Raporti i DASh: Gazetarët në Kosovë, target i fushatave denigruese nga Qeveria dhe sulmeve fizike në veri

0
41

Departamenti i Amerikan i Shteti ka publikuar Raportin për të Drejtat e Njeriut për vitin 2023, në Kosovë. Në pjesën për lirinë e medies e shprehjes, Raporti konstaton gjetjet e AGK-së, për rrezikimin e sigurisë fizike ndaj gazetarëve gjatë raportimit në veri, si dhe sulmet e vazhdueshme nga elementë të pushtetit me fushata denigruese ndaj gazetarëve dhe medieve.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka raportuar se ka qenë target i fushatave online të njollosjes disa herë kur ka mbrojtur gazetarët dhe mediet. AGK-ja ka raportuar se zyrtarë qeveritarë, duke përfshirë kryeministrin dhe zyrtarë të partisë në pushtet, janë angazhuar në fushata denigruese në përpjekje për të minuar besimin e publikut në medie. Deri në shtator, AGK-ja raportoi 60 raste kur zyrtarë qeveritarë, liderë politikë, staf gjykatash, pjesëtarë të grupeve të biznesit, grupe komuniteti, protestues, apo grupe fetare fizikisht të kenë sulmuar gazetarët, apo i kanë kërcënuar verbalisht, duke përfshirë dëmtimin e pajisjeve, ose duke kryer sulme kibernetike kundër medieve”, thuhet në raportin vjetor.

Raporti përmend sulmin fizik ndaj gazetarit, Valon Syla, për komentet e tij rreth një imami, dhe tregon se për këtë ka pasur një proces gjyqësor.

Në raport përmenden sulmet më të rënda në veri, dhe proceset për sulmet fizike ndaj gazetarëve atje.

AGK-ja, ka shënuar 30 sulme ndaj gazetarëve që kanë mbuluar tensionet politike në veri të Kosovës në maj dhe qershor, duke përfshirë dëmtimin e pajisjeve, djegien e veturave dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve, Më 16 qershor, individë të maskuar kanë ndjekur 9 përfaqësues të medieve në Leposaviq dhe e kanë sulmuar fizikisht një kameraman të transmetuesit publik. Gazetarët pohuan se disa prej sulmeve ndodhën me aprovimin e lidershipit politik në veri, edhe pse zyrtarët mohuan ndonjë lloj përfshirje duke dënuar publikisht sulmet ndaj medieve. Policia arrestoi 8 serbë për sulmet fizike në gazetarët që raportonin për tensionet në veri, në qershor. Deri në shtator, 5 të dyshuar u liruan për t’u mbrojtur në liri, kurse 3 të tjerë mbesin në paraburgim”, thuhet në raport.

Gjithashtu, përmendet edhe pezullimi i certifikatës së biznesit ndaj Klan Kosovës, si dhe kundërshtimin e këtij vendimi të ndërmarrë nga MINT nga Gjykata Komerciale.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu: https://rb.gy/39ov8n