AGK-ja dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë shënojnë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, shqetësim për përkeqësimin drastik të gjendjes

0
53

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, sot, e ka shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit në bashkëpunim me partnerin shumëvjeçar, Misionin e OSBE-së në Kosovë.

Konferenca filloi me fjalën hyrëse të Kryetarit të AGK-së, Xhemajl Rexha, i cili citoi Indeksin e Lirisë së Reporters sans frontières / Reporters Without Borders / RSF.

“Si rrallë ndonjëherë mëngjesi ka nisur me një raport të Indeksit të Reporterëve Pa Kufij, që në vitet e fundit Kosova shënon regresin më të madh, 19 vende më poshtë sesa vitin e kaluar kur renditej në pozitën e 56-të.Kjo renditje mund të mos jetë befasi për komunitetin e gazetarëve dhe medieve në Kosovë për shkak të asaj se çka kemi përjetuar në vitin e fundit, por duhet të jetë alarm për ata që kanë ndikuar në këtë rënie…dhe këtu më së shumti e kam fjalën për institucionet e Kosovës, Qeverinë e Kosovës”, tha Rexha.

Të pranishmëve iu adresua edhe Ambasadori Michael Davenport – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, i cili tha se OSBE do t’i mbështesë gazetarët që të kryejnë punën e tyre.

“Sot është dita për ta festuar rolin vital të mediave në cilëndo demokraci, për ta informuar publikun dhe për t’i mbajtur autoritet përgjegjëse…Po ashtu, nuk është keq që të kujtojmë sot, që gazetarë duhet të ndjehen në gjendje të mirë dhe të fortë, për ta bërë punën e tyre, ata duhet së pari të ndjehen të sigurtë dhe të lirë, dhe të mos kenë frikë nga kërcënimet dhe shantazhimet… Siç tha edhe Xhemajli, raporti i Reporterëve pa Kufij e ka vendosur Kosovën në vendin e 75-të, i cili ka shënuar një rënie nga vendi 56 që ishte vitin e kaluar, dhe nuk ka nuk ka dyshim që në 12 muajt e fundit kemi pasur rritje të dhunës drejt gazetarëve.”, tha ai.

Konferenca vazhdoi me diskutimin për Sfidat e ruajtjes së standardeve profesionale dhe Kodit të Etikës gjatë raportimit, me panelistë: Imer Mushkolaj – Drejtor Ekzekutiv në Këshillin e Medieve të Shkruara të Kosovës, Jeton Mehmeti – Kryetar i Bordit të Komisionit të Pavarur të Medieve, Fatmir Menekshe – Drejtor Ekzekutiv i Radio Romano Avazo dhe Gentiana Hasani – Gazetare në IndeksOnline.

Në këtë panel u diskutua për disa nga sfidat që gazetarët përballen përgjatë raportimit nga terrene të ndryshme, si i qasen Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës – Press Council of Kosovo dhe Komisioni i Pavarur i Mediave – KPM, ankesave drejt shkeljeve të mundshme gjatë raportimit të gazetarëve dhe medieve, si dhe mënyrat e praktikat më të mira për të përmirësuar raportimin e gazetarëve dhe medieve në të ardhmen.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës javën e filloi duke e hapur ekspozitën me karikatura në nder të shënimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, në bashkëpunim me Embassy of the Netherlands in Kosovo, në hapësirën e Lapidariumit të National Museum of Kosova – Muzeu Kombëtar i Kosovës.