SafeJournalist: Sulme dhe Presione ndaj Gazetarëve në Rajon gjatë vitit 2025 — Pak Dënime, Shumë Raste në Pritje

Burimi: SJ
SafeJournalist: Sulme dhe Presione ndaj Gazetarëve në Rajon gjatë vitit 2025 — Pak Dënime, Shumë Raste në Pritje
photo: canva

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë për Krimet ndaj Gazetarëve, që shënohet sot, më 2 nëntor, Rrjeti SafeJournalists paralajmëron për një tendencë shqetësuese rajonale: shumë raste të raportuara dhe të paraporuara, pak dënime dhe një numër i madh procedurash në zhvillim. Këto gjetje theksojnë një mesazh kyç, lufta kundër pandëshkueshmërisë është një përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, sistemit të drejtësisë dhe shoqërisë në tërësi.

Mali Zi

Deri më 2 nëntor, në bazën e të dhënave të SafeJournalists janë regjistruar 22 raste. Nga 1 janari deri më 30 qershor, policia ka regjistruar 14 raste. Gjykatat kanë dhënë 4 vendime fajësie, duke e veçuar Malin e Zi për nga numri i procedimeve të përfunduara. Në të njëjtën kohë, 7 raste janë në shqyrtim pranë prokurorisë, 2 në gjykata, ndërsa statusi i 2 rasteve mbetet i panjohur.

Gjithashtu, janë evidentuar 4 raste të ngacmimeve të pajustifikuara gjyqësore ose administrative, përfshirë padi të tipit SLAPP. Për më tepër, në 3 raste gazetarët janë sulmuar verbalish nga zyrtarë të lartë, pa u ndërmarrë asnjë procedurë, sipas të dhënave të disponueshme.

Bosnja dhe Hercegovina

Në bazën e të dhënave të SafeJournalists, gjatë vitit 2025 u regjistruan 30 incidente ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave. Një numër i kufizuar rastesh u raportuan pranë institucioneve kompetente: 9 pranë policisë dhe 6 pranë prokurorisë. Deri më tani janë regjistruar dy vendime gjyqësore: një dënim (ndaj sulmuesit të gazetarëve) dhe një shpallje e pafajshme e një gazetareje. Të paktën tre raste janë ende në fazë hetimore pranë prokurorisë dhe dy të tjera në gjykata, çka tregon për një ritëm të ngadalshëm të procedurave dhe një përqindje të vogël të vendimeve përfundimtare.

Maqedonia e Veriut

Në vitin 2025, në bazën e të dhënave u regjistruan 3 raste, të gjitha të raportuara në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Një rast sulmi ndaj ekipit të TV Alsat përfundoi me dënimin e autorit të sulmit. Dy rastet e tjera janë ende në proces: njëri në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe tjetri në Prokurori.

Kroacia

Në vitin 2025, në bazën e të dhënave të SafeJournalists u regjistruan 24 raste. Dymbëdhjetë prej tyre u raportuan pranë autoriteteve. Sipas Shoqatës Kroate të Gazetarëve, të paktën 3 raste janë ende në shqyrtim pranë prokurorisë dhe 1 në gjykatë, çka tregon për një ritëm të ngadalshëm të procedimeve gjyqësore dhe një numër të kufizuar vendimesh përfundimtare.

Kosova

Nga 1 janari deri më 31 tetor 2025, u regjistruan 63 raste. Për 12 prej tyre ekziston informacion zyrtar nga policia ose prokuroria, nga të cilat 2 kanë përfunduar me dënime, ndërsa 10 janë ende në proces. Pjesa tjetër prej 51 rastesh janë raportuar vetëm pranë Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe nuk janë regjistruar zyrtarisht nga autoritetet kompetente, duke nxjerrë në pah një hendek të thellë midis numrit real të incidenteve dhe reagimit institucional.

