SafeJournalists: I papranueshëm vandalizimi i zyrave të QIKAs në Prishtinë

    0
    61
    photo:

    Logoja e organizatës joqeveritare Qendra për Informim, Kritikë dhe Veprim – QIKA nga Prishtina, e cila operon edhe si media feministe, është vandalizuar sot. Në deklaratën e organizatës, QIKA raporton se vandalizmi i logos së tyre ka ndodhur pas transmetimit të emisionit “Ngjyrat e Dashurisë”, dhe vendosjes së flamurit të komunitetit LGBTIQ+, në ballkonin e QIKA-s.

    Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës – AGK, ky akt është i papranueshëm, i turpshëm dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtave të njeriut, lirisë së shprehjes dhe mediave. “Po bëhet trend shqetësues dhe ka ndodhur vetëm disa ditë pasi Prishtina ishte nikoqire e një tjetër Parade të Krenarisë”, tha Xhemajl Rexha, Kryetar i AGK-së. “QIKA është sulmuar edhe më herët për motive të ngjashme dhe është tejet shqetësuese. Nei bëjmë thirrje autoriteteve që të kryejnë hetime të shpejta për rastin, pasi kjo rrezikon stafin dhe ndikon në punën shumë të rëndësishme që bëjnë si një platformë online e rrallë feministe”, shtoi ai.

    Vandalizmi i logos së QIKA-s, kontribuon në gjuhën e urrejtjes dhe sulmeve verbale ndaj individëve të komunitetit LGBTIQ+. Përveç kësaj, ajo portretizon edhe mjedisin e ashpër në të cilin gazetaret duhet të kryejnë detyrat e tyre profesionale. Për më tepër, kjo nuk është hera e parë që kjo organizatë bëhet cak i sulmeve të ngjashme.

    Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson profesionistët e medias në Ballkanin Perëndimor, i kërkon Policisë të hetojë këtë rast. Gjithashtu, bën thirrje për tolerancë dhe respekt për grupet e ndryshme dhe të drejtat e tyre ligjore.

    Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Prishtinë, 12.06.2024

    Association of Journalists of Kosovo

    Association of Journalists of Macedonia

    BH Journalists Association

    Croatian Journalists’ Association

    Independent Journalists’ Association of Serbia

    Trade Union of Media of Montenegro