SafeJournalists Network bën thirrje për kushte të sigurta raportimi për gazetarët që mbulojnë protestat në Tiranë

SafeJournalists Network bën thirrje për kushte të sigurta raportimi për gazetarët që mbulojnë protestat në Tiranë
photo: canva

SafeJournalists Network në Shqipëri shpreh shqetësim për incidentet që kanë prekur gazetarë dhe punonjës të medias gjatë protestave të mbajtura në Tiranë më 2 korrik 2026.

Tubimet publike janë çështje me interes të qartë publik. Gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirisht dhe në mënyrë të sigurt mbi kërkesat e qytetarëve, reagimet institucionale, sjelljen e policisë dhe zhvillimet në terren. Ushtrimi i së drejtës për tubim paqësor duhet të shkojë paralelisht me respektimin e lirisë së shprehjes, lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.

Sipas raportimeve publike dhe pamjeve video, gazetari i SYRI TV, Fatjon Gjinaj, raportohet se u godit gjatë një ndërhyrjeje të policisë, ndërsa po mbulonte protestën pranë Kuvendit të Shqipërisë. Pretendimet që lidhen me sjelljen e policisë kërkojnë shqyrtim të menjëhershëm dhe serioz, pasi Policia e Shtetit ka detyrimin e drejtpërdrejtë të mbrojë gazetarët, të lehtësojë punën e tyre dhe të sigurojë që çdo ndërhyrje gjatë tubimeve publike të jetë në përputhje me parimet e ligjshmërisë, nevojshmërisë dhe proporcionalitetit.

Në një incident të veçantë më vonë gjatë së njëjtës ditë, gazetarja e Top News, Kleida Muka, dhe operatori që e shoqëronte u penguan seriozisht dhe u sulmuan nga disa individë, ndërsa raportonin drejtpërdrejt nga protesta pranë Kryeministrisë. Sipas raportimeve të publikuara dhe pamjeve video, ekipi mediatik u përball me fyerje, shtyrje dhe thirrje për t’u larguar nga zona e raportimit, ndërsa po ushtronte detyrën e tij profesionale.

Këto raste vijnë në një kontekst më të gjerë shqetësimesh të ngritura në Shqipëri lidhur me sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias që mbulojnë protestat e vazhdueshme qytetare, të cilat nisën në fund të majit 2026 rreth kundërshtimit publik ndaj punimeve përgatitore në zonën e mbrojtur bregdetare të Vjosa-Nartës/Zvërnecit dhe më pas u zgjeruan në kërkesa më të gjera kundër establishmentit politik, përfshirë thirrjet për dorëheqjen e Kryeministrit. Shqetësimet e raportuara përfshijnë pengimin e raportimit, agresionin verbal, ndërhyrjet ndaj kamerave dhe mikrofonëve, si dhe presionin ndaj gazetarëve, operatorëve, fotoreporterëve dhe stafit teknik të identifikueshëm në terren. Kritika ndaj performancës së medias është legjitime në një shoqëri demokratike, por ajo nuk duhet të kthehet në armiqësi, pengim apo presion ndaj punonjësve të medias që po kryejnë detyrën e tyre profesionale.

SafeJournalists Network rikujton se gazetarët dhe punonjësit e medias nuk janë palë në protestë. Roli i tyre është të raportojnë mbi çështje me interes publik dhe të dokumentojnë zhvillimet në hapësirën publike. Çdo sulm, frikësim, pengim apo presion ndaj gazetarëve cenon lirinë e medias dhe kufizon të drejtën e publikut për të marrë informacion.

SafeJournalists Network u bën thirrje autoriteteve kompetente të verifikojnë menjëherë të gjitha incidentet e raportuara që kanë prekur gazetarët, me vëmendje të veçantë ndaj pretendimeve që lidhen me sjelljen e policisë, dhe të garantojnë llogaridhënie aty ku konfirmohen shkelje. Rrjeti gjithashtu u bën thirrje të gjithë individëve të pranishëm në tubime publike të respektojnë punën e gazetarëve dhe të shmangin çdo formë pengimi, frikësimi apo sulmi ndaj ekipeve mediatike.

Gazetarët duhet të jenë në gjendje të mbulojnë protestat në mënyrë të sigurt, pavarësisht medias që përfaqësojnë apo mënyrës se si ajo media perceptohet nga pjesë të publikut.

SafeJournalists Network do të vijojë të monitorojë situatën dhe të regjistrojë rastet e verifikuara në databazën e tij.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 3 korrik 2026

Shoqata Kroate e Gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata BH Gazetarët
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi