Rrjeti SafeJournalists dhe organizatat partnere të MFRR-së dërgojnë Letër të Hapur Shqetësimi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës

Rrjeti SafeJournalists dhe organizatat partnere të MFRR-së dërgojnë Letër të Hapur Shqetësimi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës

Letër e Hapur Shqetësimi drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës

Lenda: Mosakreditimi i mediave në gjuhën serbe dhe mediave të tjera për zgjedhjet e 12 tetorit

10.10.2025

Rrjeti SafeJournalists dhe organizatat partnere të Media Freedom Rapid Response (MFRR) shprehin shqetësim të thellë për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës (KQZ) për të refuzuar kërkesat për akreditim nga mediat në gjuhën serbe, si edhe nga disa media në gjuhën shqipe dhe ndërkombëtare, për monitorimin dhe raportimin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Sipas informacionit nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), dhjetëra media në gjuhën serbe, të regjistruara dhe që operojnë në Kosovë, u refuzuan për akreditim në bllok gjatë një seance të KQZ-së. Përveç kësaj, disa media në gjuhën shqipe u refuzuan gjithashtu, thuhet se pa një arsyetim të qartë.

Sipas njërit prej vendimeve të analizuara nga Rrjeti SafeJournalists, në dokument theksohet qartë se dokumentacioni është në rregull dhe se media përkatëse i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara. Megjithatë, disa anëtarë të KQZ-së votuan kundër akreditimit, duke shprehur dyshime mbi “autenticitetin e medias” dhe “origjinën e dokumenteve”. Shprehjet “autenticiteti i medias” dhe “origjina e dokumenteve” nuk kanë asnjë kuptim ligjor.

Ky vendim ngre shqetësime serioze për diskriminim politik dhe etnik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese të Kosovës, regjimin e saj zyrtar të gjuhëve (shqip dhe serbisht), si dhe me standardet ndërkombëtare mbi lirinë e shprehjes, lirinë e medias dhe të drejtën e të gjithë qytetarëve, pavarësisht gjuhës apo etnisë, për të marrë informacion të saktë, të paanshëm dhe në kohë në gjuhën e tyre zyrtare. Mediat në gjuhën serbe janë të regjistruara ligjërisht (si biznese apo OJQ) sipas ligjeve të Kosovës; pengimi i punës së tyre cenon si lirinë e medias, ashtu edhe transparencën dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor.

Raportimi mediatik i lirë, i drejtë dhe gjithëpërfshirës është thelbësor për legjitimitetin e zgjedhjeve dhe për besimin e publikut në institucionet demokratike. Përjashtimi i mediave mbi baza gjuhësore apo për arsye të tjera të pajustifikuara dëmton pluralizmin dhe dobëson aftësinë e publikut për të marrë vendime të informuara.

Kërkojmë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të ofrojë një shpjegim të detajuar në lidhje me këtë proces vendimmarrjeje. Për më tepër, i bëjmë thirrje anëtarëve të tij të përmbahen nga përdorimi i autoritetit të tyre për të censuruar mediat apo për të ndërmarrë veprime që cenojnë lirinë e medias në Kosovë.

Sigurimi i transparencës dhe respektimi i parimeve të gazetarisë së lirë dhe të pavarur janë thelbësore për një shoqëri demokratike, veçanërisht gjatë zgjedhjeve, kur qasja në informacion është jetike.

Shpresojmë gjithashtu që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ta trajtojë këtë çështje me urgjencë dhe të sigurojë që mediat të jenë në gjendje të marrin pjesë plotësisht në mbulimin e procesit zgjedhor.

Rrjeti SafeJournalists dhe MFRR do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet dhe, nëse këto masa kufizuese mbeten në fuqi, do t’i raportojnë ato tek BE, OSBE, Këshilli i Europës dhe Kombet e Bashkuara.

Ne mbetemi të hapur për dialog dhe të gatshëm të ofrojmë çdo informacion shtesë.

Me respekt,

Rrjeti SafeJournalists

Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Media Freedom Rapid Response (MFRR)

Free Press Unlimited
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)
Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)
Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT)
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias (ECPMF)

Gjeni letren ketu.