SafeJournalists dhe MFRR: Të ndalen fushatat shpifëse kundër mediave të pavarura dhe organizatave të shoqërisë civile

    0
    11

    Rrjeti SafeJournalists dhe organizatat e Media Freedom Rapid Response (MFRR) dënojnë fuqishëm sulmet ndaj Këshillit Shqiptar të Medias (KSHM) dhe organizatës hulumtuese Shkenca dhe Inovacioni për Zhvillim (SCiDEV) që ka publikuar një raport vjetor lidhur me lirinë e medias në Shqipëri, si dhe lidhur me hulumtuesen Blerjana Bino.

    Në fillim të tetorit 2024, Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM) u bë cak i fushatave të koordinuara shpifëse nga dy platforma online, Sot.com.al dhe Prapaskena.com
    Këto incidente shënojnë një trend shqetësues të armiqësisë ndaj mediave të pavarura dhe organizatave të shoqërisë civile, duke ngritur shqetësimet mes grupeve mbikëqyrëse dhe përkrahësve të lirisë së medias.

    Më 6 tetor, Prapaskena.com përshkallëzoi me sulmet që për cak kishin Blerjana Binon, hulumtuese e SafeJournalists dhe drejtoreshë ekzekutive e SCiDEV, si dhe organizatat e pavarura hulumtuese, SCiDEV dhe OBCT. Sulmi u bë në reagim ndaj publikimit të tyre të një raporti përmbledhës lidhur me lirinë e medias në Shqipëri. Raporti i publikuar më 25 korrik u fokusua në sektorin e tretë të Raportit të Komisionit për Sundimin e Ligjit të vitit 2024, kushtuar lirisë së medias dhe pluralizmit, për të ofruar një analizë të përditësuar lidhur me ambientin mediatik shqiptar, përfshirë sfidat e mbetura si dhe ato në zhvillim.

    Prapaskena.com ka shpifur për Binon, duke e cilësuar atë si “merimangë” të fondeve të shoqërisë civile dhe duke e akuzuar rrejshëm për prodhimin e raporteve të njëanshme për sulmet ndaj gazetarëve. Fotografia e Binos e përdorur për të ilustruar artikullin shpifës, rrezikoi gjithashtu sigurinë e Binos, duke nxitur urrejtje ndaj saj. Këto sulme shpifëse minojnë besueshmërinë e zërave dhe organizatave të pavarura që punojnë për të mbrojtur lirinë e medias dhe për të mbështetur gazetarinë etike në Shqipëri.

    Sulmi fillestar, i nisur nga Sot.com.al, pasoi një vendim të Bordit të Etikës të KSHM-së lidhur me një ankesë të depozituar kundër medias Sot.com.al. Në atë që dukej si një veprim hakmarrës, Sot.com.al e cilësoi vendimin e KSHM-së si shkelje të lirisë së shtypit, duke e portretizuar mbikëqyrjen e Bordit si shtypës dhe të padrejtë. Kjo përgjigje jo vetëm që shtrembëron rolin e KSHM-së në promovimin e gazetarisë etike, por kërcënon gjithashtu integritetin e kuadrit vetërregullues të krijuar për të mbështetur standardet e medias. KSHM-ja e dënoi ashpër artikullin të cilin e cilësoi si shpifës, duke nënvizuar një tendencë shqetësuese të hakmarrjes mediatike ndaj organeve rregullatore, në vend që të angazhohej në mënyrë konstruktive me standardet etike në gazetari.

    Njëkohësisht, Prapaskena.com nisi sulmin e saj, pak kohë pasi KSHM-ja doli me një deklaratë publike nëpërmjet të cilës kundërshtonte mbylljen e platformave online në Shqipëri. Duke i bërë jehonë retorikës së Sot.com.al, Prapaskena.com përdori gjuhë të ngjashme nxitëse për të diskredituar qëndrimin e KSHM-së, duke përshkallëzuar më tej fushatën kundër mbikëqyrjes së pavarur dhe gazetarisë etike në vend.

    Këto sulme të koordinuara, të cilat synojnë të diskreditojnë gazetarinë etike dhe të minojnë punën e organizatave dhe studiuesve të pavarur në mbrojtjen e lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve në Shqipëri, janë thellësisht shqetësuese dhe përfaqësojnë një prirje më të gjerë të frikësimit dhe armiqësisë ndaj shoqërisë së pavarur civile në Shqipëri. Taktika të tilla dëmtojnë jo vetëm individët dhe organizatat e përfshira, por edhe parimet thelbësore të lirisë së shtypit, transparencës dhe llogaridhënies që janë themelore për një shoqëri demokratike.

    Rrjeti SafeJournalists dhe Media Freedom Rapid Response (MFRR) bëjnë thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të këtyre sulmeve dhe apelojnë te të gjitha palët e interesuara që të respektojnë rolin e organeve të pavarura vetërregulluese, grupeve të mendimit dhe studiuesve në promovimin e lirisë dhe integritetit të medias, standardeve etike dhe transparencës në sektorin e medias. Për të forcuar më tej një mjedis që mundëson lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve, ne mirëpresim dhe mbështesim shqyrtimin shkencor, dhe dialogun e hapur dhe të bazuar në prova, për çështjet që lidhen me lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve.

    Ne solidarizohemi me KSHM-në, SCiDEV-in dhe Blerjana Binon dhe u bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të sigurojnë që media e pavarur dhe organizatat e shoqërisë civile të mund të kryejnë punën e tyre jetike, pa frikë nga hakmarrja apo shpifja.

    Për më tepër, Rrjeti i SafeJournalists dhe MFRR mbrojnë fuqishëm kolegen e tyre Blerjana Bino dhe riafirmojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për punën e saj kritike, profesionale dhe etike në avancimin e lirisë dhe transparencës së medias në Shqipëri.

    Rrjeti SafeJournalists

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Gazetarëve të Bosnje e Hercegovinës

    Asocicacioni i Gazetarëve të Kroacisë

    Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

    Sindikata e Mediave e Malit të Zi

    Media Freedom Rapid Response

    Federata Evropiane e Gazetarëve

    The European Federation of Journalists (EFJ)

    OBC Transeuropa (OBCT)

    Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)