Rrjeti SafeJournalists: Të zhgënjyer për sekuestrimin e pajisjeve të gazetarit shqiptar dhe presionin për zbulimin e burimeve të tij

    0
    47
    photo: canva

    Rrjeti SafeJournalists ka ndjekur nga afër rastin e Elton Qyno, gazetar i televizionit Ora News, i cili u mor në pyetje për afro shtatë orë më 13 dhjetor 2023, në Tiranë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të  Organizuar (SPAK), dhe konkretisht iu kërkua të zbulojë burimet e tij. Në një deklaratë publike, SPAK pohoi se Qyno ka publikuar artikuj në Ora News, të cilat dyshohet se janë një zbulim i paligjshëm i të dhënave sekrete nga hetimet paraprake në lidhje me një çështje penale (Nr. 75/2022). Gjatë marrjes në pyetje më 13 dhjetor 2023, Qynos iu kërkua të shpjegonte se si i kishte marrë të dhënat, të zbulonte burimet e tij dhe pse zgjodhi t’i publikonte ato, veprime të ndaluara nga ligji procedural. Qyno e mbajti konfidencial me vendosmëri burimin e tij, duke iu referuar sekretit profesional gazetaresk.

    Si kundërpërgjigje, SPAK siguroi më pas tre urdhra të Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që i mundësuan hetuesit e SPAK të kryenin inspektimin personal të Elton Qynos, kontrollin e banesës private dhe zyrës së tij në TV Ora News dhe sekuestrimin e kompjuterit me të dhëna në vendin e tij të punës, skedarë, CD, çelësat e makinës (më pas iu rikthyen) dhe laptopin e shtëpisë si dhe dy celularë të gjetur në një bar kafeje pranë SPAK. Më parë, SPAK me një urdhër të datës 14 qershor 2022, kishte ndaluar Elton Qynon të publikonte të dhëna në lidhje me këtë hetim penal, ky i fundit gjithsesi vazhdoi të publikonte artikuj, duke rezultuar në një hetim të ri nga SPAK sipas procedurës penale numër 245/2023 për zbulim të mundshëm të paligjshëm të të dhënave sekrete. Gjatë marrjes në pyetje më 13 dhjetor, Qyno firmosi një deklaratë të parashtruar nga hetuesit e SPAK-ut dhe u angazhua se nuk do të publikonte asnjë informacion nga hetimi në vazhdim për këtë çështje dhe që prej asaj kohe nuk ka publikuar asgjë.

    Më 15 dhjetor 2023, Qyno shprehu zhgënjimin e tij për veprimet e SPAK-ut. Urdhrin për sekuestrimin e pajisjeve ai e ka ankimuar në Gjykatën Speciale të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (këtu). Avokati i gazetarit, Dorian Matlija, thotë se urdhrat e shkallës së parë janë shumë të gjera, të dhëna me nxitim dhe nuk lejojnë që gazetari apo avokati i tij të jenë të pranishëm gjatë inspektimeve të hetuesve në banesë e tij dhe ne zyrë. Ai thotë se këto urdhra janë në kundërshtim me standardet e vendosura nga Gjykata e Lartë për mbrojtjen e burimeve dhe materialeve gazetareske. Urdhrat e Shkallës së Parë të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë në kundërshtim me standardin e GJEDNJ-së për mbrojtjen e burimeve sipas reagimeve të avokatit të Qynos dhe organizatave të tjera të pavarura në Shqipëri.

    Rasti ka marrë një solidaritet të konsiderueshëm nga gazetarët dhe kolegët në Shqipëri, duke mbështetur parimin se një gazetar nuk duhet të zbulojë burimet e tij.

    Rrjeti SafeJournalists vëren se SPAK duhet të kishte përdorur të gjitha metodat e disponueshme hetimore për të hetuar rrjedhjet e mundshme nga institucioni i tyre, pa bërë presion për zbulimin e burimit dhe pa sekuestruar pajisjet e gazetarit. Agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të kenë prioritet sigurimin dhe ruajtjen e informacionit në lidhje me hetimet përpara se të targetojnë gazetarët dhe burimet e tyre. Kjo qasje është jetike për të mbrojtur gazetarët dhe për të siguruar hetime profesionale dhe gjithëpërfshirëse.

    ”Rrjeti e ka peshuar kompleksitetin e rastit të gazetarit Elton Qyno. Ndërsa mbështesim me vendosmëri parimin e mbrojtjes së burimit gazetaresk, ky rast na kujton gjithashtu rëndësinë e gazetarëve për të respektuar kodin e etikës. Ne mbrojmë një mjedis mediatik ku integriteti i gazetarëve bashkëjeton me pajtueshmërinë ligjore, duke theksuar nevojën për një kuadër ligjor që harmonizon mbrojtjen e burimeve gazetareske me parimet e drejtësisë dhe transparencës. Zgjidhja e kësaj çështjeje mund të përbëjë një precedent të rëndësishëm për mënyrën sesi liritë e gazetariëve balancohen me kërkesat e proceseve gjyqësore në Shqipëri, duke ndikuar potencialisht në besimin mes gazetarëve, burimeve të tyre dhe publikut, por edhe me agjencitë ligjzbatuese” – Blerjana Bino Kërkuese e SJN në Shqipëri.

    Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetesim pasi mësoi se Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka autorizuar SPAK-un të kontrollojë banesën dhe zyrën e Elton Qyno-s dhe të sekuestrojë pajisje me synimin për të zbuluar burimet gazetareske. Një vendim i tillë përbën një kërcënim të madh për lirinë e medias dhe mund të pengojë burimet te cilat në të ardhmen ndajnë informacion me gazetarët.

    Rrjeti SafeJournalists i kërkon SPAK-ut t’i kthejë pas të gjitha pajisjet Elton Qyno-s dhe të përmbahet në të ardhmen nga nisja e rasteve që rrezikojnë burimet e gazetarëve.

    Rrjeti SafeJournalists pret vendimin e Gjykatës Speciale të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në këtë drejtim.

    Rrjeti SafeJournalists solidarizohet me Elton Qyno dhe gazetarë të tjerë në Shqipëri dhe do të vijoj ta monitoroj këtë rast nga afër.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve prek interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve.

    Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 21 dhjetor 2023

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Gazetarëve të BH

    Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

    Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

    Sindikata e Mediave të Malit të Zi