Shqipëria

Në total u regjistruan 36 raste. Tetëmbëdhjetë kërcënime dhe sulme të drejtpërdrejta u raportuan në polici, ndërsa 4 raste janë aktualisht në shqyrtim pranë prokurorisë. Për shkak të mospërputhjeve midis të dhënave nga organet e rendit, nuk ka informacion të besueshëm mbi ankesat e pushuara apo vendimet gjyqësore. Aktualisht dihet për 4 raste të hapura në prokurori, ndërsa të dhënat mbi proceset gjyqësore mungojnë.

Serbia

Në bazën e të dhënave të SafeJournalists u regjistruan 238 raste, prej të cilave, sipas të dhënave të disponueshme, 136 janë raportuar në polici dhe prokurori. Shtatë kallëzime penale janë pushuar. Gjykatat kanë dhënë 1 dënim. Aktualisht, 126 raste janë ende në shqyrtim pranë prokurorisë dhe për 2 raste është ngritur aktakuzë. Përveç kësaj, janë regjistruar edhe 33 raste të paraporuara, çka tregon më tej shkallën e pandëshkueshmërisë dhe mungesën e besimit në mbrojtjen institucionale. Për shkak të numrit të madh të rasteve dhe mospërputhjeve midis të dhënave tona dhe atyre të prokurorisë, për disa raste mungojnë informacione të plota.

Gazetarët në Serbi, veçanërisht që nga 1 nëntori i vitit të kaluar dhe pas tragjedisë në Novi Sad janë përballur me sulme të shpeshta. Gjatë 12 muajve të fundit është dokumentuar një numër rekord incidentesh fizike, kryesisht gjatë protestave dhe tubimeve publike. Sulmet kanë ardhur nga mbështetës të qeverisë, ndërsa një numër i konsiderueshëm është kryer nga vetë oficerë policie — institucioni që në fakt duhet t’i mbrojë gazetarët. Një numër gjithnjë e më i madh punonjësish të mediave raportojnë se janë sulmuar nga policia ose se oficerët kanë qëndruar thjesht dëshmitarë pasivë të dhunës ndaj gazetarëve. Në të njëjtën kohë, shumë prej tyre nuk raportojnë incidentet për shkak të mungesës së besimit te institucionet dhe trajtimit të ngadaltë e joefikas të rasteve tashmë të raportuara.

Këto të dhëna tregojnë qartë se pandëshkueshmëria mbetet një problem sistemik. Ne u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të sigurojnë hetime më të shpejta, ndjekje efektive penale dhe dënime të qëndrueshme, si dhe mekanizma mbrojtës që garantojnë sigurinë e gazetarëve dhe qasjen e tyre në drejtësi.

Në disa vende të Ballkanit Perëndimor, statistikat mbi sulmet ndaj gazetarëve dhe pandëshkueshmërinë që pason janë alarmante. Nuk duhet të presim që numri i sulmeve të vazhdojë të rritet dhe autorët të mbeten të pandëshkuar. Nevojiten hapa vendimtarë dhe konkretë, me urgjencë, për të krijuar një mjedis të sigurt dhe një kuadër ligjor të drejtë për gazetarët dhe lirinë e medias në rajon.

Pandëshkueshmëria për sulmet ndaj gazetarëve jo vetëm që rrezikon jetën e tyre, por edhe minon vlerat themelore të demokracisë, lirinë e shprehjes dhe qasjen në informacion. Pa mbrojtje të duhur, gazetarët kthehen në objektiva, ndërsa qytetarët privohet nga informacioni i saktë dhe në kohë.

Ne u bëjmë thirrje organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare të vazhdojnë të mbështesin forcimin e sundimit të ligjit dhe lirisë së medias në rajon, si dhe të ushtrojnë presion shtesë mbi autoritetet për të ndërmarrë hapa konkretë në luftën kundër pandëshkueshmërisë. Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë këtë përpjekje për të siguruar një mjedis të sigurt për gazetarët dhe për të qëndruar në mbrojtje të lirisë së medias, e cila përbën themelin e një shoqërie demokratike.