AGK dhe NDI mbajnë konferencën “Luftimi i dezinformatave me bazë gjinore” 

0
107

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik – NDI dhe USAID në Kosovë, në kuadër të Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit, organizoi konferencën “Luftimi i dezinformatave me bazë gjinore”. 

 

Xhemajl Rexha – Kryetar i Bordit të AGK-së, ngriti nevojën e emërimit të grave në pozita vendimmarrëse në media në mënyrë që të luftohet gjuha mizogjiniste më me efektivitet.  

 

“Mediat janë shpesh burim i përhapjes së gjuhës mizogjiniste, dhe ajo çfarë ne si AGK angazhohemi vazhdimisht është që në fakt ato të shërbejnë për ta denoncuar këtë gjuhë. Në këtë aspekt, do të ndihmonte shumë emërimi i më shumë grave në pozita udhëheqëse dhe vendimarrëse nëpër media, në mënyrë që lufta e përbashkët kundër gjuhës mizogjiniste të jetë më efektive.” 

 

Ambasadorja Nancy Soderberg – Drejtore e lartë rezidente e NDI në Kosovë, tha se mizogjinia përbën një nga sfidat kryesore të hapësirës informuese në Kosovë.

“Mediat kanë rol të rëndësishëm në luftimin e kësaj dukurie përmes raportimit të ndjeshëm gjinor, identifikimit të gjuhës seksiste dhe ofenduese, si dhe përmes ofrimit të mundësive dhe përfaqësimit të drejtë dhe të barbartë për të gjithë.”

Atifete Jahjaga – Presidente e Republikës së Kosovës (2011 – 2016), tha se luftimi i dezinformatave me bazë gjinore nuk është një problem i ri në shoqëri, por që është prezent tash e sa vite me radhë, e që duhet të trajtohet me shumë seriozitet nga gazetarët dhe shtëpitë mediatike. 

 

“Gjatë kohës sa unë kam qenë Presidente e Republikës së Kosovës, por edhe pas përfundimit të mandatit, më shumë ka pasë raportime dhe lajme jo të sakta rreth privatësisë sime, ndryshimeve në pamje, jetën martesore dhe foto të montuara sesa që ka pasë raportime për punën që unë bëja. Një gjendje të tillë e kam parë dhe kam qenë dëshmitare e saj për më shumë se një dekade, por çka është më e keqja, një gjendje të tillë po e shohim edhe ndaj presidentes së vendit dhe grave të tjera që janë në politikë. Mediat në Kosovë, por jo vetëm, fatkeqësisht po i targetojnë gratë që janë aktive në politikë dhe në fushën e biznesit, duke i rritur kështu steorotipet dhe diskriminimin në baza gjinore, sepse sipas tyre nuk është rëndësishme se çfarë bënë ajo grua, por se si duket.“ 

 

Paneli përbërës nga gazetarë, hulumtues dhe përfaqësues të organizatave së bashku me gazetarët pjesëmarrës të Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit, diskutuan për problemet aktuale në media që ndërlidhen me mizogjininë online dhe dezinformimin gjinor, si dhe praktikat më të mira për zbutjen e këtyre sfidave. 

 

Disa nga rekomandimet e dala nga konferenca janë si në vijim: Përfshirja e treguesve të tjerë identitarë përveç atyre burra dhe grua, përfshirja e grave më shumë në debate televizive, ndërmarrja e veprimeve bazuar në kontekstin aktual në Kosovë për të përmirësuar përfaqësimin dhe portretizimin e grave në media, si dhe zhvillimi i metodave për të identifikuar dhe minimizuar në mënyrë proaktive gjuhën seksiste në media.

 

Rekomandimet e plota së shpejti do të publikohen në platformat sociale të organizatës.