Gratë po rishkruajnë rregullat e gazetarisë

0
198

Gazeteria në Kosovë, ngjashëm me vendet tjera në rajon e më gjerë, vazhdon të ketë problem të madh të përfaqësimit gjinor. Kjo konfirmohet qoftë edhe me vetëm një shikim të shpejtë, në programet, emisionet e raportimet, në të gjitha format e medieve. Pjesa dërrmuese e të intervistuarëve, pavarësisht a janë burime apo ekspertë të fushës, mbesin burra.

Redaksitë dhe dhomat e lajmeve neglizhojnë përvojat e grave, duke bërë kështu që komunikimi i imazhit të gjinive të krijojë perceptime stereotipe, të limituara dhe shpesh të rreme. Por, intervenimet e para në lidhje me përfaqësimin e duhur gjinor, gjithnjë e më shumë, duket se po vijnë më shumë prej vet gazetareve, sesa prej politikave të caktuara redaktuese.

Për shembull, ishte një një gazetare, Brikenda Rexhepi, që shënoi rekord të shikueshmërisë online me emisionin debutues “Desku”, në KTV, të mërkurën në mbrëmjë (25 mars), derisa u bë një ndër të paktat gra që udhëheqin emisione politike në vend. Në anën tjetër, gjatë tetorit të kaluar, tri gazetare: Saranda Ramaj, Serbeze Haxhiaj dhe Ardiana Thaçi, fituan tri çmimet për Gazetari Hulumtuese në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi. Të tri gazetaret kanë histori të gjatë të gazetarisë hulumtuese, duke vënë kështu emra grash në autorësi të artikujve investigativ të krimit të organizar, abuzimit të pushtetit dhe korrupsionit, diçka që tradicionalisht ka qenë fushë e burrave.

Ardiana Thaçi, e cila punon si gazetare në KTV, që nga fillimi i karrierës së vet, para 15 vjetësh, ka raportuar për çështje të ndryshme, prej krimeve të luftës, temave në sektorin e sigurisë e deri te aferat korruptive.

Gjatë viteve të fundit, në teren, ajo ka parë që burrat kryesisht janë të ekspozuar ndaj korrupsionit që ndërlidhet me pabarazinë gjinore në pjesëmarrje vendimmarrëse, ku mundësia për korrupsion është më e madhe. Megjithatë, ajo thotë se “korrupsioni nuk ka moshë e as gjini”.

Për të, dilema më e madhe sa i përket përdorimit të gjuhës me ndjeshmëri gjinore është në rastet kur gratë përfundojnë në ngjarje të abuzimeve të pushtetit, si pasojë e nepotizmit. Ajo thotë se në raportimet e tilla, gazetaria duhet të kalojë pertej mendësisë, e cila i definon gratë në raportet që i kanë me burrat.

Unë gjatë raportimeve, shpesh jam ndjerë keq për faktin sepse kemi raportuar në bazë të nepotizmit dhe shpesh është dashur të citohet gruaja e dikujt që është punësuar. Por, ajo ka qenë në interes të publikut, më shumë se sa interes i përcaktmit gjinor”, thotë ajo “Në rrethana të tilla, mund të etikohet gruaja, motra, vajza e dikujt, sepse pozita që e ka fituar është për shkak të pozitës që ajo e ka brenda shoqërisë dhe familjes”.

Fokusi në abuzimin e pushtetit është edhe në qendër të raportimeve të saj, gjatë pandemisë së COVID – 19. Para një jave, ajo zbuloi se rezervat shtetërore të miellit ruhen në depon e një zyrtari të Partisë Demokratike të Kosovës, vendim ky që u mor nga Qeveria e kaluar.

Gjatë viteve të fundit, ajo ka punuar me shumë burime të mundësuara nga rrjetet sociale.

“Rritja e rrjeteve sociale ka ndikuar tejmase që të na ndihmojë që të krijohen burime të ndryshme brenda institucioneve, sepse më parë ne nuk kemi mundur të marrim informacione pa u takuar direkt me burime”, thotë ajo. “Por, sa i përket qasjes në burime mendoj që besimi që kanë njerëzit nuk ka të bëjë me gjninë, por me profesionin dhe punën se si e zhvillon”.

