Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik – NDI dhe USAID në Kosovë, sot ka mbajtur konferencën “Ndikimet nga jashtë në mediat në Kosovë; Çfarë nxorri në pah lufta në Ukrainë?”.

Fjalët hyrëse të konferencës u prezantuan nga Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha dhe Ambasadorja Nancy Soderberg – Drejtore e Lartë Rezidente e NDI në Kosovë.

Në pjesën e parë të konferencës, paneli i përbërë nga Ardita Zejnullahu – Drejtore Ekzekutive e Asociacionit të Mediave të Pavarura të Kosovës, Besnik Berisha – Anëtar i Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave, Nazim Rahimi – Kryetar i Bordit të ARKEP-it dhe Shpend Lutfiu – Zyrtar i Lartë për Siguri Kibernetike në po të njëjtën organizatë, diskutuan për mekanizmat parandalues për shpërndarjen e propagandës.

Panelistët së bashku me pjesëmarrësit e Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit, diskutuan për propagandën nga jashtë dhe lajmet e rreme në Kosovë, legjislacionin në fuqi për mbylljen e ueb faqeve si dhe sigurinë kibernetike.

Teksa, ndërtimi i rezistencës së mediave ndaj dezinformatave nga jashtë u diskutua në pjesën e dytë të konferencës së bashku me Visar Prebrezën nga BIRN dhe Lyudmila Makey – Gazetare nga Ukraina.

Në këtë pjesë u diskutua për mënyrat e verifikimit dhe filtrimit të informacioneve para se të publikohen ato, identifikimi i informacioneve që dalin nga burime që mund të kenë ndikim negativ në mjedisin medial në Kosovë, si dhe luftën e vet mediave në këtë drejtim.

Gjithashtu, në fund të konferencës u bë certifikimi i pjesëmarrësve të Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit. Akademi kjo që filloi në nëntor të vitit 2021 dhe përmes së cilës u ofruan një seri e trajnimeve dhe diskutimeve lidhur me integritetin e informacionit, profesionalizmin në gazetari dhe prezencën e dezinformimit, etikën gjatë raportimit me fokus të veçantë në portretizimin e grave në media dhe perspektivën ligjore të gazetarisë dhe mediave.