AGK shënon 3 majin – Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit nën moton “Blackout May”

0
159

PRISHTINË, 03.05.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, sot ka shënuar 3 majin – Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit me moton “Blackout May”. Kjo moto shërben si thirrje për të gjitha institucionet që të shohin se si do të dukej një ditë pa medie.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, AGK-ja në bashkëpunim me partnerët e vetë si dhe këtë vit me mbështetjen edhe të Ambasadës Amerikane në Kosovë, mbajti një tryezë diskutimi me temën “Sfidat e lirisë së medieve dhe sigurisë së gazetarëve në Kosovë”.

Ambasadori Michael Davenport – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, u adresua përmes një video mesazhi, me ç’rast u bëri thirrje medieve që ta luftojnë keqinformimin duke raportuar drejt dhe me fakte.

“Publiku mbështetet në profesionistët e mediave për të dhënë informata të sakta dhe për ta luftuar keqinformimin, bazuar në raportimin etik dhe me bazë në fakte. Kohët kritike si këto u bëjnë thirrje pronarëve të mediave, redaktorëve dhe gazetarëve që ta ushtrojnë ndikimin e tyre me përgjegjësi dhe qeverive që t’i krijojnë kushtet e duhura për këtë”.

Ulrika Richardson – Koordinatore për Zhvillim e KB-së, foli për rolin e rëndësishme të gazetarëve në shoqërinë tonë.

“Gazetarët kanë një rol shumë të privilegjuar në shoqëritë tona, ata kanë veshin dhe besimin e njerëzve, dhe që natyrisht kjo vjen me një përgjegjësi të madhe për të qenë në gjendje të japin informacion në mënyrë të paanshme dhe të pavarur sa më shumë që të jetë e mundur. Tani, me këtë vijnë edhe përgjegjësitë e institucioneve që kanë për të siguruar që ekzistojnë kushtet e duhura që gazetarët të kryejnë profesionin e tyre, e që është profesion Nobel”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, për nder të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, u adresua përmes një thënie ku tha se sulmet ndaj gazetarëve janë sulme ndaj vetë demokracisë.

“Një shtyp i gjallë, i lirë – që e informon publikun, fuqizon zërat e ndryshëm dhe mban përgjegjës zyrtarët publikë – është përbërësi themelor në çdo demokraci të qëndrueshme. Gazetarët e meritojnë respektin dhe mbrojtjen tonë. Kërcënimet dhe sulmet ndaj tyre janë sulme ndaj vetë demokracisë”.

Lars-Gunnar Wigemark – Shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit gjatë fjalimit të tij tha se liria e medieve nuk duhet të merret e mirëqenë, por duhet të mbrohet si njëra nga shtyllat kryesore të shoqërisë.

“Liria e medias është në themel të një sistemi demokratik dhe si e tillë, ajo kurrë nuk duhet të merret si e mirëqenë, por përkundrazi duhet të ushqehet dhe mbrohet si një ndërtesë e një shoqërie më të mirë për të gjithë”.

Në lidhje direkte ishte edhe Ambasadorja Nancy Soderberg – Drejtoreshë e Lartë e NDI-së në Kosovë, e cila u shpreh se mediet luajnë një rol kyç në stabilitetin demokratik.

“Gazetarët janë në vijën e parë të frontit në mbrojtje të demokracisë dhe padyshim jeni pushteti i katërt…. Ju dhe mediet keni një rol kyç në mbajtjen e stabilitetit demokratik dhe për të ju kërkuar liderëve llogaridhënie”.

Para të pranishmëve për lirinë e medieve dhe sigurinë e gazetarëve, u adresua edhe Kryetarja e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli Pustina, e cila theksoi se klima e të bërit gazetari po vazhdon të rëndohet nga viti në vit.

“I keni parë edhe vetë ju, me sa lehtësi sulmohen fizikisht kolegët tanë, ne mes të ditës, e në qendër të Prishtinës. Për shumicën e sulmeve nga organet e drejtësisë e kemi përgjigjen e zakonshme “ hetimet vazhdojnë”, “jemi në rrugë të mirë për ndriçim të rastit” e të ngjashme.. Derisa kemi përgjigje të njëjta nga viti në vit, klima e të bërit gazetari po rëndohet. E përderisa ky realitet vazhdon neve shoqërisë civile, gazetarëve, e mekanizmave ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë na mbetet që të vazhdojmë ta ngrisim zërin për domosdoshmërinë e përmirësimit të klimës së të bërit gazetari”.

Në këtë 3 maj, u përkujtuan edhe gazetarët e vrarë dhe të pagjetur gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë, ku iu kërkua institucioneve përkatëse që e vërteta për ta të ndriçohet sa më parë, nën sloganin “Të vërtetën e keni para syve”.

Në panelin diskutues përmes platformës Zoom, gjithashtu ishin të pranishëm: Nancy Soderberg – Drejtoreshë e Lartë e NDI për Kosovë, Ricardo Gutiérrez – Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Imer Mushkolaj – Drejtor i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës , Ardiana Thaçi – Gazetare , Betim Musliu – Gazetar , Darko Dimitrijevic – Gazetar , Flutura Kusari – Juriste e së drejtës së medias dhe kolegë të tjerë gazetarë.

Diskutimin e plotë virtual mund ta shikoni në këtë vegëz: https://fb.watch/5fOWSG5BIm/