AGK dënon ashpër akuzën e rëndë ndaj Berat Buzhalës për rastin e vrasjes së Sadri Sadriut

0
32

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar me akuzën e rëndë të Ilir Sadriut, djalit të Sadri Sadriut të vrarë në Ferizaj, muajin e kaluar.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Sadriu e akuzon gazetarin dhe themeluesin e portalit online Nacionale, Berat Buzhala, për përfshirje në rastin e vrasjes së babait të tij.

Sadriu ka shkruar se “fakti që rasti nuk u denoncua para gjykatave të Republikës së Kosovës, por para atyre të Serbisë, dhe duke marrë parasysh lidhjet e ngushta të Berat Buzhalës me aktorë të tjerë kriminalë në Serbi, vetëm sa e forcon dyshimin për përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në vrasjen e babait tone”.

Kjo akuzë është e rëndë dhe tepër e rrezikshme, dhe AGK-ja, e dënon fuqishëm për pasojat që mund të ketë. Pas kësaj akuze publike, siguria e Buzhalës dhe e gazetarëve të tjerë në Nacionale komprometohet seriozisht.

AGK-ja, e fton Policinë e Kosovës që të marrë masa shtesë për ofrimin e sigurisë për Buzhalën dhe ekipin e tij.