Mosinterpretimi i drejtë i ligjeve – pengesë për lirinë e mediave

0
164

PRISHTINË, 15.12.2018 – Gazetarët në Kosovë sot përballen me shumë sfida në ushtrimin e profesionit të tyre. Ata, pos punës me përgjegjësi që kanë, janë të shtrënguar të durojnë edhe kërcënime e shantazhe nga më të ndryshmet, raste të cilat raportohen edhe në organin që mbledh rreth vetes komunitetin e gazetarëve, në AGK, por edhe institucionet e drejtësisë. Ndonëse Kushtetuta dhe ligjet garantojnë lirinë e mediave, në terren gjendja lë për të dëshiruar. Për të parë këtë problematikë nga këndi juridik, kemi zhvilluar një intervistë me avokatin Kushtrim Palushi.

 Z. Palushi, faleminderit për gatishmërinë dhe kohën që gjetët për t`u përgjigjur pyetjeve tona!

Faleminderit nga ju, do të mundohem sadopak të jap kontributin tim, kuptohet duke u nisur nga ajo që kam parë gjatë punës sime si avokat.

Si qëndron korniza ligjore në fushën e lirisë së mediave dhe të gazetarëve në Kosovë?

Korniza ligjore në Kosovë, në lidhje me lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes, qëndron shumë mirë në letër, megjithatë zbatimi i kësaj kornize paraqet sfidën më të madhe. Rikujtojmë që Kosova ka një Kushtetutë moderne, e cila garanton të drejtat dhe liritë e njeriut në nivelin më të lartë, duke inkorporuar, përveç instrumenteve dhe konventave të ndryshme ndërkombëtare, edhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë mënyrë, Kushtetuta ka krijuar një bazament të fuqishëm për ligjet dhe institucionet në Kosovë për të përmbushur detyrat e tyre në garantimin dhe mbrojtjen e lirisë së mediave dhe lirinë e shprehjes, si dhe mbrojtjen e gazetarëve nga kërcënimet dhe sulmet në drejtim të tyre. Edhe ligjet e hartuara në funksion të zbatimit të Kushtetutës, sikurse janë Ligji Civil kundër Shpifjes, Kodi Penal i Kosovës dhe ligjet e tjera parashohin mbrojtje të lirisë së mediave në harmoni me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Cilat janë përparësitë e legjislacionit aktual në fushën e mediave në Kosovë?

Përparësia kryesore e legjislacionit aktual në fushën e mediave në Kosovë është fakti se legjislacioni është kryesisht i ri dhe i hartuar nga fillimi, duke pasur në mendje të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventa ndërkombëtare. Si rrjedhojë, organet ligjvënëse kanë pasur mundësinë të marrin praktikat më të mira nga rajoni e niveli evropian dhe ato praktika dhe parime ligjore t’i inkorporojnë në legjislacionin vendës.

Po mangësitë, sa janë evidente?

Ndërkaq, mangësitë kryesore nuk janë në legjislacion sa janë në mënyrën si ai legjislacion aplikohet dhe interpretohet. Fatkeqësisht, duke qenë se Kosova nuk është ende pjesë e Këshillit të Evropës, ne duhet të mjaftohemi me interpretimin që bëjnë gjykatat e rregullta dhe përfundimisht Gjykata Kushtetuese. Gjykatat e rregullta edhe më tutje nuk po arrijnë të nxjerrin vendime të cilat janë në harmoni me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, ndërkaq vendimet e Gjykatës Kushtetuese sado që janë më të avancuara se vendimet e gjykatave të rregullta në aspektin e lirisë së shprehjes, lirisë së mediave dhe të drejtat e njeriut, prapëseprapë janë mjeti i fundit që qytetarët dhe mediat kanë të drejtë të përdorin për të kërkuar mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të tyre.

A ka ligje apo akte nënligjore që bien ndesh me njëra-tjetrën në këtë fushë dhe në çfarë raste?

Jo, kryesisht ligjet dhe aktet nënligjore janë në harmoni me njëra-tjetrën, mirëpo sikurse rëndom ndodh me lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, shpeshherë ushtrimi i të drejtave bie në konflikt apo bie ndesh me ushtrimin e të drejtave nga të tjerët. Për shembull, liria e shprehjes është në një konflikt permanent me të drejtën në privatësi të subjekteve për të cilën raportohen. Në këtë drejtim, mund të themi se ligjet nuk ofrojnë udhëzime të qarta se si zbatuesit dhe interpretuesit e tyre të bëjnë balancë të drejtë me rastin e vendosjes se cilës së drejtë do t`i jepet përparësi, së drejtës së lirisë së shprehjes apo privatësisë.

Po në praktikë si është situata?

