Aplikimi i Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor, një obligim ligjor i domosdoshëm

0
224

Në raportimet për të drejtat e punonjësve dhe obligimet ligjore ndaj tyre, rrallë herë deri më tani kemi hasur në përdorimin e termit “Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ)”, dhe i cili jo përherë gjendet në raportet  e baraspeshuara.

Parimisht pabarazia gjinore gjithnjë ka dominuar në sektorë të ndryshëm edhe pse obligimet ligjore ndaj gjithsecilit punonjës duhet të jenë të barabarta. Preokupimet e tilla në vendin e punës, mospërfillja e BPGJ-së është barrë e rëndë, sidomos për gratë. Andaj, këto të fundit duke qenë pjesë e veprimtarive të ndryshme, duke u mobilizuar së bashku dhe duke u informuar për zbatueshmërinë e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor, mund të ndikojnë në barazi gjinore e cila iu takon ligjërisht.

Lëvizjet e tilla do të sillnin edhe përgjigjet e pyetjeve të shumta si: a janë programet lehtë të arritshme në mënyrë të barabartë për burrat dhe për gratë; a i plotësojnë ato synimet për të cilat janë dedikuar; efektet dhe ndikimi i programeve për burrat dhe për gratë, duke i marrë parasysh edhe karakteristikat e tjera si përkatësia etnike, mosha, vendbanimi; cili është avancimi i programeve nga aspekti i aplikimit të perspektivës gjinore; cilat janë mekanizmat nëpërmjet të cilave mund të respektohet BPGJ; etj.

Gratë dhe vajzat në komuna të ndryshme të Kosovës përballen me një numër të konsiderueshëm të këtyre sfidave. Edhe vetë termi “Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor”, është sfidë në vete për gratë përderisa vështirësitë në adresimin e tij lidhen kryesisht me faktin e problemeve strukturore dhe për më keq, mendësia apo stereotipat e ndryshëm karshi grave, vazhdojnë t’i penalizojnë ato.

Tejkalimi i shumë paragjykimeve, të cilat mund të krijojnë barriera duhet të bëhet me qëllim të lehtësimit të qasjes së grave në tregun e punës. Parimisht edhe pse si term i ri “Buxhetimi Përgjegjshëm Gjinor”, mund të ndikojë në lehtësimin e qasjes fizike të grave në sektorë të ndryshëm duke u fokusuar në gratë me vështirësi ekonomike, atyre që i përkasin komuniteteve jo-shumicë, pasi që ato janë pre e niveleve të shumëfishta të diskriminimit, duke u nisur nga gjendja socio- ekonomike, niveli i ulët i  arsimimit, qasja jo e duhur në jetën institucionale, apo në tregun e punës në përgjithësi, etj.

Pra, për të luftuar diskriminimin e grave në proces të aplikimit për punë dhe atyre në vend të punës, kërkohet bashkëpunim më i ngushtë i autoriteteve të të dyja niveleve, atyre lokale dhe qendrore, për t’u siguruar që në rastet përkatëse të rritet angazhimi në identifikimin dhe parandalimin e diskriminimit  të grave.

Pra, edhe pse duke u konsideruar relativisht si një koncept  i ri në vend, pritet  që të punohet shumë në mënyrë që zbatueshmëria  e BPGJ-së, të sjellë një tjetër realitet  pozitiv, pasi që kjo shihet  në të njëjtën kohë si  një sfidë e shtetit  në sigurimin e barazisë gjinore. Në shumë shtete perspektiva gjinore  është e integruar  në politika publike pikërisht si rezultat i aplikimit të suksesshëm të BPGJ-së për shumë vite, andaj aplikimi i njëjtë duhet të ndodhë edhe në Kosovë, duke përpiluar politika progjinore, duke u realizuar  veprime konkrete.

Sidoqoftë, barazia gjinore do të thotë se gratë dhe burrat gëzojnë të drejta, përgjegjësi dhe mundësi të plota dhe të barabarta, pavarësisht sektorit dhe se parimet e barazisë gjinore nuk duhet të aplikohen vetëm në sektorin publik, por dhe në atë privat.

Praktika e BPGJ-së, ka shtrirje pothuajse në të gjitha programet që kanë të bëjnë me komunitetin qofshin këto qeveritare apo jo, por që nuk përjashtojnë as familjet dhe është një term që përfshinë marrëdhëniet gjinore, kontrollin mbi burimet ekonomike, integrimet gjinore dhe shumë aspekte të tjera në funksionim të zhvillimit dhe konsolidimin e një shoqërie.

Imponimi i situatave të ndryshme, mospajtueshmëria me qasjen e instancave përgjegjëse,çojnë në një situatë të rënduar dhe thuajse të papërballueshme sidomos për gratë. Derisa, ne ende vazhdojmë të shohim dallime e metoda të ndryshme të cilat synojnë daljen nga kriza e sektorëve të ndryshëm, aplikimi i BPGJ-së, parimisht do të lehtësonte jetën profesionale të grave apo vajzave dhe do të ndihmonte në zbehjen e stereotipave me të cilat vazhdojnë të përballen.

Autore: Nora Xhuzi