Safejournalists – Index – Prishtina – KO

Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve në Ballkanin

Perëndimor Raport Narrativ Kosova 2020

 

Mjedisi ligjor dhe organizativ


Treguesi 1.1 – Dispozitat ligjore lidhur me shpifjen dhe zbatimi i tyre nuk prodhojnë efekte dekurajuese tek gazetarët dhe mediat

Vlerësimi (3.50) – Korniza ligjore e mediave në Kosovë është shumë e mirë, megjithatë në Kosovë mungon zbatimi i ligjeve. Dispozitat ligjore në lidhje me shpifjen nuk parashikojnë sanksione, ligji parashikon detyrimin për kompensim të dëmit të shkaktuar nga të pandehurit përmes shpifjes dhe fyerjes. Autoriteteve publike u ndalohet të paraqesin kërkesë për kompensim për dëmin e shkaktuar nga shpifja ose fyerja. Megjithatë, zyrtarët shtetërorë kanë të drejtë të paraqesin padi civile, por nuk ka raste të raportuara gjatë periudhës raportuese. Rastet gjyqësore mund të jenë në një mënyrë apo tjetër të motivuara politikisht sipas disa ekspertëve të medias, megjithatë, asnjë rast nuk është regjistruar gjatë vitit 2020. Një problem që ndikon seriozisht në situatën për sa i përket këtij treguesi është fakti se gjykatat nuk kanë të dhëna për numrin e padive për shpifje në drejtim të gazetarëve, dhe Asociacioni i Gazetarëve nuk ka kapacitet për t’i mbledhur këto të dhëna dhe për të vlerësuar ndikimin negativ që procedurat e shpifjes kanë mbi gazetarët.

Ligji mbi aspektet kundër shpifjes dhe fyerjes përcakton përgjegjësinë civile ndaj qytetarëve apo gazetarëve kur ka padi për shpifje apo fyerje.  Korniza ligjore në Kosovë e ka të dekriminalizuar fyerjen dhe ofendimin. Respektivisht, gazetarët nuk mund të jenë subjekt i hetimit penal për shkrimet, raportimet apo opinionet e shprehura.  Ligji mbi aspektet civile kundër shpifjes dhe fyerjes është përcaktuar të zbatohet dhe interpretohet në pajtim me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut si garancë për promovimin e lirisë së shprehjes dhe mendimit.  Sidoqoftë, mungesa e njohurive dhe ekspertizës nga ana e gjykatësve për të zbatuar praktikën e GJEDNJ-së përbënë pengesë për promovimin e të drejtave të gazetarëve dhe medias në Kosovë.

Ligji kundër shpifjes dhe fyerjes nuk parashikon sanksione, por ligji parashikon detyrim për kompensimin e dëmit të shkaktuar nga të pandehurit përmes shpifjes dhe fyerjes. Kompensimi i përcaktuar nga gjykata duhet të jetë proporcional me dëmin e shkaktuar dhe do të përcaktohet vetëm me qëllim të korrigjimit të dëmit të shkaktuar ndaj reputacionit të personit në fjalë, ose për të kompensuar çdo humbje të mundshme financiare ose dëm material të mundshëm.

Autoriteteve publike u ndalohet të paraqesin kërkesë për kompensim për dëmin e shkaktuar nga shpifja ose fyerja. Zyrtarët publikë mund të paraqesin dëmshpërblim për shpifje ose fyerje vetëm privatisht dhe ekskluzivisht në cilësinë e tyre personale.

Sidoqoftë, zyrtarët shtetërorë kanë të drejtë të paraqesin padi civile, por nuk ka raste të raportuara gjatë periudhës raportuese. Rastet gjyqësore mund të jenë të motivuara politikisht sipas disa ekspertëve të medias, megjithatë, asnjë rast nuk është regjistruar gjatë vitit 2020. Sipas përgjigjeve të gazetarëve në grupet e fokusit, si dhe në një anketë të kryer nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ligji për shpifjen nuk konsiderohet dekurajues. Gazetarët hulumtues janë të lirë të hetojnë dhe të shkruajnë në mënyrë kritike. Për më tepër, gazetarët nuk vetcensurohen për shkak të ligjeve në fuqi.

Treguesi 1.2 – Konfidencialiteti i burimeve të gazetarëve garantohet me legjislacion dhe respektohet nga autoritetet

Vlerësimi (4.87) – Ligjet ofrojnë mbrojtje të mirë për burimet e gazetarëve. Gazetarët ndjehen të lirë të kontaktojnë burimet e informacionit. Ligji për shpifjen nuk konsiderohet dekurajues nga gazetarët. Gazetarët hulumtues ndjehen të lirë të hetojnë dhe të shkruajnë në mënyrë kritike. Për më tepër, gazetarët nuk vetëcensurohen për shkak të ligjeve në fuqi.

Legjislacioni në Kosovë garanton mbrojtjen e burimeve anonime të gazetarëve dhe profesionistëve të tjerë të medias. Gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medias detyrohen të zbulojnë identitetin e burimit të informacionit, vetëm me kërkesë të gjykatës kompetente dhe vetëm në rastet kur zbulimi i burimit është i nevojshëm për të parandaluar një kërcënim serioz të integritetit fizik me pasojë vdekjen e një ose më shumë personave. Në Kosovë, është në fuqi Ligji për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve, i cili ka ndërtuar standardin dhe sigurinë për gazetarët, duke kufizuar obligimin për të zbuluar burimet anonime, vetëm sipas vendimit të gjykatës. Ky ligj ua ka kufizuar të drejtën Policisë, Prokurorisë apo institucioneve tjera që zbatojnë ligjin në Kosovë, për të kërkuar zbulimin e burimeve anonime të gazetarëve, pa vendim të gjykatës kompetente. Gazetarët nuk e kanë për obligim që t’i përgjigjen ftesës nga Policia apo Prokuroria për të biseduar lidhur me burimet e informacionit. Poashtu, gazetarët nuk kanë asnjë obligim për të dhënë deklarata pranë policisë apo prokurorisë lidhur me shkrimet apo raportimet e publikuara, përveç rasteve kur ka vendim me shkrim të lëshuar nga gjykata kompetente, për t’i parandaluar veprat penale që si pasojë mund ta cenojnë integritetin fizik me pasojë vdekjen e një ose më shumë personave.

