Siguria e gazetareve gra në Shqipëri mbetet një çështje kritike që ndikon drejtpërdrejt te gratë në media, me implikime të qarta për lirinë e medias, barazinë gjinore dhe integritetin demokratik. Format e vazhdueshme, ndonëse shpesh të nënvlerësuara, të presionit, frikësimit dhe kërcënimeve, veçanërisht ngacmimet digjitale, sulmet verbale, fushatat shpifëse dhe kushtet e pasigurta të punës, kufizojnë ndjeshëm lirinë gazetareske të grave, avancimin profesional dhe pjesëmarrjen e tyre në sferën publike. Edhe pse kërcënimet fizike dhe rreziqet e qarta për jetën janë relativisht të rralla, klima dominuese e frikësimit ndikon ndjeshëm në jetën e tyre profesionale dhe personale.
Vulnerabilitetet ndërsektoriale, si pasiguria ekonomike, margjinalizimi gjeografik dhe mbështetja e pamjaftueshme organizative, intensifikojnë rreziqet për gazetaret gra, sidomos për ato që punojnë si freelance, në media më të vogla apo të pavarura, si dhe për ato që mbulojnë tema me rrezik të lartë. Pavarësisht përmirësimeve institucionale të kohëve të fundit, boshllëqe të konsiderueshme mbeten ende, veçanërisht në reagimin e institucioneve ligjzbatuese ndaj kërcënimeve online, kapacitetin gjyqësor, zbatimin e të drejtave të punës dhe ofrimin e mbështetjes efektive nga organizatat mediatike dhe shoqatat e gazetarëve.
Për të adresuar këto çështje kritike, raporti parashtron rekomandime të synuara për autoritetet publike, organizatat mediatike, shoqatat dhe sindikatat e gazetarëve, si dhe organizatat e shoqërisë civile. Këto rekomandime përfshijnë reforma ligjore për të forcuar mbrojtjen ndaj dhunës dhe procedimeve ligjore abuzive, forcimin e reagimit dhe kapaciteteve institucionale, zbatimin e politikave të qarta editoriale dhe kundër ngacmimeve, si dhe përmirësimin e mekanizmave mbështetës për gazetaret gra. Ky raport thekson urgjencën e një reagimi sistematik dhe të koordinuar për të mbrojtur të drejtat dhe integritetin profesional të gazetareve gra në Shqipëri.
I publikuar nga rrjeti SafeJournalists Network, ky raport i hartuar nga Blerjana Bino ofron një analizë të plotë të sigurisë dhe sfidave profesionale me të cilat përballen gazetaret gra në Shqipëri gjatë periudhës 2021-2024. Studimi bazohet në kërkim cilësor, përfshirë intervista të thelluara, grupe fokusimi dhe analiza të kërcënimeve dhe sulmeve të dokumentuara kundër gazetareve gra bazuar në metodologjinë e vendosur nga SJN. Raporti ofron një analizë të fokusuar të incidenteve, tendencave dhe ndikimeve, si dhe propozon rekomandime të bazuara në evidenca për të forcuar kuadrin mbrojtës dhe praktikat, duke garantuar mjedise më të sigurta profesionale për gazetaret gra dhe punonjëset e medias.
Kjo publikim u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përveç të dhënave, burimeve dhe ekspertizës së siguruar nga SafeJournalists Network, kontribute të mëtejshme në këtë raport u dhanë përmes punës në terren nga SCiDEV, në kuadër të projektit “Forcimi i Lirisë së Medias, Profesionalizmit dhe Sigurisë së Gazetarëve në Shqipëri”, duke siguruar sinergji dhe koordinim.
Lexoni raportin e plotë në anglisht.
Lexoni raportin e plotë në shqip.