SafeJournalists: Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të ndalojnë fushatën e rrezikshme denigruese ndaj mediave kosovare

    0
    11
    photo: canva

    Pas transmetimit të një artikulli nga një media boshnjake “Slobodna Bosna” (anglisht: Bosnja e Lirë) në edicionin kryesor të lajmeve të Transmetuesit Publik të Kosovës, ku akuzonin mediat kosovare (Nacionale dhe Periskopi), se janë “të kontrolluara nga Serbia dhe Vuçiq”, deputetët dhe zyrtarë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kanë iniciuar një fushatë shpifjeje online kundër mediave kosovare. Kjo fushatë, nuk është e drejtuar vetëm ndaj mediave dhe pronarëve të mediave, por është përshkallëzuar edhe në fushata shpifëse dhe gjuhë të urrejtjes që shënjestrojnë gazetarët. Këtu përfshihen individë dhe qytetarë me ndikim që komentojnë në/këto postime.

    Artikulli i “Slobodna Bosna”, bazohet në burime dhe deklarata të një figure kontroverse të quajtur Boban Bogdanoviç, i cili identifikohet si një disident politik serb. Salih Zyba, Dimal Basha, Dejona Mihali dhe Adnan Rrustem, i kanë kritikuar publikisht mediat duke iu referuar shkrimit joprofesional e të paarguementueshëm mjaftueshëm të “Slobodna Bosna”. Fillimisht, kjo fushatë kishte në shënjestër media të veçanta, por më vonë u përshkallëzua në kërcënime kundër të gjitha mediave që operojnë në Kosovë. Më tej, deputeti Adnan Rrustemi i ka bërë thirrje Prokurorisë që të hetojë mediat kosovare për të kuptuar nëse Serbia po financon mediet online në Kosovë. Po ashtu, në një konferencë për medie që nuk ndërlidhet me temën, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pohuar se për këtë situatë e ka njoftuar Prokurorinë, dhe ka shprehur besimin e saj në RTK, si burim i besueshëm i informacionit.

    Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK, Xhemajl Rexha, pohon se situata është vërtet e rëndë. “Ne kemi vite që po përballemi me akuza të vazhdueshme nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, por situata po përkeqësohet dita-ditës. Deputetët e partisë politike të Kryeministrit Kurti, po përdorin një artikull, pa autor, vetëm me burime dhe që vjen nga Bosnja fqinje, për të akuzuar mediat kosovare se punojnë për Serbinë dhe Vuçiqin.” Përveç kësaj, ai shtoi se “Kjo seri e fushatës denigruese është tejet e rrezikshme, sa kemi frikë për sigurinë fizike të kolegëve tanë nga të dy mediat, Nacionale dhe Periskopi. Ne do ta mbajmë përgjegjës Vetëvendosjen, Qeverinë e Kosovës dhe Kryeministrin Kurti, nëse atyre u ndodh diçka.”

    Berat Buzhala, gazetar dhe pronar i portalit online NACIONALE, pohon se “Gjatë këtyre 24 orëve kemi qenë dëshmitarë të një fushate të organizuar nga qeveria, partia në pushtet dhe drejtori i RTK-së, të cilët po sulmojnë dy medie online, të bazuara në një artikull spekulativ të prodhuar në një shtet tjetër, pa asnjë prove”. Gjithashtu ai tha se “Fushata kundër NACIONALE financohet nga Vuçiq, dhe vë në rrezik jetën e çdo punonjësi në kompaninë tonë. Një sulm kaq i drejtpërdrejtë i Qeverisë ndaj medias nuk ka ndodhur kurrë në këto 25 vite liri.” Ndërsa, Ilir Mirena, i Periskopit pohon në mënyrë të ngjashme se ajo që ndryshon sulmin e fundit ndaj Periskopit dhe Nacionales nga sulmet e tjera, është se për herë të parë qeveria përdori transmetuesin publik, RTK, për të sulmuar media të tjera me lajme të paverifikuara. “Akuzat e rënda të publikuara në artikull dhe video nga transmetuesi publik dhe të shpërndara nga zyrtarë të partisë në pushtet, paraqesin thirrje për denigrim publik, duke rrezikuar sigurinë fizike të gazetarëve tanë. Çdo sulm i ardhshëm që rrezikon sigurinë fizike të stafit tone, do të konsiderohet i nxitur drejtpërdrejt nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti”, ka shtuar ai.

    Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër fushatën denigruese të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe shpërndarjen e “lajmeve”, të tilla që sulmojnë mediat tjera në Transmetuesin Publik të Kosovës – RTK. I bëjmë thirrje Kryeministrit Kurti që të dënojë këtë fushatë denigruese, dhe të distancohet nga këto akuza të pabaza. Për më tepër, ne inkurajojmë mediat e prekura që të ndjekin veprime ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për ngritjen e akuzave të tilla, të rënda, duke përfshirë burimet kryesore që qëndrojnë pas tyre.

    Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë rast.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 24.07.2024

    Association of Journalists of Kosovo
    Association of Journalists of Macedonia
    BH Journalists Association
    Croatian Journalists’ Association
    Independent Journalists Association of Serbia
    Trade Union of Media of Montenegro