AGK: Të ndërpriten akuzat dhe gjuha nënçmuese ndaj gazetarëve

0
134

PRISHTINË, 18.07.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, i vlerëson të papranueshme akuzat dhe nënçmimet e zëdhënësit të Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala në drejtim të gazetares së “Institutit i Kosovës për Drejtësi”, Albijona Hoxhaj dhe kolegëve të saj.

Pas raportimit të “Betimit për Drejtësi” për qasjen e Viktor Buzhales në drejtim të gazetares, Albijona Hoxhaj, Buzhala ka vazhduar të përdorë gjuhë akuzuese e ofenduese ndaj gazetarëve edhe përmes një komenti në Facebook.

“Thuani që unë paskam fyer dhe ofenduar pse një pyetje konstatuese të një gazetareje tuaj e paskam quajt qesharake… Nuk është faji im pse ju mbani në punë injorantë dhe e keni nivelin e tillë”, ka shkruar ndër të tjera Buzhala.

Krahas komentit me gjuhë ofenduese për gazetarët, Buzhala ka shkruar edhe një status në profilin e tij në Facebook, ku sipas tij Instituti i Kosovës për Drejtësi rreshtohet prapa “veprimeve potenciale kriminale”.

“I njejti “Institut”, ne emer te drejtesise eshte i rreshtuar fuqishem ne mbrojtje te krimit potencial dhe aktiviteteve potenciale kriminale. Disa here eshte ndale rryma ne Pallatin e Dresise gjate seancave te rendesisishme, si Stenta 2, ndaj Uke Rugoves apo ndaj 4 ministrave. Keto ndalesa kane be qe senacat te nderpriten. Asnje ndalese nuk ka ndodhe nga KEDS. Pikerisht, ky “Institut”, e ka kamufluar ndalesen para opinionit gjate raportimit, duke thene vetem u ndal rryma”, ka shkruar pos tjerash Buzhala.

Për AGK-në është shqetësues fakti që gazetarët janë ende pre e akuzave, ofendimeve dhe sjelljeve të tilla nga zyrtarët publikë.

AGK-ja u bën thirrje zyrtarëve publikë të njohin rolin e gazetarëve në një shoqëri demokratike dhe të distancohen nga akuzat, ofendimet dhe nënçmimet në drejtim të tyre.