
Rrjeti SafeJournalists dënon fuqimisht kërcënimin dhe pengimin me të cilin u përballën gazetarët në të gjithë Shqipërinë më 11 maj 2025, gjatë zgjedhjeve parlamentare të vendit.
Në Tiranë, gazetarja e Syri TV Ambrozia Meta u përball me sulme verbale dhe konfrontim fizik nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ndërsa raportonte nga një zyrë e paidentifikuar që dyshohet se përdorej nga punonjës patronazhistë të PS. Ndërsa ekipi i Syri TV afrohej, individët brenda u përpoqën të largoheshin duke mbuluar fytyrat. Deputeti Braçe mbërriti pak më pas, duke ofenduar gazetarët dhe duke bërë kontakt fizik me Metën gjatë përplasjes. Kur u pyet për praninë e tij, ai reagoi me agresivitet, duke i urdhëruar gazetarët të largoheshin dhe duke përdorur një gjuhë denigruese.
Në Pogradec, korrespondentja e MCN TV Elsa Xhindole u përball me dhunë fizike në qendrën e votimit nr. 39/01. Një person i paidentifikuar i mori me forcë telefonin celular dhe fshiu materialet dhe videot që lidhen me zgjedhjet. Xhindole raportoi se telefoni iu mor dy herë me forcë, duke çuar në humbjen e plotë të regjistrimeve. Rasti u referua pranë autoriteteve.
Në Sarandë, gazetari i EuroNews Albania Enriko Gaba u urdhërua nga zyrtarët zgjedhorë në qendrën e votimit “Adem Sheme” që të mos filmonte më shumë se 15 minuta – një kufizim arbitrar që cenon të drejtën e medias për të vëzhguar dhe raportuar mbi procesin zgjedhor.
Një situatë e ngjashme u shënua në Durrës, në Qendrën e Votimit 1486, ku anëtarët e Komisionit të Qendrës së Votimit nuk lejuan vëzhguesit e akredituar të medias të kryenin raportime mediatike mbi procesin e votimit.
Në Gjirokastër, gazetari Armando Rabi u kërcënua gjatë kryerjes së detyrës. Një 26-vjeçar nga një fshat i zonës dyshohet se e ka kanosur Rabiun, me pretendimin se po e filmonte pa lejen e tij. Policia e Gjirokastrës ka nisur procedim penal, duke ia referuar çështjen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Këto raste tregojnë një model shqetësues të pengesave dhe intimidimit ndaj gazetarëve që kryejnë detyrën publike në një moment kyç për demokracinë, siç janë zgjedhjet. Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të hetojnë me transparencë dhe pa vonesë këto raste dhe të sigurojnë ndëshkimin ligjor për të gjithë përgjegjësit. Politikanët, zyrtarët publikë dhe qytetarët duhet të respektojnë rolin themelor të medias në ruajtjen e integritetit zgjedhor dhe llogaridhënies publike.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë mbi këto zhvillime shqetësuese dhe do të vijojë monitorimin nga afër të situatës.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – 12 maj 2025
Shoqata e Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnje-Hercegovinës
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Medias e Malit të Zi