Dokumentet publike, të mbyllura për publikun

0
143

PRISHTINË, 04.12.2018 Institucionet publike të Kosovës janë ndër të vetmet në rajon, të cilat nuk njohin obligimin për seleksionimin e dokumenteve që janë të hapura për publikun ose konfidenciale.

Edhe pse ligji për qasje në dokumente publike parasheh që prej hartimit të një dokumenti, organet publike duhet ta vendosin klauzolën, nëse ai është publik ose konfidencial, kjo nuk zbatohet në praktikë.

Për gazetarët dhe shoqërinë civile, mungesa e klasifikimit dhe refuzimi për qasje në dokumente publike, ka krijuar probleme të vazhdueshme për realizmin e hulumtimeve dhe analizave.

Qeveria e Kosovës thotë se vetëm dy kërkesa ende nuk kanë marrë përgjigje.

Mirëpo, komuniteti i gazetarëve mendon kërkesat për qasje janë të kufizuara, për shkak të perceptimit se nuk do të marrin përgjigje.

Besnik Krasniqi, gazetar në “Koha Ditore”, thotë se institucionet kanë shkallë shumë të ulët transparence, ndërsa fare pak gjen zbatim ligji për qasje në dokumente publike.

“Ky konstatim nuk mbështetet vetëm në përvojën time, por edhe në pohimet e shumë kolegëve me të cilët e ndajmë profesionin e njëjtë. Veç kësaj, edhe shumë raporte kredibile vendore e ndërkombëtare e theksojnë të njëjtin problem, përfshirë këtu edhe raportin për Kosovën që për çdo vit e publikon Komisioni Evropian.”,shprehet ai.

Për më tepër, edhe ato kërkesa që bëhen, mbeten pa përgjigje.

“Gazetarët janë insistues, në kuptimin e adresimit të vazhdueshëm në publik të shkeljes së kësaj të drejte që është e garantuar me Kushtetutë dhe me ligj. Dhe, thuajse këtu përfundon insistimi. Kjo, për shkakun se gazetarët nuk e kanë luksin që t’i ndjekin të gjitha procedurat burokratike që i parasheh ligji, deri në realizimin e së drejtës për qasje në një dokument të caktuar. Fare pak media kanë të angazhuar juristë që mund t’i ndjekin të gjitha hallkat e ankimimit, pra, ta adresojnë problemin te Avokati i Popullit, e pastaj edhe nëpër gjykata.”, thekson Krasniqi.

Të dhënat tregojnë se që nga ardhja në pushtet e Ramush Haradinajt, qeveria e udhëhequr prej tij, ka marrë 53 kërkesa për qasje në dokumente publike, shifër kjo e vogël, krahasuar me numrin e gazetarëve që e përcjellin punën e qeverisë.

“Nga numri i përgjithshëm i kërkesave të pranuara pas trajtimit, qasje e plotë u është lejuar 36 kërkesave, qasje të pjesshme ka marrë një kërkesë, 2 kërkesa janë duke u trajtuar, ndërsa një kërkesë është pa përgjigje”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi.

Monitorimin e punës së qeverisë e kryejnë dhjetëra gazetarë, ndërsa mungesa e kërkesave për qasje tregon se gazetarët kanë gjetur rrugë të tjera për të marrë dokumentet mbi të cilat raportojnë.

“Në mungesë të realizimit të kësaj të drejte, gazetarët humbin pastaj shumë kohë për të siguruar ato të dhënat që kërkohen nga institucionet. Shpeshherë gazetarët shfrytëzojnë “rrugë klandestine” për të mbërritur te dokumentat që institucionet nuk duan t’i ndajnë me publikun. Dhe, normalisht që kjo do kohë dhe një rrjet burimesh në institucione”, thotë Besnik Krasniqi.

Ministria e Infrastrukturës, institucioni më i mbyllur

Për vite me radhë, Lëvizja Fol ka mbikëqyrur kontratat publike dhe shpenzimin e parasë publike.

Organizata ka konstatuar vazhdimisht problem për qasje në dokumente zyrtare tek institucionet.

“Duke u bazuar në kërkesat që ne i kemi bërë mund te them se disa janë vërtetë korrekte dhe bashkëpunues, ndërsa disa institucione janë shumë larg përmirësimit të gjendjes nga vitet e kaluara”, thotë Mergime Demolli Nimani nga organizata Fol.

Ajo përmend raste konkrete kur organizata ka hasur në refuzim për qasje në dokumentet e kërkuara.

“Për ne si FOL, pengesë në kryerjen e punës tonë deri më tani ka qenë Ministria e Infrastrukturës. Kjo, për faktin se gjatë monitorimit të procedurave të prokurimit, shumë herë kemi kërkuar qasje në dosje të ndryshme të tenderit, mirëpo na janë refuzuar”, ka thënë Demolli.

Në kontratat e mëdha, autostrada e re në drejtim të Gjilanit pritet të shpenzojë miliona të qeverisë së Kosovës.

Kontrata e nënshkruar nga Ministria e Infrastrukturës, nën drejtimin e Pal Lekajt, vazhdon të jetë pjesërisht e hapur.

Edhe pse ligji për qasje në dokumente përcakton se kërkuesit e dokumenteve zgjedhin formën e qasjes, kjo kontratë i është lejuar Lëvizjes Fol, vetëm në pjesë të caktuara.

