AGK dhe UN Women vazhdojnë angazhimin për barazinë gjinore, filluan kampanjën “Java e Raportimit për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor”

0
145

PRISHTINË, 26.03.2021 – Menaxherja e Projekteve në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës – AGK, Vesa Bala, së bashku më Shefen e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi Nushi dhe Specialisten e Barazisë Gjinore, Donjeta Morina, dje në ATV prezantuan kampanjën “Java e Raportimit për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor”.

Bala nënvizoi disa nga aktivitetet kryesore të kampanjës dhe qëllimin e saj.

“Kampanja do të zgjasë një javë dhe është e përqendruar në formatin online. Përmes saj po synojmë të ngrisim vetëdijen lidhur me pabarazitë gjinore në Kosovë dhe zgjerimin e njohurive të gazetarëve se si mund të trajtohen pabarazitë gjinore përmes BPGj-së. Disa nga aktivitetet janë shpërndarja e mesazheve nga përfaqësues të organizatave të ndryshme, publikimi i shkrimeve informuese për BPGJ-në të shkruara nga gazetarët, punëtori me studentët e Komunikimit Masiv, etj” – tha Bala.

Tuzi Nushi, përveç kampanjës, foli edhe për aktivitetet vijuese në këtë drejtim, që do të ndërmerren së bashku me AGK-në.

“Media është një nga shtyllat kryesore të mirë-informimit. Së bashku me AGK-në, e kemi diskutuar edhe realizimin e një analize të medieve në Kosovë për të dokumentuar se si qëndrojnë gratë në pozitat vendimmarrëse.” – tha Tuzi Nushi.

Teksa, Morina shpjegoi termin ‘Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor’.

“Fushata ka filluar me qëllimin që të vetëdijesohen jo vetëm mediet, por edhe qytetarët dhe institucionet lidhur me BPGJ-në, pse duhet te implementohet dhe si, për të arritur barazinë gjinore. BPGJ kërkon integrimin e perspektivës gjinore në të gjitha fazat e planifikimit dhe shpenzimit të parasë publike.” – sqaroi Morina.

Kampanja po zhvillohet në kuadër të projektit rajonal “Financimi Transformues për Barazinë Gjinore drejt qeverisjes më transparente, gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme në Ballkanin Perëndimor” financuar nga SIDA.