Këto garanci në përgjithësi respektohen nga autoritetet dhe gjatë vitit 2020 nuk ka pasur raste kur gazetarëve u është kërkuar t’i zbulojnë burimet e tyre, prandaj edhe nuk ka pasur sanksione. Gazetarja e gazetës Koha Ditore, Saranda Ramaj, më 28 dhjetor 2018, u nxor nga salla e gjyqit në seancën për rastin e organizatës “Syri i Popullit”, gjersa dëshmonte presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Asaj i është telefoni marrë nga njësia policore për mbrojtje të ngushtë të Presidentit Thaçi. Saranda Ramaj, është mbajtur për 6 orë nga policia dhe ia kanë mbajtur telefonin për disa orë me arsyetimin se ajo kishte regjistruar në mënyrë të paligjshme deklaratën e Presidentit Hashim Thaçi në seancën gjyqësore “Syri i Popullit”. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Organizata e Mediave të Evropës Juglindore dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi reaguan ndaj këtij rasti. Sipas përgjigjeve të gazetarëve në grupet e fokusit, si dhe në anketën e kryer nga AGK, ata janë të lirë të kenë qasje dhe të mbajnë kontakte me burimet e tyre të informacionit. Në Kosovë, gazetarët hulumtues që mbulojnë temat e korrupsionit dhe krimit nuk ndihen të dekurajuar apo të frikësuar gjatë mbulimit të temave të tyre. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Treguesi 1.3 – Ligjet e tjera zbatohen në mënyrë objektive dhe ua mundësojnë gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias të punojnë lirshëm dhe sigurt

Vlerësimi (3.62) – Gjatë vitit 2020 janë të paktën dy raste të raportuara kur gazetarët iu nënshtruan zbatimit arbitrar nga institucionet e sigurisë ose të drejtësisë si rezultat i raportimit të tyre publik. Nuk ka tendencë për të krijuar legjislacion përmes të cilit ata do t’i heshtnin, kërcënonin ose frikësonin gazetarët. Sidoqoftë, nuk ka asnjë mekanizëm që mbron gazetarët nga paditë SLAPP.

Gjatë vitit 2020 ka pasur së paku dy raste të raportuara kur gazetarët kanë qenë subjekt i zbatimit arbitrar të institucioneve të sigurisë apo drejtësisë, si rezultat i raportimeve të tyre në publik.  Në njërin rast, gazetarit në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe Ligjin mbi Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve i është konfiskuar përkohësisht telefoni i cili konsiderohet si mjet pune dhe në rastin tjetër është iniciuar procedurë penale ndaj një gazetari tjetër mbi bazën e raportimit të tij. Reagimi zyrtar i Këshillit Prokurorial dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ka munguar në të dyja rastet.

Nuk ka tendencë për të krijuar legjislacion përmes të cilit do t’i heshtnin, kërcënonin ose frikësonin gazetarët. Sidoqoftë, nuk ka asnjë mekanizëm që i mbron gazetarët nga paditë SLAPP, si dhe as Agjencia për Ndihmë Juridike Falas si agjenci publike e ndihmës juridike, nuk i kategorizon gazetarët si përfitues të ndihmës juridike në rastet kur ata përballen me padi SLAPP. Paditë SLAPP që janë ngritur deri më tani kundër gazetarëve hulumtues kanë qenë të lidhura me pretendime për shpifje. Përmes këtyre padive, gazetarëve u kërkohej kompensimi i dëmit material dhe moral.

Hulumtimet e gazetarëve për aferat e ndryshme të paligjshme të kompanive, nga këto të fundit janë konsideruar si shpifje, ku përmes Padive SLAPP është kërkuar kompensimi i dëmit moral dhe material. Ligji mbi aspektet civile kundër shpifjes dhe fyerjes përcakton se i njëjti duhet të zbatohet në pajtim me frymën e praktikës gjyqësore të GJDNJ-së.  Pos këtij ligji Kosova nuk ka legjislacion shtesë për të ofruar siguri juridike ndaj gazetarëve kur janë subjekt i padive SLAPP. Pasojat negative për gazetarët në rastin e padive SLAPP janë koha e kaluar në seanca gjyqësore, si dhe shpenzimi i mjeteve materiale për përfaqësim ligjor në rastet e trajtimit gjyqësor të këtyre padive.

Sipas të dhënave të mbledhura nga intervistat me gazetarët  si dhe grupet e fokusit, siguria e gazetarëve nuk rrezikohet në situata kur gazetarët raportojnë nga protestat. Gazetarëve u kërkohet t’i mbajnë ID -të e tyre, në mënyrë që të identifikohen nga Policia ose zyrtarë të tjerë. Për shkak të pandemisë, gjatë vitit 2020 nuk ka pasur protesta të organizuara, prandaj edhe nuk ka pasur raste të sulmeve ndaj gazetarëve në protesta. Sidoqoftë, edhe nga përvoja e viteve të kaluara, asnjë gazetar nuk është sulmuar gjatë protestave.

Treguesi 1.4 – Gazetarët janë të lirë ta ushtrojnë profesionin e tyre dhe të themelojnë asociacione/shoqata, t’iu bashkohen atyre dhe të marrin pjesë në to

Vlerësimi (4.11) – Gazetarët nuk kanë nevojë të licencohen, si dhe janë të lirë të themelojnë dhe të marrin pjesë në asociacionet e tyre. Nuk janë regjistruar presione mbi asociacionet e gazetarëve, megjithatë presioni bie mbi asociacionin kur i duhet të luajë rolin e sindikatës, pasi nuk ka sindikatë e cila i përfaqëson të gjitha nevojat e të gjithë punonjësve medialë.

Gazetarët në Kosovë nuk kanë nevojë të licencohen nga shteti për ta ushtruar profesionin e tyre, si dhe nuk ka pasur asnjë tentativë gjatë periudhës raportuese ku është kërkuar nga organet shtetërore që ata të licencohen. Gjatë vitit 2020, për shkak të pandemisë COVID-19, vendi u izolua, prandaj për të kryer detyrat e tyre, gazetarëve u kërkohej të merrnin leje për të vepruar lirshëm. Megjithatë, disa gazetarë janë penguar gjatë kryerjes së detyrave të tyre. Për shkak të izolimit në tërë Kosovën që ndodhi në bazë të masave parandaluese ndaj COVID-19 të miratuara nga Qeveria e Kosovës, policia e pengoi gazetaren Yllka Ahmetxhekaj në kryerjen e detyrave të saj gjatë raportimit nga qendra e karantinës në Prishtinë. Sidoqoftë, gjatë vitit 2020 nuk ka raste që gazetarëve u është refuzuar e drejta për të raportuar nga një ngjarje e caktuar me arsyetimin se nuk kanë akreditim.

