Reagim: AGK reagon kundër veprimit të policisë ndaj gazetares Saranda Ramaj

sar
Photo: Journalist Saranda Ramaj

PRISHTINË, 28.12.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagon ashpër ndaj veprimit të pjesëtarëve të policisë, të cilët e kanë konfiskuar telefonin e gazetares Saranda Ramaj, pa urdhër të gjykatës.

Ramaj u ndalua nga policia gjatë raportimit për procesin gjyqësor “Syri i Popullit”.

Konfiskimi i mjeteve të punës së gazetarëve, është shkelje e rëndë e nenit 4, 5 dhe 6 e Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë dhe nenit 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Burimet tona janë të mbrojtura me ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë, përkatësisht nenin 5 ku theksohet se:

“Gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medias janë të detyruar ta zbulojnë identitetin e burimit të informacionit, siç referohet në nenin 4 të këtij ligji, vetëm me kërkesë të gjykatës kompetente dhe vetëm nëse: zbulimi i identitetit të burimit të informacionit është i nevojshëm për të parandaluar një kërcënim serioz të integritetit fizik me pasojë vdekjen të një ose më shumë personave.”

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon ashpër këtë veprim të policisë, njëherësh kërkon nga Inspektorati që të merret seriozisht me shkeljet që sot janë bërë ndaj gazetares së “Koha Ditore”, Saranda Ramaj. AGK kërkon që ky rast të ndiqet nga organet e drejtësisë në mënyrë që të nxjerret një verdikt sa më i drejtë dhe i shpejtë.


Association of Journalists of Kosovo, Pristina, 28.12.2018, ,