SafeJournalists dhe EFJ dërgojnë një Letër Shqetësimi për Shkeljet e të Drejtave të Punës në Ora Sh.a – Shqipëri

Burimi: SJ

SafeJournalists and EFJ Sent a Letter of Concern Regarding Labor Rights Violations at Ora Sh.a. in Albania

Rrjeti SafeJournalists (SJN) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) shprehën shqetësimin e tyre të thellë lidhur me akuzat serioze për shkelje të të drejtave të punës që prekin gazetarët dhe punonjësit e medias në Ora Sh.a. Në letrën e shqetësimit të dërguar sot përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Financave, Inspektoratit Shtetëror të Punës, AMA-s, Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (APSK) dhe Avokatit të Popullit, theksohet se ky transmetues ndodhet nën administrim shtetëror në Shqipëri që prej shtatorit 2023.

Më 19 qershor 2025, dhjetë ish-punonjës të Ora Sh.a. paraqitën një ankesë zyrtare pranë institucioneve shtetërore shqiptare, ku përshkruajnë shkelje sistematike të ligjit dhe praktikave të punësimit. Këto akuza përfshijnë:

  • Pushime kolektive të paligjshme që kanë prekur rreth 80 punonjës të medias gjatë viteve 2024 dhe 2025, pa ndjekur procedurat ligjore të nevojshme.
  • Dorëheqje të detyruara dhe ndërprerje të menjëhershme të marrëdhënieve të punës pa njoftimin përkatës ligjor.
  • Heqje të pajustifikuara nga regjistrat zyrtarë të punësimit, duke u mohuar punonjësve të drejtën për të ushtruar të drejtat e tyre ligjore.
  • Mospagim sistematik nga ana e Ora Sh.a. i kontributeve të detyrueshme për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për periudhën 2022–2025, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me legjislacionin shqiptar, në veçanti ligjin nr. 7703/1993 dhe ligjin nr. 10383/2011.
  • Shqetësime në lidhje me përjashtimin e mundshëm të ish-punonjësve nga procedurat e vijueshme të falimentimit të Ora Sh.a., çka mund të rrezikojë të drejtat e tyre ligjore për kompensim dhe procedurë të rregullt ligjore.

Në letër, ne u bëmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të:

  • Hetojnë menjëherë pretendimet e ngritura nga ish-punonjësit e Ora Sh.a.;
  • Sigurojnë zbatimin e plotë të legjislacionit kombëtar të punës nga Ora Sh.a. dhe administrata e saj, përfshirë pagesat në kohë të kontributeve të detyrueshme për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore;
  • Garantojnë transparencë në procedurat në vijim të falimentimit, duke siguruar mbrojtjen e të drejtave ligjore dhe financiare të ish-punonjësve;
  • Mbajnë përgjegjës të gjitha palët që kanë shkelur në mënyrë serioze të drejtat e punës.

Mbrojtja e të drejtave të punës për gazetarët dhe punonjësit e medias është thelbësore jo vetëm për të garantuar të drejtat themelore të njeriut, por edhe për të mbrojtur lirinë e medias dhe demokracinë në Shqipëri.

Letrën e shqetësimit mund ta gjeni këtu.

 

Rrjeti SafeJournalists

Në emër të:
Shoqatës së Gazetarëve të Bosnje-Hercegovinës
Sindikatës së Medias së Malit të Zi
Shoqatës së Gazetarëve të Kroacisë
Asociacionit së Gazetarëve të Kosovës
Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)