Organizatat nënshkruese të kësaj deklarate shprehin shqetësim për shënjestrimin publik dhe delegjitimimin mbi baza etnike të Kristina Vokos, Drejtoreshë Ekzekutive e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hetuese në Shqipëri (BIRN Albania), nga Ardit Bino, deputet i Partisë Socialiste, aktualisht në qeveri.
Rasti pason një seancë dëgjimore parlamentare të mbajtur më 8 qershor në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ku organizatat e shoqërisë civile diskutuan raportet vjetore të institucioneve të pavarura, përfshirë Autoritetin e Mediave Audiovizive dhe transmetuesin publik RTSH. Gjatë dëgjesës, Kristina Voko ngriti një shqetësim legjitim dhe të bazuar në ligj lidhur me detyrimin e transmetuesit publik për të ofruar informacion dhe përmbajtje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë pakicat kombëtare dhe personat me aftësi të kufizuara.
Kjo ndërhyrje më pas u shtrembërua në një postim publik nga deputeti Bido, i cili e shënjestroi Vokon përmes prejardhjes së saj etnike dhe paraqiti atë që ishte një kontribut i ligjshëm i shoqërisë civile në Parlament, si të dyshimtë, antikombëtar ose të lidhur me interesa të huaja. Një retorikë e tillë është e papranueshme nga një përfaqësues i zgjedhur. Ajo rrezikon ta kthejë pjesëmarrjen në një proces parlamentar në mundësi për intimidim publik dhe delegjitimim.
Ne jemi gjithashtu të shqetësuar që, pas reagimit të përbashkët të organizatave të shoqërisë civile shqiptare, deputeti Bido publikoi një tjetër postim ku nuk e uli tensionin e situatës, por përkundrazi e zgjeroi sulmin ndaj BIRN Albania dhe organizatave të shoqërisë civile në përgjithësi. Në atë postim, ai i paraqiti organizatat e shoqërisë civile si aktorë të financuar nga jashtë që kërkojnë përfitime financiare përmes “viktimizimit” dhe akuzoi BIRN Albania për prodhim të “lajmeve të rreme”. Kjo retorikë kontribuon më tej në delegjitimimin e organizatave të pavarura monitoruese, aktorëve mediatik të llogaridhënies dhe zërave të shoqërisë civile.
Zyrtarët publikë mund të kritikojnë raportimin mediatik ose qëndrimet e shoqërisë civile. Megjithatë, kritika duhet të bazohet në fakte dhe nuk duhet të mbështetet në kornizime etnike, insinuata për besnikëri ndaj interesave të huaja, narrativa shpifëse për financimin e shoqërisë civile, apo gjuhë që paraqet zërat kritikë si armiq.
Ky rast është veçanërisht shqetësues në kontekstin aktual të mobilizimit të shtuar qytetar rreth Zvërnecit dhe pejsazhit të mbrojtur Vjosa-Nartë, e njohur publikisht si “Revolucioni i Flamingove”. Qytetarë, aktivistë, gazetarë, organizata mediatike dhe grupe të shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime për mbrojtjen e mjedisit, transparencën, konsultimin publik, llogaridhënien dhe respektimin e shtetit të së drejtës. Në një kontekst të tillë, retorika që paraqet zërat kritikë si “të huaj”, “armiq” ose të motivuar etnikisht mund të krijojë efekt indimidimi mbi pjesëmarrjen publike, protestën paqësore, lirinë e medias dhe hapësirën qytetare.
Zyrtarët publikë dhe aktorët politikë kanë një përgjegjësi të shtuar për të shmangur gjuhën që mund të nxisë armiqësi ndaj gazetarëve, organizatave të llogaridhënies mediatike, përfaqësuesve të shoqërisë civile, aktivistëve dhe qytetarëve. Kjo përgjegjësi është edhe më e madhe kur debati publik lidhet me të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave, detyrimet e transmetuesit publik dhe pjesëmarrjen në proceset parlamentare të mbikëqyrjes.
Ne i bëjmë thirrje deputetit Ardit Bido të tërheqë postimet, të ndalojë shënjestrimin publik të Kristina Vokos dhe BIRN Albania, dhe të kërkojë falje publike.
Ne i bëjmë thirrje Parlamentit të Shqipërisë, Kryetares së Kuvendit, grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe organeve përgjegjëse për etikën parlamentare që të distancohen qartë nga kjo retorikë dhe ta shqyrtojnë rastin në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe standardet që priten nga deputetët.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje Kryeministrit Edi Rama, si drejtues i shumicës qeverisëse, të japë një mesazh publik të qartë dhe pa ekuivoke se shënjestrimi i shoqërisë civile, aktorëve mediatikë, gazetarëve, aktivistëve apo qytetarëve mbi bazën e etnisë, origjinës, gjuhës ose opinionit kritik është i papranueshëm.
Pjesëmarrja e shoqërisë civile në seancat dëgjimore parlamentare, puna e medias për llogaridhënien dhe mobilizimi paqësor qytetar nuk janë kërcënime për demokracinë. Janë elementë thelbësorë të saj.
Nënshkruesit
Partnerët e Media Freedom Rapid Response:
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)
Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT)
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)
Reporterët pa Kufij (RSF)
Rrjeti SafeJournalists
Shoqata Kroate e Gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë-Hercegovinës
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi
Organizata Mediatike e Evropës Juglindore (SEEMO)
Nisma Ballkanike për Media të Lira (BFMI)
Rrjeti Reporting Diversity