Gazetarët të përjashtohen nga ndjekja penale në projektligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar

0
164

PRISHTINË 24.10.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka marrë pjesë në tryezën e diskutimit në lidhje me projektligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, të organizuar nga Qeveria e Kosovës si sponzorizuese e këtij projektligji.

Qëndrimet e dërguara me shkrim gjatë procesit të konsultimeve publike në lidhje me projektligjin në fjalë, AGK i ka shpalosur edhe sot gjatë diskutimit të hapur me akter të institucioneve vendore, përfaqësues nga zyra e BE-së në Kosovë si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Sipas nenit 71, pikës 3 të projektligjit për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar në të cilin bëhet fjalë për sanksionet penale “Personi i cili publikon pa autorizim informacionin e klasifikuar sipas këtij ligji si “TEPËR SEKRET”, dhe cilido bartës i autorizuar i informacionit të tillë të klasifikuar i cili nuk e mbron informacionin e klasifikuar siç kërkohet me këtë ligj, kryen vepër penale dhe dënohet me burgim prej pesë (5) deri dymbëdhjetë (12) vite”.

Përfaqësuesi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Ardian Nikolla, ka paraqitur qëndrimet e AGK-së në lidhje më këtë projektligj, duke thënë se një bazë e tillë ligjore do të cenonte të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të mediave, si dhe do të ketë efekt frenues tek burimet dhe sinjalizuesit, të cilët, do të hezitonin të ndanin me gazetarë informacione që janë në interes të publikut, duke bërë kështu që mediat të pengohen që të realizojnë detyrën e tyre për të informuar publikun me informacione të sakta dhe të besueshme.

Për më tepër, AGK ka konsideruar se kjo bazë ligjore është në kundërshtim dhe duhet të harmonizohet me projektligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve që gjatë këtij viti ka kaluar leximin e parë në Kuvendin e Kosovës. Sipas këtij projektligji, sinjalizuesit mbrohen nga çdo ndjekje penale apo civile për raportimin apo zbulimin e informacioneve që janë me interes të përgjithshëm.

AGK ka kërkuar nga komisioni për draftimin e projektligjit për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar të bëhet përjashtim nga ndjekja penale për gazetarët, burimet e tyre dhe sinjalizuesit.