Gazetarëve u kërkohet ta mbajnë ID -në e tyre të punës gjatë kryerjes së detyrave të tyre. Gjatë vitit 2020 për shkak të orës policore dy gazetarë u penguan në kryerjen e detyrave të tyre nga oficerët e policisë edhe pasi ua treguan identifikimet e tyre të punës. AGK i ka monitoruar të dy rastet: Yllka Ahmetxhekaj (në Prishtinë) dhe Tatjana Lazarevic (në Mitrovicë). Nuk janë raportuar raste të tjera ku gazetarët kanë pasur probleme për identifikim në procedurat përkatëse para autoriteteve publike.

Gazetarëve iu garantohet e drejta e asociimit dhe liria për të formuar sindikata. Ata përfaqësohen nga dy Asociacione, AGK dhe AGSK, por aktualisht ekzistojnë vetëm tri sindikata dhe të gjitha brenda TSHP-së. Mungesa e një sindikate që i përfaqëson interesat e të gjithë gazetarëve dhe për t’i mbrojtur të drejtat e punës në Kosovë ka bërë që AGK-ja përgjithësisht të shërbejë si organi kryesor avokues për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve. Gjatë periudhës raportuese nuk ka pasur ndonjë presion apo pengesë që gazetarët të anëtarësohen në organizata të cilat i përfaqësojnë interesat e tyre. Duhet përmendur fakti se brenda vitit 2020 janë anëtarësuar më shumë se 60 anëtarë të rinjë.

Nuk ka organizata paralele ose të rreme mediatike për të cilat Asociacioni jonë dhe komuniteti i gazetarëve nuk është në dijeni. Sidoqoftë, gjatë vitit 2020 partia politike Lëvizja Vetëvendosje (partia më e madhe në vend pas zgjedhjeve të shkurtit 2021) krijoi një kanal televiziv online, për të cilin reaguan disa akterë kombëtar dhe ndërkombëtar, përfshirë edhe AGK dhe FEG. Kanali është TVV dhe është pjesë e platformës sociale YouTube.

Treguesi 1.5 – Pozita e gazetarëve është e qëndrueshme dhe e mbrojtur në vendin e punës

Vlerësimi (3.20) –Pozita e shumë gazetarëve në mediat private ishte e paqëndrueshme dhe u përkeqësua sidomos për shkak të pandemisë. Pagat e ulëta dhe mosrespektimi i të drejtave të tyre të punës ishin problemet më të mëdha. Gazetarët kanë frikë të ngrenë padi për presion ose mosrespektim të të drejtave të punës dhe të krijojnë sindikata në mediat private.

Deri më sot, disa nga sfidat kryesore për gazetarët në Kosovë është kontrata e punësimit, sigurimet shëndetësore dhe pagat e tyre. Gjatë vitit 2020 nuk ka të dhëna se sa gazetarë kanë nënshkruar kontratë pune, megjithatë sipas hulumtimit të kryer nga AGK në vitin 2020 numri i gazetarëve me kontrata të nënshkruara është rritur në krahasim me vitet e mëparshme. Kjo rritje është rezultat i Pakos Emergjente që Qeveria ndau për sektorin privat në Kosovë gjatë pandemisë. Sidoqoftë, për shkak të pandemisë, shumica e pagave u ulën, si dhe kishte ndërprerje kontratash.

Sipas gazetarëve në grupe të fokusit, përveç punonjësve të transmetuesit publik, disa nga pagat e punonjësve të mediave janë vonuar. Shumica e mediave nuk kanë sigurime shëndetësore dhe problemi më i madh me të cilin përballen në vendin e punës janë orët e gjata të punës pa kompensim. Paga mesatare e gazetarëve dhe punëtorëve të tjerë të mediave shkon nën mesataren e vendit, dhe vetëm gazetarët nga transmetuesi publik dhe disa nga mediat kryesore paguhen rregullisht, ndërsa pjesa tjetër akoma përballen me vonesa në pagesa. Për më tepër, vlen të përmendet, se ka raste kur punëtorë të mediave paguhen me para në dorë. Sipas një hulumtimi të kryer nga AGK për periudhën para dhe gjatë pandemisë, 22 nga 120 të anketuar ishin përgjigjur se paga e tyre mujore ishte nga 130 në 250 euro. Ndërsa, gazetarët e pavarur kanë pasur vështirësi më të theksuara sesa në vitet e kaluara si rrjedhojë e pandemisë Covid-19.

Në përgjithësi, kushtet e punës së gazetareve në redaksi nuk dallojnë nga ato të gazetarëve. Nuk ka të dhëna se sa gra dhe burra kanë nënshkruar kontrata pune, por sipas disa vlerësimeve, ka shumë më tepër gra gazetare në redaksi. Nuk ka të dhëna statistikore të kohëve të fundit për pozitat udhëheqëse në redaksi, por gazetaret janë më të prirura për të mbajtur poste redaktuese në redaksi, e veçanërisht në mediat kryesore, ndërsa gazetarët meshkuj më shumë janë përgjegjës për sektorin menaxherial. Një ndryshim tjetër është vërejtur kur është fjala për programet kryesore televizive pasi shumica e tyre moderohen nga meshkujt dhe transmetohen gjatë orarit kryesor. Kontratat nuk janë diskriminuese në baza gjinore, pasi pagat e gazetareve bazohen në performancën e tyre dhe jo në gjini. Dy anketa të kryera nga AGK-ja në vitin 2020 treguan se pagat mesatare të gazetarëve sillen nga 250 në 350 Euro, dhe pagat e grave gazetare janë të njëjta me ato të kolegëve të tyre burra. Presioni i bazuar në gjini ndodh vetëm në rastet kur gratë gazetare janë shtatzënë dhe/ose kthehen në punë pas pushimit të lehonisë. Edhe pse Ligji i Punës i lejon gratë të largohen më herët vitin e parë pasi të kthehen në punë, për shkak të natyrës së profesionit të tyre ato nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë.

Në vitin 2019 AGK ka nënshkruan memorandum mirëkuptimi me Odën e Avokatëve të Kosovës për t’u siguruar mbrojtje ligjore falas gazetarëve, duke qenë se shumica dërrmuese e mediumeve nuk ofrojnë mbrojtje për punonjësit e tyre. OAK e ndërpreu njëanshëm memorandumin me AGK-në në gusht të 2020, duke i lënë pa mbrojtje ligjore gazetarët. Sido që të jetë, IKD, KDI, si dhe avokatë të pavarur kanë ofruar shërbimet e tyre për gazetarët.

