AGK mirëpret ngritjen e aktakuzës ndaj ish-ministrit Endrit Shala, por kërkon transparencë më të madhe nga Prokuroria

0
131

PRISHTINË 15.06.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e mirëpret vendimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për ngritjen e aktakuzës ndaj ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala për veprën penale “Sulm”, ndaj gazetarit të portalit Indeksonline, Enis Ramadani.

Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 10.02.2020, ka ngritur Aktakuzë ndaj personit me inicialet E.Sh., në drejtim të veprës penale “Sulmi”, nga neni 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i çështjes, rastin e ka proceduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë për trajtim të mëtejmë”, citohet të ketë thënë ajo në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”.

AGK shprehet tejet e shqetësuar me qasjen selektive të Prokurorit të Shtetit, i cili në pothuajse të gjitha rastet e tjera njofton publikun në lidhje me ngritjen e aktakuzave, ndërsa në këtë rast ka anashkaluar këtë praktikë. Qasja e tillë selektive përbën shkelje të Ligjit të Prokurorit të Shtetit, i cili njoftimin e publikut duhet ta bëjë në mënyrë të drejtë dhe në kohë të arsyeshme, sikurse vepron për të gjitha palët.

AGK kërkon nga organet e drejtësisë që t’i trajtojnë me seriozitet rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në mënyrë që t’iu mundësohet përmbushja e rolit të tyre jetik për garantimin dhe zhvillimin e demokracisë në vend. Dënimet e merituara duhet të jenë të pashmangshme në të gjitha rastet e sulmeve apo kërcënimeve ndaj gazetarëve, të cilat raportohen në vazhdimësi.