Lëvizja FOL i ndanë Çmimin për Guxim Qytetar punonjësve medialë që raportuan nga veriu i Kosovës

0
45

Gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët që kanë raportuar nga veriu i Republikës së Kosovës gjatë këtij viti, u nderuan mbrëmë me Çmimin për Guxim Qytetar.

Çmimi i cili ndahet nga Lëvizja FOL, është ndarë për punonjësit medialë për arsye se kanë raportuar nga atje pa mjete mbrojtëse duke rrezikuar kështu jetën për informim të qytetarëve.

Në emër të gjithë gazetarëve, kameramanëve e fotoreporterëve çmimin e pranoi Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha.

Krahas Çmimit për Guxim Qytetar, FOL, ndau mirënjohje për AGK-në, për angazhimin në sensibilizimin e publikut për rreziqet në të cilat punonjësit medialë janë ballafaquar gjatë raportimeve në veri të vendit, si dhe mirënjohje për juristen e së drejtës së medias, Flutura Kusari, për përkushtimin e saj dhe dedikimin e jashtëzakonshëm në sigurimin e mjeteve mbrojtëse për gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët që raportojnë nga terrenet me rrezikshmëri.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës falënderon Lëvizjen FOL për vlerësimin e dhënë ndaj kolegëve që raportuan nga veriu i Republikës së Kosovës.