Parandalimi me kohë



Treguesi 2.1 – Gazetarët dhe akterët e medias kanë qasje në masa mbrojtëse të menjëhershme dhe efektive kur kërcënohen

Vlerësimi (3.49) – Brenda policisë dhe prokurorisë, nuk ka persona kontakti dhe numra të posaçëm ku gazetarët mund t’i raportojnë rastet e tyre. Gazetarët e raportojnë rastin në të njëjtën mënyrë si çdo qytetar tjetër. Nuk ka raste të njohura ku institucionet përkatëse nuk janë përgjigjur fare, apo nuk kanë përpunuar/pranuar një raportim të një gazetari apo mediaje në lidhje me shkeljen e të drejtave të tyre. Policia në përgjithësi reagon shpejt ndaj rasteve të raportuara, por problemi lind kur rastet arrijnë në gjykatë, pasi ato zgjasin ose nuk zgjidhen fare.

Si Policia, ashtu edhe Prokuroria kanë caktuar koordinator kompetent për t’i trajtuar rastet e sulmeve dhe kërcënimeve në drejtim të gazetarëve. Brenda policisë dhe prokurorisë, nuk ka persona dhe numra të vecantë kontakti në mënyrë që gazetarët t’i raportojnë rastet. Gazetarët e raportojnë rastin në të njëjtën mënyrë si çdo qytetar tjetër, ndërsa koordinatorët brenda këtyre institucioneve janë caktuar të merren me rastin pas raportimit të tyre në polici, prokurori ose gjykata. Nuk ka ndonjë mekanizëm parandalues përmes të cilit monitorohen gazetarët e që ndryshon ose favorizon trajtimin e rasteve të gazetarëve në raport me qytetarët e tjerë në rast kërcënimi. Gjatë vitit 2020, asnjë rast nuk është raportuar nga gazetarët në lidhje me ankesat e tyre për shkelje të të drejtave. Gjatë periudhës raportuese ka pasur 24 raste të sulmeve, kërcënimeve, ngacmimeve dhe linçimeve ndaj gazetarëve. Shumica e rasteve janë raportuar përmes Asociacionit së Gazetarëve të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, ku disa raste janë bërë publike edhe  përmes mediave dhe rrjeteve sociale. Rastet e linçimit publik zakonisht raportohen vetëm nga AGK, ndërkohë që sulmet dhe kërcënimet fizike, si dhe kërcënimet verbale raportohen në PK dhe AGK. PK-ja dhe Prokuroria kanë emëruar koordinatorë që merren me rastet e gazetarëve, dhe ata janë shumë bashkëpunues me AGK -në. Megjithatë, duke pasur parasysh mungesën e bashkëpunimit që AGK-ja ka me gjyqësorin, dhe hezitimin për të qenë bashkëpunues në këtë çështje gjatë dy viteve të fundit, vetëm disa raste janë zgjidhur. Masat që ndërmarrin institucionet për t’i mbrojtur gazetarët janë të njëjta me ato që zbatohen për qytetarët e tjerë. Në të kaluarën PK -ja i ka ofruar mbrojtje të afërt Shkumbin Kajtazit. Nuk ka raste të njohura ku institucionet përkatëse nuk janë përgjigjur fare, ose kur nuk kanë shqyrtuar/pranuar një raport të një gazetari apo medie lidhur me shkeljen e të drejtave të tyre. Sidoqoftë, rastet që marrin më shumë vëmendje janë zakonisht ato të sulmeve fizike dhe kjo ndodh sepse reagojnë akterët më të shquar në politikë dhe/ose organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Treguesi 2.2 – Gazetarët dhe akterët e tjerë të medias (jeta apo integriteti fizik i të cilëve është në rrezik real dhe të menjëhershëm) kanë qasje në mekanizma të mbrojtjes speciale/sigurisë

Vlerësimi (3.51) – Nuk ka dispozita ligjore që mbrojnë gazetarët më shumë se qytetarët e tjerë, megjithatë ka dispozitat ligjore, siç është Kodi Penal i Republikës së Kosovës (në fuqi nga data 14 prill 2019) që mbrojnë çdo person që mund të jetë viktimë e veprave penale për shkak ndaj punës së tij / saj.
Procedura e vlerësimit të rrezikut nuk është e përcaktuar qartë. Megjithatë, nëse policia vlerëson se siguria e gazetarëve është e rrezikuar, ajo mund t’u japë atyre mbrojtje të afërt.

Nuk ka asnjë mekanizëm të veçantë në nivelin kombëtar që siguron mbrojtje fizike për gazetarët e rrezikuar, megjithatë të njëjtët mekanizma që zbatohen për të mbrojtur të gjithë qytetarët zbatohen edhe për gazetarët. Ekzistojnë dispozita ligjore, si ajo e Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në fuqi nga 14 prilli 2019) që e mbrojnë çdo person i cili mund të jetë viktimë e veprave penale për shkak të punës së tij/saj. Ekziston edhe Ligji Nr. 04 / L-137 për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve, i datës 31 korrik 2013.

Në sistemin ligjor në Kosovë nuk ka mekanizma për vlerësimin e rrezikut ndaj gazetarëve që do t’i dallonte ata nga qytetarët e tjerë. Në vitin 2019, AGK-ja nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Odën e Avokatëve të Kosovës (OAK), me qëllim që anëtarët e AGK-së të marrin ndihmë juridike falas. Në vitin 2020, OAK u tërhoq nga ky MiM në mënyrë të njëanshme, duke i lënë gazetarët dhe punëtorët e tjerë medial të pambrojtur, sidomos gjatë pandemisë.

Treguesi 2.4 – Është krijuar praktika e dënimit të rregullt publik të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave.

Vlerësimi (3.24) – Politikanët dhe/ose zyrtarët shtetërorë përmes postimeve të tyre kryesisht në rrjetet sociale dënojnë sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë medialë. Këto deklarata nuk janë pjesë e diskursit të tyre të përditshëm, por vetëm në rastet kur ndodhin këto sulme. Rastet më të shpeshta të kërcënimeve vijnë nga njerëz që duhet t’i mbrojnë të drejtat e gazetarëve dhe të promovojnë lirinë e shprehjes, si rrjedhojë mediat. Sidoqoftë, ka hipokrizi në sjelljen e politikanëve për faktin se ata janë kryesisht ata që përdorin gjuhë pezhorative ndaj gazetarëve, dhe kjo gjuhë zakonisht çon në më shumë kërcënime dhe linçime nga ndjekësit e tyre, veçanërisht në internet.

Institucionet qeveritare i njohin sulmet ndaj sigurisë së gazetarëve si cenim të lirisë së shprehjes, shkelje e të drejtave të njeriut dhe ligjit penal, por zyrtarët publikë përmbahen nga dhënia e deklaratave, vetëm nëse ka sulme fizike ndaj gazetarëve dhe/ose reagime nga asociacioni i gazetarëve, organizatat e shoqërisë civile apo vëzhguesit ndërkombëtarë të lirisë së mediave. Në rastet e sulmeve, kërcënimeve apo ngacmimeve në drejtim të gazetarëve nuk është krijuar një formë e caktuar i dënimit të këtyre shkeljeve, megjithatë ka reagime posaçërisht në rastet e sulmeve fizike.

