Rrjeti SafeJournalists më 8 Mars: Gazetaret e sigurta dhe raportimi i përgjegjshëm gjinor janë parakusht për media të lira

Burimi: SJ
Rrjeti SafeJournalists më 8 Mars: Gazetaret e sigurta dhe raportimi i përgjegjshëm gjinor janë parakusht për media të lira
photo: canva

Me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Rrjeti SafeJournalists njofton  se gazetaret në vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të përballen me kërcënime, presione dhe ngacmime me bazë gjinore, veçanërisht në hapësirën digjitale, ndërsa institucionet shpesh dështojnë të reagojnë në mënyrë të shpejtë dhe efektive.

Midis vitit 2021 dhe fundit të vitit 2024, SafeJournalists Network ka regjistruar 196 incidente të kryera ekskluzivisht ndaj gazetareve, ndërsa vetëm gjatë vitit 2025 janë dokumentuar tashmë 121 raste. Këto shifra tregojnë një rritje shqetësuese të rasteve dhe nënvizojnë nevojën urgjente për masa më të forta mbrojtëse, veçanërisht në rastet e ngacmimeve online, kërcënimeve dhe fushatave të koordinuara të targetimit ndaj gazetareve.

Gazetaret dhe kushtet e punës: kërcënime, presion dhe reagime të ngadalta institucionale

Dhuna digjitale është bërë forma më e përhapur e sulmeve, duke përfshirë fushata të koordinuara shpifjeje, gjuhë urrejtjeje me bazë gjinore dhe kërcënime të seksualizuara, përfshirë kërcënime për përdhunim dhe vdekje, të cilat shpesh drejtohen edhe ndaj anëtarëve të familjes. Pavarësisht gjurmëve digjitale që lënë këto sulme, reagimet institucionale shpesh janë të ngadalta ose mungojnë, gjë që dekurajon raportimin e rasteve dhe kontribuon në normalizimin e dhunës online.

Gratë përbëjnë shumicën e forcës punëtore në gazetari në vendet e SafeJournalists Network, megjithatë ato vazhdojnë të përballen me hendekun gjinor në paga, përparim më të ngadaltë në karrierë dhe nënvlerësim brenda hierarkive redaksionale. Këtyre u shtohen edhe nivelet e larta të kontratave informale dhe mungesa e mbrojtjes sociale. Një mjedis i tillë rrit cenueshmërinë, nxit vetëcensurën dhe ngushton hapësirën për integritet profesional në gazetari.

Gratë në media: stereotipe dhe mungesë e dukshmërisë

Përtej sfidave që lidhen me sigurinë dhe kushtet e punës, vazhdon të ekzistojë një problem i qëndrueshëm lidhur me mënyrën se si gratë përfaqësohen në media. Global Media Monitoring Project (GMMP), i cili prej tridhjetë vitesh mat të njëjtët indikatorë të përfaqësimit gjinor në lajme, tregon se digjitalizimi nuk ka sjellë një shkëputje domethënëse nga stereotipet.

Gratë vazhdojnë të jenë të nën-përfaqësuara në “hard news”, ndërsa shpesh paraqiten përmes narrativave të viktimizimit ose roleve tradicionale. Në të njëjtën kohë, dhuna me bazë gjinore mbetet e raportuar në mënyrë të pamjaftueshme, krahasuar me përmasat reale të këtij fenomeni në shoqëri.

Deklarata për sigurinë e gazetareve: një përgjigje rajonale

Duke njohur përmasat e problemit, Rrjeti SafeJournalists nisi nënshkrimin e Deklaratës për Përmirësimin e Sigurisë së Gazetareve në Ballkanin Perëndimor gjatë një konference rajonale të mbajtur në Beograd në shtator 2025. Deri më tani, Deklarata është nënshkruar nga gati 400 aktorë nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, duke treguar një gatishmëri të gjerë të komunitetit mediatik dhe partnerëve përkatës për ta adresuar këtë çështje në mënyrë sistematike.

Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje institucioneve, mediave dhe shoqatave profesionale të sigurojnë veprime efektive në rastet e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës digjitale, që redaksitë të vendosin mekanizma të qartë të brendshëm mbrojtjeje dhe mbështetjeje, si dhe që mediat të garantojnë raportim të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm gjinor, pa stereotipe.

Siguria e gazetareve dhe qasja e barabartë e grave në lajme nuk janë një “agjendë e specializuar”, por një themel i gazetarisë profesionale dhe i lirisë së medias.