“Ministria e Infrastrukturës, e cila fillimisht na refuzoi kërkesën, pas ankesës në Avokatin e Popullit dhe pasi që publikisht kemi treguar se na është refuzuar kërkesa për qasje në dosjen e tenderit për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, na kanë lejuar një qasje të pjesshme, pra nuk na kanë dhënë të gjitha dokumentet e kërkuara. Po ashtu, edhe një kërkesë tjetër të dërguar në këtë ministri nuk na janë përgjigjur”, thotë Demolli Nimani.

Avokati i Popullit ka një rol në mbikëqyrjen e ligjit për qasjen në dokumentet publike.

Pas refuzimit ose mosdhënies së përgjigjeve nga institucionet, gazetarët dhe publiku kanë të drejtë të ankohen, në këtë institucion.

Që nga fillimi i vitit deri me tash, në këtë institucion janë trajtuar 57 ankesa për refuzim të qasjes në dokumente publike.

“Nga janari 2018, e deri më sot, janë pranuar 57 ankesa, 5 nga to ishin të papranueshme”, thotë Arjola Caka nga Zyra e Avokatit të Popullit.

Edhe ky inistitucion është i mendimit se qasja në kontratat dhe projektet e mëdha është problemi kryesor sa i përket qasjes në dokumentet publike.

“Nga të gjeturat e IAP-it, gjatë hetimit të ankesave të paraqitura për qasje në dokumente publike, vërehet se vështirësi në realizim të qasjes në dokumente publike më së shumti ka në kontrata publike për projekte të mëdha”, thotë më tutje Caka.

Mërgime Demolli Nimani thekson se shteti është i interesuar t`i mbyllë kontratat e mëdha.

“Kontratat publike në shumicën e rasteve qe ne kemi monitoruar, sidomos kontratat milionëshe vazhdojnë të mbesin mbyllura”

Rastet e suksesit, vetëm përmes gjykatave

Institucionet e Kosovës janë obliguar me vendime të gjykatave që në disa raste të ofrojnë qasje në dokumente publike.

Të dhënat tregojnë se Qeveria e Kosovës është obliguar të krijojë qasje në faturat e shpenizimeve të kryeminsitrit Hashim Thaçi për Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN.

Kjo organizatë pas tetë vjetësh, ka siguruar të dhënat të cilat janë publikuar gjatë verës.

Avokati i Popullit ka renditur disa prej storieve të suksesit ku është krijuar qasje me vedime të gjykatave, dy paditë e BIRN-it ndaj qeverisë për faturat e shpenzimve dhe KPK për vendimet disiplinore, padia e Fol ndaj ministrisë së transportit për autostradën Morinë – Merdarë, padia e GAP-it për kontratën e distribucionit dhe padia e Federatës Sindikale të Pensionistëve ndaj Ministrisë së Punës.

Në janar të këtij viti, Instituti GAP kishte pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili e miraton si të bazuar padinë Institutit GAP për moslejim të qasjes në dokumente publike.

Gjykata ka konstatuar se Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe KEK-u kanë shkelur nenin 41 të Kushtetutës dhe ligjin për qasje në dokumente publike, kur nuk kanë lejuar qasje në asetet e privatizimit të KEDS-it dhe në dokumentet tenderuese për termocentralin “Kosova e Re”.

Gjykata ka konstatuar se edhe dokumentet e papërfunduara janë dokumente publike, në të cilat duhet të lejohet qasja, si dhe e ka konsideruar si të paarsyetuar përgjigjen e MZHE-së se dokumentet e privatizimit të pasurisë publike, hyjnë në kategorinë e dokumenteve konfidenciale.

Përveç kësaj, gjykata konstaton se edhe KEK-u ka bërë shkelje të ligjit për qasje në dokumente publike, kur nuk ka pranuar që të përgjigjet në kërkesat për transparencë me arsyetimin se ligji për qasje në dokumente publike, nuk aplikohet edhe për ndërmarrjet publike.

Ky aktgjykim detyron Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik që brenda 30 ditëve, të lejojë qasje në asetet e privatizuara të KEDS-it dhe në dokumentet tenderuese për termocentralin “Kosova e Re”.

Ky aktgjykim, i cili ka ardhur katër vjet e gjysmë pas parashtrimit të padisë, e që sipas Berat Thaçit nga kjo organizatë është i vonuar, duke marrë parasysh se gjatë kësaj periudhe, është përmbyllur procesi i privatizimit të aseteve të KEDS-it dhe lista e aseteve është bërë publike pas privatizimit.

“Vlen të përmendet se në listën e aseteve të privatizimit të KEDS janë përfshirë edhe katër hidrocentrale, shitja e të cilave është mbajtur sekret nga publiku dhe nga Kuvendi i Kosovës.

Përfaqësuesit e Institutit GAP dhe KOSID vlerësojnë se lejimi në qasje në asetet e KEDS në kohën kur është parashtruar kërkesa, do të parandalonte dëmtimin e interesit publik. Ata shprehin keqardhje që pas tërë këtyre fakteve, prokuroria nuk e ka parë të arsyeshme të ngrit padi për procesin e privatizimit të KEDS-it.

Gazetare: Donika Voca Gashi

Ky shkrim është prodhim i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës në kuadër të Platformës rajonale për avokimin e lirisë së medias dhe sigurisë e gazetarëve – SEWP (System of Early Warning and Prevention), e themeluar në janar të vitit 2016 me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian.