SafeJournalists: Gazetarja në Kosovë pengohet të kryejë detyrën e saj

    0
    43
    photo: canva

    Një nga anëtarët e ekipit të mbrojtjes së afërt të Kryeministrit ka penguar ditën e djeshme gazetaren Blerta Dalloshi – Berisha dhe e ka shtyrë teksa po kryente detyrën.

    Në një video të publikuar në profilin e Blerta Dalloshi Berishës në rrjetin social Facebook, shihet një nga anëtarët e ekipit të mbrojtjes së kryeministrit duke i kapur mikrofonin dhe duke ia shtyrë dorën teksa gazetarja tenton t’i bëjë një pyetje Kryeministrit Albin Kurti.

    “Kjo është hera e dytë që më sulmojnë dhe më pengojnë gjatë kryerjes së detyrave të mia profesionale”, ka shkruar Blerta Dalloshi Berisha në Facebook, “megjithatë ngjarja e sotme i kalon çdo gjë tjetër”. Ajo thotë se përveçse ia kanë kapur mikrofonin dhe e kanë shtyrë, e kanë ndalur dhe kamerën e tyre. “Dora e djathtë ende po më dhemb”, tha Dalloshi Berisha.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, e konsideron të papranueshme një sjellje të tillë nga mbrojtja e afërt e kryeministrit Albin Kurti ndaj gazetares së TV Klan, Blerta Dalloshi Berisha. Xhemajl Rexha – Kryetar i AGK-së, thotë se Asociacioni është i tmerruar nga mënyra se si sigurimi, pjesëtar i Policisë së Kosovës e ka sulmuar gazetaren. “Kërkojmë hetim të shpejtë nga Policia dhe dënim të qartë të kësaj sjelljeje nga kryeministri. Gazetarët duhet të lejohen të bëjnë të gjitha pyetjet e nevojshme që janë me interes publik”, tha Rexha.

    Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson profesionistët e medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet anëtarit të tij, AGK-së, në dënimin e ashpër të këtij sulmi të rëndë ndaj gazetares Blerta Dalloshi Berisha. Rrjeti u bën thirrje institucioneve kompetente në Kosovë, përfshirë edhe Zyrën e Kryeministrit, që të trajtojnë këtë rast urgjentisht dhe të dënojnë sjellje të tilla ndaj gazetarëve.

    Rrjeti SafeJournalists do të monitorojë nga afër zhvillimet në lidhje me këtë rast dhe do të informojë palët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare.

     

    Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 29.12.2023

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Gazetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës

    Asociacioni i Gazetarëve të Kroacisë

    Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

    Sindikata e Mediave në Malin e Zi