Gratë gazetare, të pandalshme në profesionin e tyre, përkundër vështirësive

0
173

Do ta nis këtë artikull me një pyetje të thjeshtë: Sa ambicioze duhet të jesh që të kesh mundësi të ndjekësh ëndrrën tënde si grua në Kosovë, sidomos kur ëndrra jote në popull, konsiderohet si profesion “i vështirë” e “për burra”? Përgjigja është: Shumë! Por, jo vetëm kaq. Përveç ambicies, që i duhet secilit që dëshiron të ndjekë ëndrrën e tij, duhet edhe forcë për t’u bërë ballë paragjykimeve, padrejtësive, e një “thesi” të mbushur me sfida të cilat duhet t’i kalosh si një kalorës pengesat në fushëbetejë.

Në Kosovë ekzistojnë disa ligje, të cilat rregullojnë dhe promovojnë barazinë gjinore në vend, përfshirë Ligjin për Barazi Gjinore, Ligjin për Familjen dhe Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje. Por, sa e kanë pasur të vështirë gratë në Kosovë, përgjatë periudhave të ndryshme kohore, për të zhvilluar profesionin e tyre të gazetarisë dhe a janë ndjerë ndonjëherë të penalizuara nga buxhetimi jo i përgjegjshëm gjinor, do ta kuptojmë mes rreshtash.

Sebiha Ramaxhiku, gazetare, e cila kishte filluar punën qysh si studente e vitit të parë në gazetari e diplomaci në RTP, si bashkëpunëtore e jashtme në vitin 1976, tregon se si për fat të saj, e kishte gëzuar përkrahjen e familjes për zgjedhjen e bërë, mirëpo për ato vajza e gra që nuk e kishin të njëjtin fat, vështirësitë kanë qenë të dyfishta.

“Për tërë këtë përvojë, vështirësitë më të mëdha kanë qenë mënyra se si kanë funksionu mediet, në veçanti në kohën e paraluftës meqë ka pasë një censurë ndryshe, ndërsa sa i përket pengesave të tjera kanë qenë problemet që të përcjellin në medie si një punë stresuese e dinamike, për gratë mbeten edhe obligimet familjare, kur ato bëhen me fëmijë dhe duhet të gjesh një mjedis që të mos e humbësh karrierën, por mos ta lësh anash edhe përkujdesjen ndaj fëmijëve”, shprehet ajo.

Por, sa i përket asaj se a ka hasur ndonjëherë në diskriminim në pagë për shkak të gjinisë, qoftë nga përvoja personale apo nga përvojat e njerëzve rreth saj që janë në medie, ajo tha se me gjendjen e medieve tani, kur kemi edhe shumë medie private, ndodhë shpesh që përcaktimi i pagës të bëhet nga ajo se sa i pëlqen dikujt.

“Kam dëshirë që ta tejkalojmë këtë problem, jo vetëm për gratë, por për të gjithë të punësuarit, meqë gjatë vlerësimit për pagë unë nuk shoh që ka kritere të përcaktuara, përfshirë: arsimimin, përvojën, përgjegjësinë e punës etj., në bazë të të cilave pastaj përcaktohet paga”, tha Ramaxhiku.

Edhe Dafina Demaku, me profesion gazetare e cila tani është redaktore në një media online, tregon se në vendin e punës së saj, secili paguhet për punën që bën, pa marrë parasysh gjinisë. Ndërsa, disa prej vështirësive përgjatë karrierës së saj si gazetare, edhe për të mbeten detyrat prindërore, por edhe pamundësia për të ndjekur vetëm një sektor si gazetare.

“Unë jam nënë e dy fëmijëve dhe të dy fëmijët i kam lindur derisa kam qenë duke e zhvilluar profesionin tim. Personalisht ia kam dalë, por mendoj se është mjaft e vështirë sidomos në rrethanat në të cilat është Kosova, sa i përket mundësive që të ofrojnë kopshtet/çerdhet, kushteve (në përgjithësi) ekonomike në vendin tonë, etj”, tregon ajo.

Demaku vlerëson se puna e grave në medie është për t’u admiruar, për energjinë dhe përkushtimin që kanë ato, gjithmonë duke u nisur nga përvoja e saj si redaktore në mediumin ku punon tash e 5 vite.

