SafeJournalists: Intimidimi i gazetarit Vincent van Gerven Oei në Shqipëri duhet të ndalet

    0
    35
    photo: canva

    Rrjeti SafeJournalists është thellësisht i alarmuar nga frikësimi i fundit i gazetarit holandez Vincent van Gerven Oei, i cili botoi në fillim të këtij viti, një artikull kritik të titulluar “Si të pastroni artin dhe paratë përmes koncesioneve për menaxhimin e mbeturinave”. Ky shkrim shpjegonte pastrimin e dyshuar të parave që përfshinte Bashkinë e Tiranës dhe skenën e artit të Shqipërisë, të lidhura veçanërisht me projektet e inceneratorëve.

    Pas publikimit të artikullit, artisti Driant Zeneli, bashkëthemelues i fondacionit Harabel – një organizatë jofitimprurëse që promovon artin bashkëkohor, bashkëthemeluar nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj – nisi një sërë mesazhesh kërcënuese për gazetarin van Gerven Oei përmes rrjeteve sociale. Përplasja u përshkallëzua më 4 shtator, kur Zeneli, i shoqëruar nga tre të tjerë, u përball me Van Gerven Oei, në hapjen e një galerie në Tiranë, duke përdorë gjuhë agresive dhe homofobike, dhe duke tentuar sulmin fizik. Ndërhyrja nga kalimtarët e rastit parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm.

    Ky incident ngre shqetësime serioze për sigurinë e gazetarëve në Shqipëri, veçanërisht kur raportohet për tema të ndjeshme që përfshijnë figura të fuqishme. Ngacmimi i gazetarëve minon lirinë e shtypit, duke dekurajuar raportimin kritik, dhe duke kufizuar aksesin e publikut në informacion.

    Rrjeti SafeJournalists, u bën thirrje autoriteteve përkatëse që të hetojnë tërësisht këtë incident, dhe të sigurojnë që gazetarët të mund të kryejnë detyrat e tyre pa frikë nga hakmarrja ose dhuna. Ne qëndrojmë në solidaritet me Vincent van Gerven Oei, dhe riafirmojmë angazhimin tonë për të mbrojtur lirinë e medias në të gjithë rajonin.

    Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë të monitorojë këtë rast dhe të avokojë për të drejtat e gazetarëve, duke u siguruar që ata të mbeten të lirë të raportojnë për çështje me interes publik.

    Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 10 shtator 2024

    Association of Journalists of Kosovo
    Association of Journalists of Macedonia
    BH Journalists Association
    Croatian Journalists’ Association
    Independent Journalists Association of Serbia
    Trade Union of Media of Montenegro