Deklarata e Përditësuar nga Rrjeti SafeJournalists në lidhje me Arrestimin e Gazetarit Ervis Hasanaga në Shqipëri

    0
    45
    photo: canva

    Rrjeti i SafeJournalist ka ndjekur nga afër zhvillimet rreth arrestimit së fundmi të gazetarit Ervis Hasanaga në Shqipëri. Hasanaga u arrestua më 30 maj nën akuzën e falsifikimit kompjuterik (Neni 186/a i Kodit Penal) për publikimin e lajmeve të pa verifikuara në një portal interneti.

    Sipas autoriteteve, Hasanaga, së bashku me individë të tjerë, publikoi lajme të rreme në portalin Shqipnews.info, të cilat synonin denigrimin e zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit. Portali, i cili nuk ishte i regjistruar ligjërisht dhe kishte domenin e blerë jashtë Shqipërisë, pretendohet se u krijua dhe menaxhohej nga një Shef Sektori i Agjencisë për Mbikëqyrjen e Policisë në Durrës, Shqipëri, i cili orkestroi skemën për të dëmtuar kolegët ose eprorët e tij. Ky individ ende nuk është arrestuar. Materialet për publikim iu dhanë Hasanagës përmes një anëtari tjetër të stafit të së njëjtës agjenci.

    Prokuroria ka klasifikuar veprimet e Hasanagës si falsifikim kompjuterik, një vepër e rëndë penale e dënueshme me burg. Ata argumentojnë se publikimi i paautorizuar i lajmeve të rreme përbën një përpjekje të qëllimshme për të manipuluar dhe paraqitur të dhëna të rreme si autentike. Megjithatë, baza ligjore për falsifikimin kompjuterik nuk adreson denigrimin dhe dëmtimin e imazhit.

    Më 2 qershor, gjykatësi pranoi kërkesën e prokurorisë, duke konfirmuar të drejtën e tyre për të hetuar më tej çështjen. Gjykata vendosi një masë “detyrim paraqitjeje” për Hasanagën deri në përfundimin e hetimeve.

    Avokati i Hasanagës, Ylli Kamberi, argumenton se nuk ka pasur vepër penale në këtë rast dhe se arrestimi ishte i paligjshëm. Kamberi i tha BIRN-it se Hasanaga nuk u arrestua në flagrancë, siç raportoi policia, por u paraqit vullnetarisht tek autoritetet pasi u thirr për sqarim. Avokati theksoi se Hasanaga nuk ka falsifikuar asnjë të dhënë, por thjesht publikoi një artikull që më pas rezultoi i rremë. Kur u informua se lajmi ishte i rremë, Hasanaga e fshiu menjëherë atë. Kamberi argumenton se çështja duhet trajtuar si çështje civile ose administrative dhe jo penale, duke theksuar se publikimi i lajmeve të rreme nuk përbën falsifikim kompjuterik.

    Rrjeti SafeJournalist thekson që gazetarët duhet t’i përmbahen kodit të tyre etik dhe të ruajnë integritetin dhe përgjegjësinë në raportimet e tyre. Ne gjithashtu theksojmë se është e domosdoshme të hetohen me rigorozitet veprimtaritë e paligjshme, si përdorimi i portaleve për zhvatje ose dëmtimi i qëllimshëm i dinjitetit dhe imazhit të dikujt; megjithatë, kjo duhet të bëhet në një mënyrë që gjithashtu mbron lirinë e medias.

    Në këtë rast, ne shprehim rezerva për vendimin për të klasifikuar publikimin e lajmeve të pa verifikuara si falsifikim kompjuterik. Ky klasifikim vendos një precedent të rrezikshëm që mund të çojë në një efekt frenues dhe autocensurë edhe midis gazetarëve që punojnë në interes të publikut. Përdorimi i akuzave të rënda penale si falsifikimi kompjuterik, i cili lidhet me manipulimin e sistemeve dixhitale dhe integritetin e të dhënave, është joproporcional me veprimet e publikimit të lajmeve të pa verifikuara.

    Ne njohim sfidat e mëdha në Shqipëri në lidhje me integritetin e informacionit në mediat online, siç dëshmohet në Raportin tonë mbi Indikatorët për Lirinë e Medias dhe Sigurinë e Gazetarëve në Shqipëri dhe për të adresuar këtë çështje dhe për të mbrojtur lirinë e medias, rekomandojmë sa vijon:

    • Ne i bëjmë thirrje të fuqishme gazetarëve të përmbahen rreptësisht nga kodi i tyre etik, të ruajnë integritetin e informacionit që publikojnë dhe të distancohen në mënyrë të qartë nga çdo praktikë që përfshin shantazh, zhvatje, lajme të rreme ose dezinformim.
    • Forcimi i vetë-rregullimit brenda industrisë së medias përmes respektimit të kodeve dhe standardeve etike.
    • Përdorimi i çdo mjeti mediatik si instrument për shantazh ndaj zyrtarëve publikë, individëve privatë apo bizneseve nuk duhet të normalizohet dhe duhet të trajtohet siç duhet.
    • Autoritetet duhet të sigurojnë që veprimet ligjore kundër gazetarëve të jenë proporcionale dhe të përshtatshme, duke dalluar mes veprave penale dhe çështjeve civile/administrative.
    • Hetimet mbi praktikat gazetareske duhet të jenë të plota, transparente dhe të drejta, me prova të qarta dhe bindëse.
    • Shqipëria duhet të respektojë rekomandimet e Komisionit të Venecias në lidhje me mediat online dhe standardet e Këshillit të Evropës dhe praktikat e mira në Bashkimin Evropian.

    Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër dhe të avokojë për një zgjidhje të drejtë që respekton lirinë dhe rolin kritik të gazetarëve në shoqëri, ndërsa mbështet parimet e përgjegjësisë dhe sundimin e ligjit.