Roli i medieve – Sfidat e gazetarëve dhe aktivisteve që raportojnë për çështjet e barazisë gjinore

0
182

Roli medieve

Hulumtimi dhe raportimi për çështjet gjinore ka filluar me zënë hapësirë në medie më shumë viteve të fundit. Mirëpo, shpesh herë gjatë këtyre raportimeve kemi pas rastin të shohim edhe publikime e hulumtime në të cilat nuk është respektuar etika mediale, dhe rregullat profesionale gazetareske. Kjo ka ndikuar në një informim jo cilësorë gjë që ka pasur ndikim negativ, jo vetëm tek personat që kanë qenë pjesë e rastit të caktuar për çfarë është raportuar, por edhe tek publiku në përgjithësi. Kjo për faktin se temat e tilla janë kryesisht më të ndjeshme dhe kërkojnë respektim të Kodit të Medieve të Shkruara, sikurse një respektim ndaj këtij kodi kërkohet në secilin publikim pa përjashtim.

Në momentin kur hulumtojmë dhe raportojmë në Kodin e Medieve të Shkruara, thuhet se duhet pasur kujdes në përdorimin e shprehjeve denigruese me qëllim të lëndimit apo kërcënimit të një individi apo grupe mbi baza të përkatësisë etnike, gjinore, racore, apo paaftësisë fizike dhe mendore. Mirëpo, edhe përkundër kësaj, në disa raste mediet nuk kanë respektuar këtë kod. Ato kanë publikuar tituj e shkrime të cilat kanë pasur përmbajtje seksiste dhe përdorim të stereotipave të ndryshme. Andaj, kjo ka nxitur edhe reagimin e organizatave që merren me të drejtat e grave në Kosovë.

Sipas, Donjeta Morinës nga UN Women, mediet kanë shënuar rritje në raportimin e temave të çështjeve gjinore. Por, mediet ka raste që raportojnë gabimisht dhe duke u zhytur në stereotipa gjinore.

“Mund të them se ka pasur rritje të raportimit mbi tema që lidhen me të drejtat e grave, barazinë gjinore, dhe të drejtat e njeriut gjatë viteve të fundit. Megjithatë, ka ende  shumë vend për përmirësim. Ajo çfarë kemi vërejtur është se,  ende kemi  raportime  që në përmbajtje kanë terme të gabuara , duke mos ditur cilat janë çështjet me prioritet”, ka thënë Morina.

Që trajtimi i temave kushtuar çështjeve gjinore, është rritur në medie e ka pranuar edhe hulumtuesja e aktivistja, Leonida Molliqaj. Por, ajo ka përmendur faktin se, kur trajtohen rastet e barazisë gjinore nga mediet në veçanti ato online, dukshëm vërehet një gjuhë seksiste.

Menaxherja e Programit mbi Dhunën në Baza Gjinore, në organizatën “Rrjeti i Grave të Kosovës”, Adelina Berisha, ka thënë se mediet duhet të ndikojnë më shumë në ndryshimin e perceptimeve të gabuara gjinore.

“Mediet me politikat e tyre redaktoriale mund të ndalojnë transmetimin e emisioneve, reklamave, këngëve seksiste e jo ti promovojnë ato. Mund të sigurojnë që pjesëmarrja në debate me qenë  në numër të barabartë mes burrave dhe grave, ka theksuar Berisha.

Kurse, redaktorja e “Kosovo 2.0”, Dafina Halili, pranon se ka rritje të raportimit në media, sa i takon temave të barazisë gjinore. Mirëpo, e pranon edhe një fakt se temat e tilla, asnjëherë nuk vendosen nga redaksitë si top lajme ose si lajme kryesore të ditës/të javës.

“Atëherë kur vrasja e grave bëhet lajm kryesor dhe pastaj përcillet me debatet dhe diskutimet pas lajmeve, dhe kjo vazhdon si ngjarje për disa ditë, vetëm atëherë mund të themi që mediet po i trajtojnë me përgjegjësi dhe vërtetësi çështjet e barazisë gjinore” , ka thënë Halili.

Në anën tjetër, Donjeta Morina nga UN Women, ka theksuar rëndësinë e raportimit edhe për një temë mjaftë të rëndësishme. Fjala është për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor, që fare pak është trajtuar nga mediet, pavarësisht që puna me BPGJ-në në Kosovë ka filluar para nëntë viteve.

“Deri tash temës së BPGJ,  nuk i është dhënë vëmendje mediale, nuk është raportuar mbi të, nuk janë bërë hulumtime gazetareske për shpenzimet qeveritare nga aspekti gjinor. Andaj, është shumë e rëndësishme që të rritet vëmendja mediale ndaj BPGJ”, ka shtuar Morina.

Që duhet pasur më shumë vëmendje tema e BPGJ-së e thotë edhe Adelina Berisha nga RrGK. Sipas saj mediet mund ta trajtojnë më shumë Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor, marrë parasysh rëndësinë që ka.