Politikanët dhe/apo zyrtarët shtetërorë me anë të postimeve të tyre kryesisht në rrjetet sociale dënojnë sulmet në drejtim të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë medialë. Këto dënime nuk janë pjesë e diskursit të tyre të përditshëm, por vetëm në rastet kur ndodhin këto sulme. Në deklaratat e tyre bëhet thirrje për kapje të autorëve të krimit, por nuk reagohet në raste të linçimeve të cilat bëhen nga politikanë apo zyrtarë publikë/shtetërorë. Rastet më të shpeshta të kërcënimeve vijnë pikërisht nga persona të cilët do të duhej t’i mbrojnë të drejtat e gazetarëve dhe promovojnë lirinë e shprehjes, rrjedhimisht të medias.

Trendi i sulmit verbal nga ana e zyrtarëve politikë dhe të lartë shtetërorë, veçanërisht përmes mediave sociale është rritur gjatë vitit 2020. Melihate Tërmkolli, anëtare e partisë LDK e kërcënoi gazetarin e T7, Arsim Lanin. Gani Koci i partisë politike PDK e ka kërcënuar publikisht gazetaren hulumtuese Jeta Xharra. Z. Koci postoi një status në profilin e tij në facebook. Tre zyrtarë të partisë politike Lëvizja Vetëvendojse, Adnan Rrustemi, Fitore Pacolli dhe Liburn Aliu linçuan publikisht Adriatik Kelmendin (i cili kishte punuar në KTV në atë kohë), Agron Bajramin (i Koha.net) dhe Besnik Krasniqin (i Koha Group). Berat Buzhala (i Gazetës Express) dhe Parim Olluri (i Insajderit) u linçuan nga Hysamedin Feraj nga Lëvizja Vetëvendosje. Enver Dugolli i Lëvizjes Vetëvendosje sulmoi gazetarët përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.

Këto kërcënime, sulme verbale, sulme dhe linçime çojnë në rritje të mëtutjeshme të akteve të tilla nga ndjekësit dhe “fansat” e këtyre akterëve me ndikim, gjersa këta të fundit vazhdojnë t’i linçojnë gazetarët në komente.]

Treguesi 2.5 – Autoritetet policore janë të ndjeshme ndaj çështjeve të mbrojtjes së gazetarëve.

Vlerësimi (3.98) – Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit dhe Gjykata organizojnë trajnime për ngritjen e kapaciteteve të punonjësve të tyre. Këto trajnime dhe punëtori kryesisht organizohen nga organizatat ndërkombëtare (në këtë rast OSBE), si dhe organizatat vendore, siç është Instituti i Kosovës për Drejtësi. Në përgjithësi, Policia respekton profesionin e gazetarëve dhe tenton të mos i pengojë ata të bëjnë punën e tyre. Gjatë karantinës dhe orarit të kufizimit të lëvizjes, Tatjana Lazarevic dhe Yllka Ahmetxhekaj u ndaluan për një kohë të shkurtër, edhe pse kjo nuk është praktikë në Kosovë.

Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit dhe Gjykata organizojnë trajnime për ngritje të kapaciteteve të punonjësve të tyre. Kryesisht këto trajnime e punëtori organizohen nga organizata ndërkombëtare (në rastin konkret OSBE), si dhe organizata vendore, siç është Instituti Kosovar për Drejtësi. Në këto trajnime synohet ngritja e vetëdijes së pjestarëve të PK-së se si t’i trajtojnë rastet në të cilat përfshihen gazetarët, rrjedhimisht mësohen standardet themelore ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe roli i gazetarëve në një shoqëri demokratike.

Akademia e Drejtësisë gjatë tërë vitit organizon trajnime për prokurorët dhe gjykatësit për lirinë e shprehjes. IKD gjatë fazës së raportimit mbajti trajnime për avokatët, gjykatësit dhe prokurorët për lirinë e shprehjes, lirinë e medias, si dhe për të drejtat dhe mbrojtjen e sinjalizuesve. PK ka organizuar trajnime në lidhje me mediat me pjesëmarrje të një numri zyrtarësh policorë, përmes të cilave i ka shtuar kapacitetet e brendshme për punë kompetente me mediat. Prokurorë dhe koordinatorë të caktuar, zëdhënës, administratorë të prokurorive, bashkëpunëtorë profesionalë dhe zyrtarë të tjerë, kanë marrë pjesë në trajnime për marrëdhëniet me mediat, të mbështetura kryesisht nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, megjithëse ka ende nevojë për trajnime të mëtejshme.

Policia e Kosovës ka zhvilluar një bazë të veçantë të të dhënave për rastet e gazetarëve dhe është në kontakt të ngushtë me AGK -në e cila i monitoron rastet. PK është një nga institucionet më bashkëpunuese me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

Gjatë periudhës raportuese, për shkak të situatës me pandeminë kanë ndodhur tri ndalesa gjatë vitit 2020 ku gazetarët janë penguar në detyrë nga Policia, mirëpo janë liruar pas reagimit të AGK-së. Ndalesat kanë ndodhur si rrjedhojë e masave të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së virusit, ku kryesisht kanë ndodhur gjatë orës policore (kufizimit të lëvizjes). AGK dhe PK në vazhdimësi u kanë bërë thirrje gazetarëve dhe punonjësve të tjerë medialë që të mbajnë me vete ID-të e punës, si dëshmi.


Realizimi i proceseve me kohë


Treguesi 3.1 – Njësitë dhe/ose zyrtarët e specializuar hetimorë janë të pajisur me ekspertizën përkatëse për hetimin e sulmeve dhe dhunës ndaj gazetarëve

Vlerësimi (3.61) – Praktika tregon që policia dhe prokuroria nuk e kanë profesionalizmin dhe ekspertizën e duhur për sa i përket masave mbrojtëse ligjore në fuqi të parapara nga legjislacioni në fuqi në Kosovë. Megjithatë, rastet ndaj gazetarëve trajtohen nga policia dhe prokuroria në të njëjtën mënyrë si veprat penale. Policia, Prokuroria dhe Gjykatat kanë emëruar koordinatorë që merren me rastet e kërcënimeve, sulmeve dhe ngacmimeve ndaj gazetarëve.

