Fillon Akademia e Gazetarëve për Integritetin e Informacionit

0
115

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës -AGK, me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik – NDI dhe USAID në Kosovë, po mban sot modulin e parë të Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit.

Në hapjen e kësaj akademie, studentëve të gazetarisë dhe gazetarëve të medieve qendrore e lokale, iu adresuan Xhemajl Rexha – Kryetar i Bordit të AGK-së, Ambasadorja Nancy Soderberg – Drejtore e lartë rezidente e NDI në Kosovë dhe James Evans Butler – Zëvendësdrejtor i zyrës për Qeverisje dhe Demokraci në USAID Kosovë.

Rexha, në emër të AGK-së, falënderoi NDI-në dhe USAID-in si partnerë shumë të rëndësishëm të organizatës për mundësimin e Akademisë, duke shpresuar që përmes këtyre moduleve do të shkëmbehen praktikat më të mira për integritetin e informacionit.

“Në këtë kohë posaçërisht sfiduese për integritetin e informacionit, besoj se do të jeni në gjendje të mësoni praktikat më të mira për verifikimin e informacionit. Ju nxis që mësimet nga Akademia t’i ndani edhe me kolegët në redaksitë tuaja dhe që kjo të shërbejë edhe për edukimin e publikut.”

Ambasadorja Soderberg , theksoi rëndësinë e medieve të pavarura dhe të lira për funksionimin e mirëfilltë të demokracisë.

“Që të parandalojmë dhe luftojmë në mënyrë efektive kampanjat dezinformuese është e rëndësishme që të promovohet gazetaria profesionale, si dhe të pajisen gazetarët me njohuritë dhe praktikat më të mira për luftimin e dezinformimit”.

Teksa, James Evans Butler nga USAID, vuri në dukje nevojën për ngritjen e kapaciteteve verifikuese, forcimin e integritetit të zgjedhjeve dhe portretizimin e duhur të grave në media.

“Edukimi dhe trajnimi i gazetarëve të së nesërmes është qenësor për ruajtjen e integritetit të informacionit”, pohoi ai.

Në modulin e parë të akademisë, pjesëmarrësit së bashku me Dren Gërgurin – Ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, po diskutojnë për verifikimin e fakteve dhe vlerësimin e informacionit.

Akademia e Gazetarëve për Integritetin e Informacionit do të vazhdojë edhe me pesë module të tjera.