin mediatik, jo të rregullojnë shprehjen individuale online apo të vendosin kërkesa të përgjithshme regjistrimi.
Është gjithashtu e rëndësishme të bëhet një dallim i qartë mes platformave dhe përdoruesve të rrjeteve sociale, nga njëra anë, dhe mediave online (portaleve), nga ana tjetër. Ngatërrimi i këtyre aktorëve të ndryshëm rrezikon tejkalim rregullator, pasi masat e hartuara për median profesionale nuk mund të zbatohen automatikisht për përdorues individualë apo forma informale të shprehjes online pa cenuar lirinë e shprehjes dhe pluralizmin mediatik.
Për më tepër, referencat për t’i nënshtruar portalet online “anketimit” në lidhje me krimin e organizuar, pa kritere të qarta dhe pa vlerësim rast pas rasti, rrezikojnë të stigmatizojnë aktorët mediatikë dhe platformat online si të dyshuar në mënyrë të përgjithshme. Standardet evropiane kërkojnë që çdo hetim mbi veprimtari kriminale të jetë i synuar, i bazuar në prova dhe i kryer nën mbikëqyrje gjyqësore, e jo përmes monitorimit apo profilizimit të përgjithësuar të aktorëve mediatikë dhe digjitalë.
Qasje të tilla rrezikojnë gjithashtu të krijojnë një efekt frikësues për gazetarët, sinjalizuesit dhe qytetarët që përdorin platformat digjitale për të raportuar çështje me interes publik, veçanërisht në nivel lokal. Anonimiteti njihen si garanci të rëndësishme për lirinë e shprehjes, sidomos në kontekste ku ekzistojnë pabarazi pushteti, presion ekonomik apo rrezik intimidimi.
Së fundi, mënyra e trajtimit të kësaj çështjeje në kronikën e transmetuar nga televizioni lokal 6+1, ku u përdor etiketa fyese “fejsbukistët gjobaxhinj”, ngre shqetësime shtesë. Një gjuhë e tillë rrezikon të stigmatizojë kategori të gjera aktorësh online dhe të ushqejë narrativa përplasjeje brenda vetë ekosistemit mediatik. Kur media përdor terma përgjithësues apo përçmues për të përshkruar shprehjen online ose aktorët digjitalë, kjo mund të cenojë standardet profesionale, të ushqejë armiqësi ndaj gazetarëve dhe krijuesve të përmbajtjes dhe të mjegullojë kufirin mes kritikës legjitime dhe sjelljes kriminale.
Ndërsa Shqipëria avancon në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, liria e medias dhe siguria e gazetarëve mbeten tregues kyç në kuadër të klasterit të “themeleve”. Lufta kundër abuzimeve kriminale online është e domosdoshme dhe legjitime, por ajo kërkon instrumente ligjore të sakta dhe zbatim proporcional, jo masa të gjera që rrezikojnë të cenojnë lirinë e shprehjes dhe një mjedis mundësues për gazetarinë e pavarur.