Në praktikë kemi një situatë jo edhe aq të mirë, sepse, sikurse potencuam edhe më herët, problem kryesor në Kosovë dhe jo vetëm në lidhje me legjislacionin që rregullon mediat, është zbatimi dhe interpretimi i drejtë i ligjeve. Në këtë drejtim, kemi probleme në disa fusha, fillimisht me njohjen, respektimin dhe zbatimin e ligjit nga organet e administratës shtetërore dhe institucionet dhe zyrtarët publikë, pastaj kemi probleme me njohjen dhe respektimin e ligjit nga individët privatë; në disa raste nga vetë gazetarët dhe mediat.

Ku e shihni ju thelbin e problemit?

Mirëpo, çka është më me rëndësi, sfida kryesore qëndron në nivelin e drejtësisë, ku ky sistem përballet me probleme të natyrës specifike, sikurse janë, për shembull, numri i madh i lëndëve dhe mungesa e specializimit të gjyqtarëve individualë të gjykatave të rregullta në fushën e lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes.

Sa zbatohen këto ligje, duke u nisur nga ligji i punës por edhe ligje të tjera që ndërlidhen me fushën e mediave në Kosovë?

Ligjet zbatohen, por jo në masë të kënaqshme. Ligji i Punës në përgjithësi është një çështje problematike sidomos në sektorin privat e në veçanti në fushën e mediave dhe gazetarëve. Mungesa e kontratave të punës, orari dhe kushtet e punës, mbrojtja dhe siguria në punë, pagesa dhe aspekte të tjera esenciale të një marrëdhënie pune nuk garantohen dhe nuk respektohen. Ngjashëm ndodh edhe me ligjet e tjera. Një situatë e tillë shkakton pasiguri dhe rrezik për gazetarët dhe mediat, nga kërcënimet, sulmet apo shantazhet.

A mund të bëni ndonjë krahasim me kornizën ligjore në fushën e lirisë së mediave të shteteve fqinje? Si qëndrojnë ato, më mirë apo më keq se Kosova?

Korniza ligjore e Kosovës është mjaft e avancuar dhe besoj që është edhe më e avancuar se ligjet e shteteve të rajonit, marrë parasysh që ajo qysh me rastin e hartimit janë marrë standardet më të mira evropiane për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave. Shtetet e rajonit dhe Kosova pak a shumë qëndrojnë në nivel të njëjtë të zbatimit të ligjeve dhe një ambient të njëjtë për gazetarët dhe mediat. Madje disa shtete janë edhe më keq se Kosova. Shembull për këtë marrim Shqipërinë apo edhe Serbinë, ku gazetarët kërcënohen, sulmohen, paditen e madje edhe dënohen nga gjykatat. Kjo jo për të thënë se në Kosovë nuk ndodhin këto gjëra, mirëpo jo në intensitetin dhe nivelin që ndodhin në shtetet e rajonit.

Do të thotë se nuk janë gjërat vetëm zi tek ne?

Jo, harrova të shtoj më lart se Kosova qëndron edhe pakëz më mirë se disa shtete të Bashkimit Evropian. Marrim shembull Sllovakinë dhe Maltën ku vetëm dy vitet e fundit në secilin prej këtyre shteteve është vrarë së paku nga një gazetar.

I kthehemi pak temës që lidhet direkt me punën e gazetarëve, a keni pasur raste kur u keni dalë në mbrojtje atyre, nëse po, në çfarë rasti ka qenë?

Po, unë në punën e përditshme si avokat kam përfaqësuar raste dhe kam mbrojtur gazetarët në raste dhe procedura gjyqësore. Në disa raste tashmë kam mbrojtur dhe vazhdoj të mbroj gazetarët nga paditë civile kundër shpifjes dhe fyerjes, të cilat më së shumti përdoren si tendencë për të heshtur dhe shantazhuar gazetarët në kryerjen e punës së tyre. Me punën time mundohem të edukoj jo vetëm gazetarët dhe palët e përfshira, por edhe institucion net publike dhe gjykatat mbi standardet më të mira evropiane të mishëruara në Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe Praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut.

Ju personalisht çfarë mendoni, a ka liri të mediave në Kosovë?

Unë vlerësoj se ka liri të mediave dhe të gazetarëve, mirëpo sigurisht edhe kjo gjë është një punë në progres, e cila kërkon kohë dhe edukim shoqëror për rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe mediave në një shoqëri demokratike. Ne jo shumë kohë më parë ishim pjesë e një sistemi tjetër qeverisës e politik, ku nuk kishte liri të shprehjes e të mendimit, ndërsa marrë parasysh kohën që ka kaluar, vërejmë progres në këtë drejtim. Megjithatë, ende kemi raste kur njerëzit mundohen t’i mohojnë apo t’i shkelin të drejtat e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, megjithatë edhe institucionet kanë filluar të kuptojnë më mirë rolin e tyre që kanë në mbrojtje të lirisë së shprehjes, mediave dhe gazetarëve.

Intervistoi: Jehona Zhitia