“Kam vërejtur që vajzat dhe gratë kanë një energji të jashtëzakonshme në profesionin e gazetarisë. Ndoshta, duke qenë një profesion që kërkon shumë detaje dhe ekskluzivisht detaje, unë kam vërejtur se gratë janë ato që e bëjnë me përkushtim këtë punë. Nuk dua të duket qesharake e as mohuese e punës së gjinisë tjetër, por nga përvoja 5-vjeçare në mediumin ku punoj dhe ku zakonisht e kemi organizuar punën me vajzat dhe gratë që janë gazetare këtu, kam vërejtur se suksesi jonë është varur shpeshherë edhe nga përkushtimi i vajzave dhe grave këtu. Prandaj, konsideroj se grave duhet t’u jepet edhe më shumë mundësia për lidership në këtë profesion”, tha Demaku.

Ndonëse në industrinë e medies, disa nga gratë e intervistuara shprehen se nuk kanë hasur në diskriminim të pagave në bazë të gjinisë, në Kosovë mbetet një problem i theksuar punësimi dhe përfaqësimi i grave nëpër institucione e pozita drejtuese.

Në raportin e publikuar për vitin 2019 nga Instituti GAP mbi punësimin dhe përfaqësimin e grave në Kosovë, i cili paraqet statistikisht pozitën e gruas në punësim, arsim dhe mirëqenie sociale, pasqyrohet se shkalla e punësimit të grave sidomos në pozita të larta, mbetet shumë i ulët në krahasim me burrat.

“Përveç në pozita drejtuese, në përgjithësi, shkalla e grave të punësuara mbetet më e ulët se e burrave. Përderisa, shkalla e papunësisë tek burrat, më 2019, ishte 22.8% apo 6.3 pp më e ulët se në vitin 2018, shkalla e papunësisë tek gratë ishte 32.7% apo 2.1 pp më e lartë se në vitin 2018. Pra, përderisa papunësia tek burrat ka shënuar rënie, tek gratë ka ndodhur e kundërta”, shkruhet në raport.

Në Agjencinë e Punësimit në vitin 2019, numri i burrave punëkërkues ishte 52,343 kurse i grave 43,547, ndërsa 6,700 e grave punëkërkuese të regjistruara i kishin të përfunduara studimet bachelor, një numër më i lartë sesa i burrave punëkërkues me të njëjtin profil, sipas raportit.

Nëse flasim për vetëdijesimin e njerëzve nëse diskriminimi në vende të punës për shkak të gjinisë është i paligjshëm ose jo, një publikim nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tregon se 85% e të anketuarve pajtohen se diskriminimi në baza gjinore në vende të punës është i paligjshëm. Pra, pjesa më e madhe e të anketuarve e dinin se kjo çështje rregullohet me kuadrin ligjor të Kosovës.

Mesazhi i gazetareve Sebiha Ramaxhiku dhe Dafina Demaku, është i thjeshtë e i qartë: “Vazhdoni me angazhimin për përmbushjen e misionit të profesionit të shenjtë të gazetarisë, sepse vendi ynë, Kosova ka nevojë për energjinë dhe fuqinë e grave.”

Sipas një udhëzuesi praktik rreth Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor nga Rrjeti i Grave të Kosovës, përfitimet në përdorimin e BPGJ-së janë si vijon:

1. Mënyra se si alokohen shpenzimet publike, mund të kontribuojë në zvogëlimin e pabarazive gjinore brenda një shoqërie.

2. Zbatimi i suksesshëm i qasjes së BPGJ-së në kuadër të buxhetit qeveritar mund të rrisë efektivitetin e ndarjes së mjeteve.

3. Përmirësimi i efikasitetit dhe i efektivitetit të shpenzimeve mund t’ia mundësojë qeverisë të ndajë fonde të mjaftueshme për realizimin e roleve dhe të përgjegjësive të cilat i ka aktualisht.

4. Zyrtarët për buxhet, departamentet buxhetore, dhe institucionet në nivel komunal dhe qendror mund ta shfrytëzojnë BPGJ-në për të komunikuar dhe arsyetuar më mirë nevojat e departamenteve të tyre te institucionet dhe palët e tjera, duke përfshirë Ministrinë e Financave.

5. Hulumtimet ndërkombëtare tregojnë se barazia më e madhe mes burrave dhe grave çon në rritje dhe prosperitet ekonomik.

Në këtë udhërrëfyes përmendet si ide për promovimin e BPGJ-së edhe organizimi i dëgjimeve publike, si një mënyrë e dobishme për të njoftuar dhe vetëdijesuar më mirë njerëzit rreth rëndësisë për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor.

Autore: Agnesa Sejdiu