Rrëfimet – Sfidat dhe përgjegjësitë kur raportohet për barazinë gjinore

Për të sjellë gjithë këto hulumtime e shkrime gazetareske, gazetarët kalojnë në sfida të ndryshme. Kur kemi parasysh se, secila histori thuajse flet qoftë për dhunën në familje, keqtrajtimet e abuzimet.

Vështirësitë e sfidat i ka rrëfyer edhe hulumtuesja, Leonida Molliqaj, e cila ka thënë se të jesh gazetare grua në Kosovë, nuk është e lehtë, kur mediet kryesisht udhëhiqen nga burrat. Në rrëfimin e saj, ajo ka shpalosur përvojën të cilën e ka kaluar në hulumtimin që ka bërë rreth aborteve në Kosovë.

“Derisa e kam bërë hulumtimin për abortet në Kosovë, pas kërkesës që kam bërë në klinikë, kur kam hyrë brenda ka qenë një dhomë e vogël, ku kanë qenë një shtrat dhe në një hapësirë ku ka pasur tepër qarkullim të njerëzve, dhe çdo gjë dukej se kush ishte në radhë dhe kjo ka qenë një përjetim që nuk kisha dashur me qenë në atë vend”, ka deklaruar ajo.

Në anën tjetër, gazetarja Dafina Halili, derisa ka rrëfyer një pjesë të përvojës së saj të raportimit për çështje gjinore, ka thënë se rrugëtimi dhe vështirësitë janë fare të parëndësishme derisa ia ka vënë vetës misionin për të raportuar dhe për të thënë të vërtetën.

“Dhuna në baza gjinore dhe dhuna seksuale gjatë luftës ka qenë disa herë temë e artikujve të mi, dhe në rastet e tilla gjithçka ia nis me intervistat e gjata me të mbijetuarit e dhunës, që është pjesa më e ndjeshme, dhe aspak e lehtë e tërë procesit. Megjithatë, si gazetare unë tashmë e kam marrë vendimin dhe përgjegjësinë e dokumentimit edhe të këtyre përvojave traumatike, dhe rëndësia e angazhimit për këtë e bën gati të parëndësishme çfarëdo vështirësie që mund të ndjej gjatë këtij rrugëtimi”, ka shtuar ajo.

Ndërkaq, Adelina Berisha nga RrGK, ka thënë se rrëfimet e grave që dëgjojnë janë shumë prekëse dhe tronditëse njëkohësisht. Mirëpo, puna në organizatë feministe, sipas saj e ka këtë të mirë që problemet i ndajnë së bashku.

“Ne shpesh flasim, qajmë, qeshim së bashku, dhe kjo na motivon për të vazhduar tutje. Pastaj na kujtohet që falë punës tonë, të të gjitha organizatave të grave, aktivisteve feministe, ne sot kemi një kornizë ligjore që garanton barazi gjinore”.

Berisha ka shtuar po ashtu se, hulumtimet na japin bazë të fuqishme pastaj për të ndërmarrë iniciativat avokuese drejtë arritjes së barazisë gjinore. Kurse, kur ka folur për ndikimin që ka media në temat gjinore, ajo ka theksuar se, secili informacion që mund të vjen nga mediet e që ka për qëllim arritjen e barazisë gjinore, ka ndikim pozitiv.

“Përmes avokimit tonë përfshirë këtu pjesëmarrjen në debate mediale ku trajtohen tema rreth barazisë gjinore, apo fushatave të ndryshme vetëdijësuese të bëra në bashkëpunim me mediet, kemi arritur të rrisim presionin ndaj qeverisë drejtë përmirësimit të infrastrukturës ligjore drejt arritjes së barazisë gjinore”, ka përfunduar Berisha.

Media ka rolin informues dhe edukues për publikun. Qëllimi i saj është informimi i saktë, i paanshëm dhe në respektim të etikës mediale, por edhe të të gjitha rregullave gazetareske. Andaj, duke pasur parasysh rëndësinë e informimit profesional, gazetarët dhe aktivistet kanë kërkuar, që mediet të ju japin më shumë hapësirë temave që flasin për barazinë gjinore dhe raportimit të drejtë.

Gjithashtu, ato kanë përmendur edhe faktin për kolegët që janë gazetarët të pavarur dhe ata që punojnë në medie ku të drejtat e grave nuk konsiderohen si prioritet i temave brenda redaksisë. Për çfarë, sipas tyre kjo po e bën edhe më të vështirë punën në raportimin dhe publikimin e temave të tilla. Për këtë arsye, tani në Kosovë janë hapur edhe disa platforma mediale feministe si, “QIKA” dhe “Grazeta”, që tërë misionin e tyre ia dedikojnë të drejtave të grave.

Autore: Dafina Lata