AGK dënon gjuhën linçuese të Sami Kurteshit ndaj gazetarëve Mentor Shala dhe Ridvan Berisha

0
156

 

AGK përmes një reagimi ka dënuar gjuhën e përdorur nga  ish deputeti dhe ish Avokati i Popullit  Sami Kurteshi ndaj ish Drejtorit Ekzekutiv të RTK-së Mentor Shala dhe Redaktorit Ridvan Berisha. Në tekstin e mposhtëm gjeni reagimin.

PRISHTINË, 31.08.3019 – Linçimi publik i bërë nga Sami Kurteshi ndaj ish Drejtorit të Radiotelevizionit të Kosovës Mentor Shala dhe ish kryeredaktorit të këtij mediumi Ridvan Berisha, për AGK është i papranueshëm.

Në një postim në rrjetet sociale ku Kurteshi komenton vdekjen e Astrit Deharit në burg, shkruan pos tjerash se “Të gjitha këto veprime kriminale politiko-policore, u mbuluan me propagandën më të egër mediale gebelsiane të udhëhequr nga Mentor Shala dhe Ridvan Berisha, drejtor gjegjësisht redaktor të RTK, të përcjellur me besnikëri nga disa media elektronike, të shkruara dhe audio-vizuele”.

Linçimi publik i Sami Kurteshit nuk ndalet vetëm ndaj Shalës dhe Berishës, por vazhdon edhe ndaj një pjese të medieve elektronike dhe të shkruara.

AGK përveç që është e shqetësuar me këtë lloj të linçimit publik ndaj gazetarëve, konsideron se një gjë e tillë bëhet edhe më e papranueshme kur vjen nga persona si Sami Kurteshi, dikur Avokat i Popullit që njeh mirë rëndësinë dhe rolin e gazetarëve.

AGK fton Sami Kurteshin që të tërheq postimin e tij, të distancohet nga ky linçim dhe të kërkoj falje publike.