Zyra e Prokurorit të Shtetit e ka emëruar një prokuror si Koordinator për t’i koordinuar dhe monitoruar rastet kur gazetarët janë viktimë e krimit.  Koordinatori poashtu e mban bazën e të dhënave lidhur me raste të tilla. Baza e të dhënave është manuale. Megjithatë, një mekanizëm i tillë nuk është i besueshëm për të pasur të dhëna të qëndrueshme dhe të qasshme lidhur me kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve.

Praktika tregon që policia dhe prokuroria nuk e kanë profesionalizmin dhe ekspertizën e duhur për sa i përket masave mbrojtëse ligjore në fuqi të parapara nga legjislacioni në fuqi në Kosovë. Megjithatë, rastet ndaj gazetarëve trajtohen nga policia dhe prokuroria në të njëjtën mënyrë si veprat penale. Siç u tha më lartë, Zyra e Prokurorit të Shtetit e ka emëruar koordinatorin shtetëror për monitorimin dhe mbikëqyrjen e sulmeve dhe kanosjes ndaj gazetarëve, megjithatë nuk ka udhëzues apo politika të miratuara as nga sistemi prokurorial as nga Policia për t’i trajtuar rastet e tilla.

Kur bëhet fjalë për sigurinë e gazetarëve, Policia dhe Prokuroria janë më bashkëpunueset në krahasim me institucionet e tjera. Por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Gjykatat dhe vendimet e tyre, si rezultat i të cilave gazetarët ngurrojnë të vazhdojnë më tej me rastet e tyre. Megjithatë, nuk janë hartuar politika të veçanta nga institucionet shtetërore që i mbrojnë gazetarët në veçanti. Policia e Kosovës (PK) ka emëruar një Koordinator për t’i monitoruar dhe përcjellë të gjitha rastet që përfshijnë gazetarët. Të gjitha veprimet e ndërmarra nga ky institucion sigurie kryhen në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me organet e tjera kompetente. Sa i përket sigurisë së gazetarëve, Prokuroria dhe Gjykata Themelore në Prishtinë kanë caktuar gjithashtu koordinatorë për mbledhjen e të dhënave në rastet që përfshijnë gazetarë.

Treguesi 3.2 – Hetimet e sulmeve të rënda fizike ndaj gazetarëve dhe akterëve të tjerë të medias kryhen me efikasitet (në mënyrë të pavarur, të tërësishme dhe të shpejtë).

Vlerësimi (3.02) – Hetimet në përgjithësi janë të ngadalta dhe joefektive, dhe disa sulme ndaj gazetarëve nuk janë ndjekur penalisht fare. Sulmet ndaj gazetarëve ndonjëherë nuk cilësohen si vepra penale, duke i detyruar gazetarët të ngrenë padi private në vend që të ndiqen penalisht sipas detyrës zyrtare. Reagimi i parë i Policisë dhe Prokurorisë në shumicën e rasteve është urgjent dhe merret me përparësi në ditët e para kur kryhet sulmi, gjithashtu për shkak të reagimit publik nga Asociacioni Gazetarëve, media dhe shoqëria civile. Megjithatë, procedurat gjyqësore atëherë nuk trajtohen me përparësi as nga prokuroria apo gjykatat.

Në shumicën e rasteve, hetimet ndaj autorëve të krimeve ndaj gazetarëve janë të pavarura, megjithatë rastet e tilla pasohen nga mungesa e profesionalizmit dhe ekspertizës në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve kundër gazetarëve. Bazuar në kontributin e organizatës së shoqërisë civile që monitoron sistemin prokurorial dhe gjyqësor, përfshirë rastet kundër gazetarëve, hetimi nuk bazohet në qasje gjithëpërfshirëse. Përkundrazi, hetimi përqendrohet kryesisht në veprat penale të sulmit dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, por asnjë çështje deri më tani nuk është hetuar ose ndjekur penalisht në lidhje me ndonjë motivim ploitik ose ndonjë lidhje tjetër ndaj grupit të interesit ndaj juristëve. Hetimi, ndjekja penale dhe gjykimi në rastet kur gazetarët janë viktima të krimit, kryhen në dy qasje nga institucionet shtetërore. Reagimi i parë i Policisë dhe Prokurorisë në shumicën e rasteve është urgjent dhe merret me përparësi në ditët e para kur kryhet sulmi, edhe për shkak të reagimit publik nga Asociacioni i Gazetarëve, media dhe shoqëria civile. Sidoqoftë, procedurat gjyqësore nuk trajtohen me përparësi as nga prokuroria apo gjykatat. Afatet ligjore në procedurën e hetimit janë të domosdoshme dhe prokurori i shtetit është i detyruar që brenda 24 muajve të ngrisë aktakuzë ose ta hedhë poshtë kallëzimin penal. Ndërsa afatet ligjore brenda gjykatave nuk respektohen, gjë që poashtu ka ndikim që rastet e gazetarëve të zgjasin mbi parimin për ta trajtuar rastin brenda një kohe të arsyeshme. Shumica e rasteve të gazetarit janë kualifikuar si vepra penale të sulmit. Profesioni i gazetarit bazuar në masat mbrojtëse të parashikuara nga legjislacioni në fuqi trajtohet si profesion i interesit publik.

Treguesi 3.3 – Gazetarët dhe akterët e tjerë të medias mbrohen me efikasitet nga forma të ndryshme të ngacmimit në internet.

Vlerësimi (3.16) – Gjatë vitit të kaluar gazetarët në Kosovë ishin cak i 8 (tetë) sulmeve, kanosjeve, kërcënimeve dhe fyerjeve online, veçanërisht gjatë fushatës elektorale. Për shkak të reagimit të ngadalshëm të institucioneve të drejtësisë dhe mungesës së efikasitetit të trajtimit të rasteve kundër gazetarëve në procedurat penale dhe civile, masat ligjore të zbatueshme ishin pothuajse joefektive.

Kodi Penal i Kosovës inkriminon ngacmimin penal. Bazuar në Kodin Penal kushdo që angazhohet në një model të vëmendjes ose komunikimit të përsëritur dhe të padëshiruar me qëllim për të ngacmuar, frikësuar, lënduar, dëmtuar pronën ose vrarë një person tjetër ose fëmijët e tij ose të saj, familjarët, të afërmit ose kafshët shtëpiake ose kushdo që vendos një tjetër nën mbikëqyrje me qëllim për të ngacmuar, frikësuar, lënduar, dëmtuar pronën ose vrarë një person tjetër ose fëmijët e tij ose të saj, familjes, të afërmve ose kafshëve shtëpiake; dhe gjatë saj, e vendos atë person në frikë të arsyeshme nga vdekja, lëndime të rënda trupore, dëme serioze në pronë ose shqetësime thelbësore emocionale do të dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet. Ndërsa, kodi penal nuk parashikon vepër penale të veçantë të ngacmimit ndaj gazetarit, dispozita e mësipërme vlen edhe për gazetarët kur ata janë viktima të një krimi të tillë.