Thaçi thotë se, gjatë përvojës si gazetare, nuk ka hasur në pengesa brenda apo jashtë redaksisë, por pohon që storje të ndryshme sugjerojnë që redaksitë në Kosovë janë përplot me tregime të diskriminimit gjinor.

Serbeze Haxhiaj, redaktore e lajmeve në Radio Kosovë thotë se gjatë punës së saj si gazetare, nëpër medie të ndryshme në Kosovë, ajo vet, por edhe koleget e saj, janë diskriminuar nga punëdhënësit e tyre.

“Kur vjen puna për t’i deleguar sendet më të vështira nuk ia kanë prituar ta bëjnë këtë, por jo kur vjen puna për vlerësimin”, thotë ajo. Ekziston një lloj mosbesimi për pozita menaxheriale ose pozita të larta, një hezitim për t’i përfshirë gratë”.

Haxhiaj e lidh këtë edhe me vet kompozicionin e redaksive, ku pozitat e larta dominohen nga burrat. Në fakt, në Kosovë nuk ekziston ndonjë studim që zbërthen sipas gjinisë, numrin e gazetarëve, përfshirë edhe pozitat e larta. Por, në një kalkulim të thjeshtë të emrave të pronarëve e redaktorëve të shumicës së medieve, del që burrat janë në krye të medieve dhe politikave redaktoriale.

Ashtu sikurse Thaçi edhe Haxhiaj, karrierën e vet gazetereske e ka të përqendruar në temat që flasin për keqpërdorim pushteti të burrave të fuqishëm. Ajo, raportimet e saj të para i ka bërë për sistemin paralel të arsimit gjatë luftës në vitin 1998, ndërsa përgjatë dy dekadave është pikërisht trashëgëmia e luftës që karakterizon një pjesë të hulumtimeve të saj.

Meqë, shpesh, protagonistët e hulumtimeve të saj janë ish-ushtarë të shndërruar ose në lidhje me partitë poltike të dala nga lufta, shantazhet dhe kërcënimet e kanë shoqëruar Haxhiajn përgjatë shumë viteve. “Je një kukull ruse”, apo “Koka jote është në Serbi”, janë disa nga mesazhet që i ka marrë shpesh në drejtim të saj.

Ajo edhe publikisht kishte treguar sesi besimi i saj në polici dhe prokurorë ishte shpartalluar vite më parë, kur, në rastin e një kërcënimi që e kishte raportuar në polici, një nga hetuesit e policisë ndryshoi situatën faktike gjatë procesit të hetimit. U desh të kalojë nëpër dy procese gjyqësore, për ta fituar rastin.

Në një rast, Haxhiaj është kërcënuar për jetë derisa investigonte keqpërdorimet e veteranëve të luftës. Në një rast tjetër, para dy vitesh, pas shkrimeve për vrasjet e pasluftës, brenda një muaji i është ngjyrosur dy herë vetura me ngjyrë të kuqe nga persona të panjohur. Edhepse ajo ka marrë përkrahjen e organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, si të Asosacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Reporters without Borders (Reporterët pa Kufij), dhe kolegëve tjerë, RTK-ja (punëdhënësi) asnjëherë, nuk ka dënuar rastet e kërcënimeve ndaj saj. Kjo e fundit, vazhdimisht është kritikuar për anim politik ndaj PDK-së, partisë që ka qenë më së gjati në pushtet, që nga periudha e pas-pavarësisë.

Deri më tani, nuk ka asnjë publikim në Kosovë që hulumton dallimet gjinore në natyrën e kërcënimeve ndaj gazetarëve.

Ndërsa, brenda dhe jashtë dhomave të lajmeve, mungon diskutimi për përballjen e shpeshtë të gazetareve me seksizëm gjatë kryerjes së punës së tyre. Po ashtu ngacmimet seksuale nga gazetarët e redaktorët burra, vazhdojnë të jenë tema të fshehura brenda mureve të medieve. Vendi i punës, mund të jetë një nga arsyet, shpjegon Haxhiaj.

Analizat dhe studimet e ndryshme nëpër botë tregojnë se sot për gazeteret, çështje gjithnjë e më brengosëse, janë ngacmimet në platforma sociale, që shpesh janë mesazhe të padëshiruara seksuale, e në shumë raste edhe kërcënime për dhunë. Në Kosovë ende nuk është bërë ndonjë studim me gazetaret për ta shikuar shkallën e ngacmimeve online, por rrëfimet jashtë botës virtuale tregojnë për përballjen e gazetareve me ngacmime në teren.

