SafeJournalists EFJ dhe IFJ: Të hetohen kërcënimet me vdekje ndaj gazetarëve të Tanjug-ut

    0
    14
    Photo: Canva

    Federatat Ndërkombëtare dhe Evropiane të Gazetarëve (IFJ-EFJ) së bashku me rrjetin SafeJournalists shprehin solidarizim të plotë me gazetarët e Tanjug-ut, të cilët kanë pranuar kërcënime me vdekje nëpërmjet e-mailit, dhe i bëjnë thirrje autoriteteve që të kryejnë hetim të menjëhershëm dhe që keqbërësit të përballen me drejtësinë.

    Më 30 shtator, stafi i agjencisë së lajmeve Tanjug u kërcënua me vdekje nëpërmjet një e-maili të dërguar në deskun informativ. Autori i e-mailit të kërcënimit me vdekje, i prezantuar si “Trim Bardhi”, deklaroi se cilido gazetar i Tanjug-ut i cili futet në Kosovë do të qëllohet me plumb prapa kokës, për shkak të raportimit të këtyra gazetarëve lidhur me Kosovën dhe Shqipërinë.

    “Vetëm sa për dijeni, ne jemi duke përcjellë gënjeshtrat që ju përhapni çdo ditë lidhur me gjendjen e Kosovës dhe të shqiptarëve, ashtu siç jemi duke përcjellë lëvizjet e secilit gazetar të pseudo-agjencisë tuaj të lajmeve në Kosovë. Të jeni të sigurt se njëri prej tyre do të qëllohet me plumb prapa kokës herën tjetër pasi të jetë futur në Republikën e Kosovës”, thuhej në e-mail.

    Sipas Dejan Rishtiq nga Ministria e Informimit, i cili menjëherë kontaktoi departamentin e krimeve të teknologjisë së lartë të Zyrës së Prokurorisë së Lartë në Beograd, kërcënimi ishte identifikuar se kishte ardhur nga Shqipëria.

    “I jemi mirënjohës Ministrisë së Informacionit, së bashku me Departamentin e Krimit të Teknologjisë së Lartë të Prokurorisë së Lartë në Beograd, për identifikimin e burimit të kërcënimit. Ministria tregoi se si mund të reagojë në kohën më të shkurtër të mundshme dhe presim që të njëjtën gjë të bëjë edhe në raste të ngjashme në të ardhmen, veçanërisht kur kërcënimet vijnë nga territori ku ajo ka autoritet. Ata që i bëjnë këto kërcënime me vdekje duhet të ndëshkohen. Gazetarët duhet të ndihen të mbrojtur dhe duhet të garantohet e drejta e tyre për të lëvizur lirshëm dhe për të kryer punën e tyre pa frikë nga sulmi.

    “Ne dënojmë në termat më të ashpër të mundshëm kërcënimet e tmerrshme me vdekje të marra nga gazetarët në Agjencinë e Lajmeve Tanjug. Gazetarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre, duke përfshirë edhe territorin e Kosovës, pa frikë se do ta pësojnë me ‘plumb në kokë’. Kërcënimet me vdekje ndaj profesionistëve të medias janë një sulm ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për të marrë informacion. Është thelbësore të sigurohet një hetim i shpejtë dhe i plotë për kërcënimin me vdekje, në mënyrë që autorët të pengohen nga përsëritja e sjelljeve të ngjashme kriminale në të ardhmen”, thuhej në deklaratën e IFJ-EFJ.

    Kërcënimet me vdekje përfaqësojnë një sulm serioz ndaj lirisë së medias dhe rrezikojnë më tej sigurinë e gazetarëve që punojnë në kushte gjithnjë e më të vështira në baza ditore. Sipas monitorimit të fundit të Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR), ka pasur dymbëdhjetë incidente të kërcënimeve me vdekje ndaj gazetarëve që nga janari, dhjetë prej tyre online. Prandaj është thelbësore që institucionet përkatëse të tregojnë vendosmëri për të mbrojtur lirinë e medias, duke filluar me ndjekjen penale të autorëve të kërcënimeve në internet që rrezikojnë jetën e gazetarëve përpara se të mund të përshkallëzohen përtej ekranit.