AGK: Të ndalen kërcënimet ndaj burimeve të gazetarëve

0
112

PRISHTINË 26.11.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka marrë me shqetësim njoftimin se drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Basri Sejdiu, ka kërkuar zbulimin dhe dënimin e personit që ka bashkëpunuar me mediet, pas publikimit të videos së vërshimeve ku faktohen kushtet jashtëzakonisht të këqija të mbajtjes dhe ruajtjes së barnave në Barnatoren Qendrore në QKUK.

Ky fakt paraqet censurë dhe shkelje të të drejtave të punëtorëve dhe ndikon drejtpërdrejt në punën e medieve, duke u shkaktuar kështu pengesa në marrjen e informacioneve, në kohën kur institucionet çdo ditë e më shumë po vazhdojnë të mbyllen për publikun. Një gjë e tillë bie në kundërshtim edhe me Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, ligj ky, i cili, sapo është miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe pritet që brenda tetë ditëve të hyjë në fuqi.

Kujtojmë se ky ligji mbron sinjalizuesit dhe obligon institucionet e Kosovës dhe jo vetëm, që të ofrojnë garanci për sinjalizuesit. Në të kundërtën, mos respektimi i neneve të këtij ligji përbën vepër të sanksionueshme për të gjithë.

AGK mbështet fuqishëm punën profesionale të të gjitha institucioneve dhe beson në parimet bazë të profesionit, po ashtu angazhohet që të siguroj ambient të favorshëm dhe të sigurt për gazetarët në ushtrimin e punës profesionale.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreson se ky shqetësim do të kuptohet qartë dhe drejtë nga të gjithë palët.