Përfaqësues të AGK-së pjesëmarrës në konferencën dyditore ”DISICON”, organizuar nga NDI dhe USAID

0
154

PRISHTINË, 14.06.2021 – Kryetarja e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK, Gentiana Begolli Pustina, javën e kaluar ishte pjesë e panelit diskutues në konferencën dyditore “DISICON”, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik – NDI dhe në partneritet me USAID.

Hapjen e konferencës për Integritetin e Informacionit “DISICON”, e bëri Drejtorja e Lartë Rezidente për NDI në Kosovë, Ambasadorja Nancy Soderberg. Teksa, Ambasadori amerikan, Phillip Kosnett dhe Presidenti i NDI-së, Derek Mitchell, mbajtën fjalët hyrëse me ç’rast theksuan rëndësinë e ruajtjes së integritetit të informacionit për funksionimin e mirëfilltë të demokracisë.

Në panelin e dytë të kësaj konference u diskutua për praninë dhe përhapjen e dezinformimit, profesionalizmin në industrinë e medias, çështjet ligjore dhe rregullative, rolin e medieve sociale në përhapjen e dezinformimit, si dhe përpjekjet e nevojshme për t’i luftuar këto dukuri.

Kryetarja e Bordit të AGK-së, Begolli Pustina theksoi se përhapja e dezinformatave më së shumti bëhet si rrjedhojë e kërkesave nga udhëheqës të politikave redaktoriale brenda mediumeve ose nga vet pronarët e medieve, dhe atë ekskluzivisht për interesa të ndryshme politike, ekonomike etj.

“Ajo se çfarë kam parë nga këndvështrimi im si gazetare por edhe në cilësinë e përfaqësueses së AGK-së, është se përgjatë afro një viti e gjysmë që shteti ynë ballafaqohet me pandeminë kanë qenë të pakta rastet kur ka pasur ‘fake news’, edhe pse po ballafaqohemi me nje pandemi me shumë të panjohura edhe për vet OBSH-në. Ndërkaq, nëse flasim për një muaj fushatë zgjedhore, atëherë mund të shohim afro qindra sosh. Kjo dëshmon që gazetarët dijnë se si ta bëjnë punën e tyre, por janë faktikisht pronarët apo eprorët që përcaktojnë politikat editoriale ato që tentojnë që përmes punës së gazetarëve t’i shtyjnë përpara agjendat e caktuara. Pra, nuk kemi të bëjmë me mungesën e njohurive të gazetarëve për ta kryer punën e tyre, por kemi të bëjmë me çështjen e interesave të disa pronarëve të medieve, të cilat tentojnë t’i shtyejnë para përmes gazetarisë”.

Pjesëmarrës të konferencës dyditore “DISICON”, ishin amabasadorë, drejtorë të organizatave joqeveritare, përfaqësuesë të intitucioneve, pjesëtarë të shoqërisë civile, gazetarë dhe njohës të medieve.

Tema kryesore e këtij viti në konferencën dyditore “DISICON”, ishte “Rritja e dezinformimit në demokracinë digjitale”.