Gjatë vitit të kaluar gazetarët në Kosovë iu nënshtruan sulmeve fizike, kanosjeve, kërcënimeve dhe fyerjeve. Për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme të fushatës elektorale të mbajtura në fillim të vitit 2021, pati fenomene të përhapura fyerjesh dhe kërcënimesh ndaj gazetarëve për raportimin e tyre dhe opinionet e tyre të përbashkëta. Për shkak të reagimit të ngadaltë të institucioneve të drejtësisë dhe mungesës së efikasitetit të trajtimit të rasteve kundër gazetarëve në çështjet penale dhe civile, masat ligjore të zbatueshme janë pothuajse në fuqi. Në raste të veçanta, ka pasur arrestime në rastet kur gazetarët raportuan ngacmime në internet. Rastet e gazetarëve kryesisht raportohen në Shoqatën e Gazetarëve të Kosovës, përveç rasteve kur Policia thirret në vendin e ngjarjes, siç janë rastet e sulmeve fizike ose kërcënuese për jetën (rastet e vitit 2020 janë Shkumbin Kajtazi dhe Valon Syla). Policia është e gatshme të bashkëpunojë me viktimën, si dhe me AGK -në. Në përgjithësi, institucionet janë përgjegjëse dhe i marrin seriozisht rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve siç është Shkumbin Kajtazi (gjatë vitit 2019). Duhet të theksohet se ekziston një mospërputhje në bazën e të dhënave të PK -së dhe asaj të AGK -së, sepse ka raste të cilat janë raportuar vetëm në AGK, siç janë: shpifja dhe ofendimet verbale, kryesisht përmes rrjeteve sociale. Nga ana tjetër, në PK janë raportuar raste të gazetarëve të cilët nuk lidhen me profesionin që ushtrojnë, por për çështje personale.

Treguesi 3.4 – Hetimet e të gjitha llojeve të sulmeve dhe dhunës ndaj gazetarëve dhe akterëve të tjerë të medias kryhen me transparencë.

Vlerësimi (3.18) – Transparenca në mënyrën se si zhvillohen procedurat gjyqësore për sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave nuk është e kënaqshme. Gjykatat nuk japin informacion të mjaftueshëm.

Legjislacioni në fuqi në Kosovë parasheh që viktima e krimit ka të drejtë të kërkojë ndihmë dhe mbështetje nga Zyra e Avokatisë dhe Ndihmës për Viktima e cila është brenda Institucionit së Kryeprokurorit të Shtetit. Një zyrë e tillë ofron ndihmë profesionale për viktimat e krimit dhe poashtu ka detyrimin të kërkojë nga prokuroria dhe gjykatat që të respektohen dhe të promovohen të drejtat e viktimave gjatë të gjitha fazave të procedurave gjyqësore. Nuk ka informata të disponueshme se ndonjë gazetar ka kërkuar mbështetje ose ka marrë ndihmë nga një zyrë e tillë.

Prokurorët e Shtetit në Kosovë rrallë i informojnë qytetarët ose gazetarët në lidhje me ndonjë fazë të procedurës penale kur ata janë viktima të krimit, as në ofrimin e qasjes në dosjen e lëndës. Si rregullohet dhe funksionon sistemi gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë? Është prokurori dhe gjykatësi i lëndës ai që ofron informata në lidhje me statusin e secilës çështje. Zëdhënësi i çdo zyre të prokurorisë dhe gjykatës ofron informata mbi statusin e lëndës bazuar në reagimet e marra nga prokurori ose gjykatësi, respektivisht.

Gazetarëve iu ofrohet qasje në seanca gjyqësore në mënyrë jodiskriminuese, pa asnjë kufizim, përveç rasteve kur një gjykatës jep urdhër për masa mbrojtëse. Megjithatë, në vitet 2019-2020 u bë një përpjekje për ta rishikuar Kodin e Mirësjelljes, gjë që do ta kufizonte mundësinë e gazetarëve për të raportuar nga seancat gjyqësore, duke i detyruar ata të presin deri në vendimin e formës së prerë. Pas shqetësimeve të ngritura nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe organizatat e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, kjo përpjekje u pezullua nga KPM-ja. Nuk janë raportuar raste kur gazetarëve nuk iu është dhënë qasje në rastet e hapura gjyqësore në vitin 2020.


Siguria fizike


Treguesi 4.1 – Kërcënimet dhe ngacmimet jofizike

Këto mund të përfshijnë: mbikëqyrja ose përcjellja; telefonata ngacmuese; ngacmimet arbitrare gjyqësore ose administrative;  deklaratat agresive nga zyrtarët publikë;  format e tjera të presionit që mund ta rrezikojnë sigurinë e gazetarëve në ushtrimin e punës së tyre. Këto lloje të kërcënimeve nuk përfshijnë sulmet në turma ose ngacmimin në mjedisin e punës.

Vlerësimi (2.92) – Në vitin 2020, ndodhën vetëm disa nga llojet e listuara të kërcënimeve, por është shqetësuese që disa nga sulmuesit janë biznesmenë, ish-zyrtarë publikë, individë të afërt me parti politike, si dhe dy kërcënimet ndaj së njëjtës gazetare.

Gjatë vitit 2020 ndodhën 11 raste të kërcënimeve dhe ngacmimeve jofizike ndaj gazetarëve në Kosovë. Kërcënimet dhe sulmet dallojnë mes atyre të afaristëve ndaj gazetarëve dhe punëtorëve të tjerë medial prej atyre të zyrtarëve shtetërorë si dhe të zyrtarëve të lartë të partive politike. Gazetari Bekim Kabashi i portalit Reporteri.net u kërcënua nga afaristi Latif Kryeziu. Ndërsa gazetarja e portalit online Periskopi, Yllka Ahmetxhekaj u pengua derisa ishte në detyrë nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës gjatë kohës sa ishte duke raportuar gjatë izolimit në pandemi.  Këto raste u pasuan nga shembulli më i ashpër i kësaj natyre, ai i gazetarit Shkumbin Kajtazi të portalit Reporteri.net, ndaj të cilit u bë përpjekje për zjarrvënje të qëllimshme të veturës së tij, si dhe rasti i ekipit të televizionit Klan Kosova, i cili u pengua në punën e tij, duke iu ndaluar hyrja në një sallë sporti në Gjakovë.  Pjesa tjetër e kërcënimeve dhe ngacmimeve jofizike kanë të bëjnë me zyrtarë të lartë politikë, të cilët i kanë sulmuar gazetarët përmes mediave sociale. Gazetarja Jeta Xharra e emisionit “Jeta në Kosovë” u sulmua dy herë vitin e kaluar, në rastin e parë në lidhje me një postim në Facebook, ku Jeta Xharra, Xhemajl Rexha dhe Fidan Jupolli u quajtën mercenarë të partisë politike Lëvizja Vetëvendosje,  dhe rasti tjetër ishte me zyrtarin e lartë të partisë politike PDK, Gani Koci, i cili e quajti atë “gropë septike”.