Haxhiaj tregon sesi ka qenë në qendër të ngacmimeve seksuale, që kanë ardhur nga burrat e fuqishëm, sidomos prej atyre në politikë. Për të, përvoja më e trishtë është e para disa vitesh, brenda Kuvendit të Kosovës, ku një deputet, sipas saj, kishte bërë përpjekje të sulmit seksual.

“Ekziston kulturë e lartë e mosndëshkimit, e sidomos të ngacmimeve seksuale. Pastaj e mendon të gjithë kompleksitetin e kësaj dhe veç nuk e raporton”, thotë ajo. “Sidomos në rastet kur një politikan dërgonte mesazh, në atë kohë nuk ka qënë mundësia e Smartphone-s dhe Screenshots”.

Shqipe Gjocaj është një tjetër gazetare, së cilës i është cënuar siguria në teren. Gjatë hulumtimeve në vende të ndryshme prej burgut të grave e deri te spitali në Pejë, ajo shpesh është përballur me fjalor seksist dhe ngacmime.

“E vërenë njëfarë ambienti kërcënues”, thotë ajo. “E kanë përbrendësuar qasjen seksiste për të ngacmuar seksualisht. Nuk e njohin ngacmimin seksual as si sjellje joprofesionale apo jo të dinjitetshme, se lëre me si vepër penale që njihet përmes Kodit Penal. Krejt përkundrazi, atë çka e thonë u duket se po të japin kompliment”.

Në fakt, Gjocaj njihet për shfaqjen e seksizmit dhe mizogjenisë institucionale, qoftë përmes analizave dhe opinioneve, qoftë përmes hulumtimeve. Duke punuar si gazetare “freelance”, tash e disa vjet, ajo ka publikuar hulumtime mbi tema që nuk kanë mbërritur më herët në diskutim publik, si vdekjet maternale dhe përdhunimet në martesë.

Si avokuese për të drejta të grave dhe lexuese e rregullt, për të është i pashmangshëm përdorimi i literaturës feministe si shtyrje për të bërë hulumtime që nuk raportohen shumë, e që e kanë theksin në shkeljet e të drejtave të grave.

“Si për shembull ‘përdhunimi në martesë’ nuk është temë që është hulumtuar në zhanrin gazetaresk, e as OJQ-të që merren me të drejta të grave nuk është se kanë punuar apo avokuar për këtë formë dhune që vjen nga partneri intim”, thotë ajo. “Duke e hulumtuar këtë temë si gazetare, kam pasur mundësi të flas me persona institucional, me ekspertë gjinorë dhe aktivistë për ta vënë në pah se si ky problem, për të cilin kam lexuar në shumë libra akademikë feministë, manifestohet në Kosovë”.

Gjocaj bën pjesë në grupin e gazetareve që kundërshtojnë mendimin tradicional të raportimit me parimin e paanësisë dhe neutralitetit. Për të, aktivizmi për një kauzë, siç është ajo e të drejtave të njeriut dhe gazetaria, duhet të shkojnë paralelisht.

“Përveç që në nivel personal shkrimi është proces që më ofron kënaqësi, për mua shkrimi është po ashtu pjesë shumë e rëndësishme e aktivizmit tim feminist. Nuk kufizohem vetëm te dhënia e opinionit, por ka tema të cilat dua edhe t’i hulumtoj”, thotë ajo. “E rishtazi kam filluar të flas për punën time edhe në televizion, çka nuk kam preferuar kurrë më herët. Tash po më duket e nevojshme, sepse disa probleme shumë të mëdha, disa tema shumë të ndjeshme, disa aspekte të shkeljes së drejtave të grave, po mbyllen brenda një audience të caktuar të lexuesve”.

Puna dhe përballjet e Thaçit, Haxhiajt dhe Gjocajt tregojnë se vitet e fundit shënojnë një fazë të re të gazetarisë së Kosovës, të rishkruar nga vet gazetaret. Gjithashtu shpërfaq nevojën e domosdoshme që mediet dhe komuniteti i gazetarëve ta bëjnë çështje dite, që lufta ndaj diskriminit gjinor brenda dhe jashtë dhomave të lajmeve ta vë në pah integritetin dhe sigurinë e gazetareve.

 

Dafina Halili

Gazetare – Kosova 2.0