SafeJournalists: Të hetohet menjëherë dëmtimi i qëllimshëm i veturës së drejtoreshës së portalit “KoSSev”

    0
    14

    Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër sulmin vandal ndaj veturës së Nevenka Mediqit, drejtoreshës së portalit “KoSSev”, që ndodhi gjatë fundjavës në qendër të Mitrovicës së Veriut.

    Vetura ka qenë e parkuar para objektit ku banon drejtoresha e “KoSSev” dhe ajo ka dëmtime të dukshme në tri vende, me shumë gjasa të shkaktuara nga lëngu i ndezshëm, siç shkruan portali “KoSSev”.

    Mediq e ka raportuar incidentin në Policinë e Kosovës, ku është marrë një deklaratë nga ajo dhe ështe kryer një hetim dhe analizë forenzike e veturës. Kjo nuk është hera e parë që ndodh një incident i tillë. Gjegjësisht, në vitin 2015, vetura private e drejtoreshës së KoSSev-it, që përdorej edhe për redaksinë, ishte djegur tërësisht në të njëjtën rrugë dhe afërsisht në të njëjtin vend, dhe autorët nuk janë ndjekur penalisht deri më sot, sepse hetimet ishin të pasuksesshme.

    Tatjana Lazareviq, redaktore e portalit “KoSSev”, ka thënë për rrjetin SafeJournalists se dëmtimi i veturës është i qëllimshëm dhe se duke qartazi që është një veprim i tillë.

    “Pres që policia të paktën të konfirmojë shkakun e dëmit. Ndonëse është drejtoreshë e portalit tonë, duke pasur parasysh volumin e punës në terren në muajt dhe vitet e kaluara, Nevenka Mediq kalon një kohë të konsiderueshme duke raportuar nga terreni dhe automjeti i saj privat është i vetmi mjet që ajo përdor për punë. Ajo është një person i kujdesshëm, dhe kjo përfshin kujdesin se ku e parkon automjetin e saj, veçanërisht pasi automjetit i është djegur edhe në vitin 2015. Epilogun e atij hetimi nuk e kemi deri më sot. Fatkeqësisht edhe në këtë situatë shprehim rezerva se hetimi do të jetë efikas dhe i saktë. Por sigurisht, nuk dua të paragjykoj. Për më tepër, pres që Policia e Kosovës ta bëjë punën e saj në mënyrë profesionale. Në fund theksoj se të gjithë ne në redaksi e bëjmë punën tonë në mënyrë sa më profesionale dhe për sa na përket neve, ne nuk kemi armiq”, thekson Lazareviq.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar këtë akt vandalizmi.

    “Ky sulm ndaj një profesionisti të medias është sulm ndaj lirisë së shtypit dhe sigurisë së gazetarëve në Kosovë. Asnjë gazetar nuk duhet të jetë kurrë në shënjestër për punën e tij ose saj, që luan një rol kritik në informimin e publikut dhe ruajtjen e vlerave demokratike. U bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të veprojnë me shpejtësi dhe në tërësi në hetimin e këtij rasti, duke u siguruar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë. Siguria e gazetarëve duhet të jetë prioritet kryesor dhe nevojiten veprime vendimtare për të parandaluar sulmet e mëtejshme që kërcënojnë komunitetin tonë mediatik”, tha Getoarbë Mulliqi, drejtore ekzekutive e AGK-së.

    Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson profesionistët e mediave në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet anëtarit të tij, AGK-së, si dhe i bën thirrje Policisë së Kosovës që të ndërmarrë veprime sa më shpejt, ta ndriçojë rastin dhe t’i ndëshkojë autorët e një akti të tillë vandalizmi.

    Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët e interesuara përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare. Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 14.10.2024

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

    Shoqata e Gazetarëve të Bosnje e Hercegovinës

    Shoqata e Gazetarëve Kroatë

    Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë

    Sindikata e Mediave të Malit të Zi