Treguesi 4.2 – Kërcënimet ndaj jetës dhe sigurisë fizike të gazetarëve

Këto mund të përfshijnë: referencat për vrasjen e gazetarëve, miqve, familjes ose burimeve të gazetarëve;  referencat për t’iu shkaktuar dëm fizik gazetarëve, miqve, familjes ose burimeve të gazetarëve. Këto kërcënime mund të: bëhen drejtpërdrejtë ose përmes palëve të treta; përçohen përmes komunikimeve elektronike ose në mënyrë fizike; mund të bëhen fshehtë dhe sheshazi.             

Vlerësimi (2.78) – Në vitin 2020 u regjistruan 6 kërcënime që synonin rrezikimin e sigurisë fizike ose jetës së gazetarëve. Në ndërkohë, është shqetësuese që Shkumbin Kajtazi dhe makina e tij ishin dy herë subjekt i sulmit kërcënues për jetë.

Janë gjashtë raste të kërcënimeve për jetë dhe sigurinë fizike të gazetarëve. Kërcënimi i parë fizik i vitit 2020 ishte kundër gazetarit Berat Buzhala të portalit online Gazeta Express, i cili u sulmua fizikisht nga disa persona derisa po priste në rend në një barnatore.  Kërcënimi i dytë i vitit 2020 ndodhi në Zubin Potok, ku disa persona në uniforma me logo serbe e kërcënuan ekipin e RTK-së  që u pasua me një koment kërcënues për jetë në Facebook drejtuar gazetarëve, si dhe drejtorit të TV Dukagjini.  Rastet e tjera që janë poashtu shumë të ashpra dhe kërcënojnë klimën e ushtrimit të gazetarisë në Kosovë janë goditja me plumba e makinës së Shkumbin Kajtazit, gazetarit të portalit Reporteri.net, në Mitrovicë, derisa ndodhej në një lokal të afërm në qytetin e tij të lindjes.  Dhe në fund, por jo më pak i rëndësishëm, sulmi fizik ndaj Valon Sylës, gazetar dhe pronar i portalit online Gazeta Metro, ku gazetari u sulmua fizikisht nga një person për shkak të disa postimeve të tij në Facebook.

Treguesi 4.3 – Sulmet fizike

Këto mund të përfshijnë:  lëndimin fizik ose mendor, kidnapimin, hyrjen me forcë në shtëpi/zyrë, zaptimin e pajisjeve, mbajtjen arbitrare, përpjekjet e dështuara për vrasje, etj.

Vlerësimi (3.48) – Në vitin 2020, u regjistruan katër sulme fizike ndaj gazetarëve. Në njërin nga rastet qe i nevojshëm edhe trajtimi mjekësor.

Gjatë vitit 2020 ndodhën gjithsej katër sulme fizike ndaj gazetarëve. I pari ishte ndaj ekipit të portalit online Arbëresh.info, nga vozitësi i Kryetarit të partisë Lista Serbe (Srpska Lista), Slavko Simic,  ndërsa tri sulme të tjera ndodhën në Mitrovicën Veriore. Gazetarët Diamant Bajra dhe Nebi Maxhuni, si dhe kamermani i portalit online Arsim Rexhepi u sulmuan fizikisht nga dy persona derisa po realizonin një storje mbi pandeminë. Gazetarit Maxhuni pastaj iu desh të merrte trajtim mjekësor.  Policia e arrestoi Tatiana Lazarevic nga portali “Kossev” edhe pse ia kishte treguar policinë ID-në e saj. Ajo po punonte në terren në lidhje me një storje për Qendrën e Kujdesit Shëndetësor në Zvecan. Edhe pse vendimi i qeverisë së Kosovës nuk vlente për gazetarët, Lazarevic u dërgua në stacion.  Përveç kësaj, sulmi i fundit fizik ishte ndaj Nenad Mikulovic, afër banesës së tij nga katër persona të maskuar. Gazetari dhe pronari i Televizion Plus mori trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve trupore.

Treguesi 4.4 – Kërcënimet dhe sulmet ndaj organizatave mediale dhe asociacioneve të gazetarëve

Kërcënimet mund të përfshijnë: telefonatat ngacmuese, ngacmimet arbitrare gjyqësore apo administrative; deklaratat agresive nga zyrtarët publikë; format e tjera të presionit (mbishkrimet, postimet kërcënuese, etj.). Sulmet përfshijnë: hyrja e paautorizuar në zyre, zaptimi i pajisjeve, thyerja e pajisjeve, veturave, etj.       

Vlerësimi (3.68) – Tre raste të sulmeve ndaj insititucioneve, organizatave mediale, mediave dhe shoqatave të gazetarëve u regjistruan gjatë vitit 2020. Dy prej të cilave janë në drejtim të TShP -së.

Në bazën e të dhënave të AGK-së gjatë vitit të kaluar u regjistruan tre raste si kërcënime dhe sulme ndaj institucioneve, organizatave mediale, mediave dhe asociacioneve të gazetarëve. Rasti i parë ka të bëjë me krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19 në Republikën e Kosovës si pasojë e së cilës menaxhmenti i Gazetës ZËRI largoi nga puna 20 punëtorë, tre gazetarë dhe një redaktor, prej të cilëve dy gazetare ishin shtatzëna, pa njoftim paraprak. Ndërprerja e kontratave të punës nga punëdhënësi, që u dënua edhe nga AGK-ja,  ishte një shkelje e drejtpërdrejtë e Ligjit të Punës të Kosovës.  Dy rastet e tjera kanë të bëjnë me Transmetuesin Publik RTK. Rasti i parë ndodhi në fillim të përhapjes së pandemisë në Kosovë dhe përfshiu RTK-në, transmetuesin publik, organet udhëheqëse të të cilit morën masa selektive disiplinore ndaj një grupi gazetarësh që shprehën pakënaqësinë e tyre.  Ndërkohë, rasti i fundit ka të bëjë me një kërcënim që u bë nga persona të panjohur. Policia është lajmëruar për këtë rast dhe i kanë marrë masat e duhura.