Treguesit për Nivelin e Lirisë së Medias dhe Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve 2025 tregojnë se rezultati i përgjithshëm për Shqipërinë nuk ka ndryshuar në mënyrë të qenësishme, duke kaluar nga 2.90 në vitin 2024 në 2.98 në vitin 2025. Ky përmirësim i lehtë numerik nuk dëshmon për progres të qëndrueshëm apo të konsoliduar, por pasqyron një situatë të përzier, ku disa zhvillime institucionale pozitive bashkëjetojnë me sfida strukturore të vazhdueshme. Mjedisi ligjor dhe organizativ mbeti i brishtë: shpifja penale ishte ende në fuqi në fund të periudhës raportuese, garancitë anti-SLAPP nuk ishin miratuar ende, gazetarët vijuan të ekspozohen ndaj proceseve të gjata gjyqësore dhe presionit financiar, ndërsa kushtet e punës mbetën fusha më problematike e Indeksit, të karakterizuara nga informaliteti, pagesat e parregullta, mungesa e kontratave të qëndrueshme dhe mbrojtja e kufizuar sindikale.
Përparim u shënua në disa fusha të veçanta institucionale dhe procedurale. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2025 forcoi mbrojtjen e burimeve gazetareske si garanci kushtetuese, ndërsa miratimi i udhëzuesit të Policisë së Shtetit për sigurinë e gazetarëve, funksionimi i pikave të kontaktit për sigurinë e gazetarëve, ngritja e një sektori të dedikuar për hetimin e krimit kibernetik dhe përmirësimi i mbledhjes së të dhënave nga institucionet përbëjnë zhvillime pozitive. Megjithatë, këto përmirësime mbetën kryesisht formale ose të pjesshme. Ato ende nuk janë përkthyer në mbrojtje të qëndrueshme në praktikë, ndjekje sistematike të rasteve, transparencë proaktive apo mekanizma efektivë për gazetarët që përballen me kërcënime, ngacmime online, sulme me bazë gjinore apo rrezik të menjëhershëm fizik.
Situata faktike e sigurisë mbeti shqetësuese, veçanërisht për shkak se sulmet, pengesat dhe presionet ndaj gazetarëve vijuan gjatë periudhave politikisht të ndjeshme, përfshirë kontekstin e zgjedhjeve parlamentare. Ngacmimet online, fushatat denigruese, sulmet kibernetike ndaj mediave të pavarura, retorika armiqësore nga aktorë politikë, si dhe sulmet ndaj mediave dhe shoqatave të gazetarëve tregojnë se presioni ndaj gazetarisë po bëhet gjithnjë e më i larmishëm dhe i shtresëzuar. Në tërësi, Indeksi 2025 tregon se përmirësimi i lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve në Shqipëri varet më pak nga ekzistenca e masave të reja formale dhe më shumë nga zbatimi efektiv i tyre, llogaridhënia për sulmet dhe kërcënimet, forcimi i mbrojtjes së punës dhe angazhimi i qartë institucional për të dënuar dhe parandaluar presionin ndaj gazetarëve dhe aktorëve mediatikë.