U mbajt ceremonia e certifikimit për “Akademinë në fushën e raportimit për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Raportimin e Sensibilizuar për Konflikt”

0
49

U mbajt ceremonia e certifikimit të 15 gazetarëve pjesëmarrës në “Akademinë në fushën e raportimit për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK), dhe Raportimin e Sensibilizuar për Konflikt”.

Përtej ndarjes së certifikatave, gjatë kësaj ceremonie u mbajt edhe një panel diskutimi, i moderuar nga Getoarbë Mulliqi – Drejtore Ekzekutive e AGK-së, dhe i përbërë nga Vjollca Hajrullahu Islami – Menaxhere e projekteve tek forumZFD, Besian Beha – gazetar, dhe Feride Zeynullah – gazetare.

Gjatë këtij paneli u diskutua për rëndësinë e trajnimeve në fushën e raportimit për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK), dhe Raportimin e Sensibilizuar për Konflikt, si dhe rolin e medias dhe gazetarisë ne këto fusha. Gjithashtu, u diskutua se si gazetarët mund të kontribuojnë në një diskurs publik më të informuar, empatik dhe të orientuar drejt paqes.

Gjatë ngjarjes së certifikimit u nënshkruan edhe Memorandumet e Mirëkuptimit me mediet lokale, përmes të cilave gazetarët pjesëmarrës të akademisë patën mundësi që të prodhojnë artikuj në fushën për ballafaqimin me të kaluarën.

Akademia në fushën e raportimit për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK), dhe Raportimin e Sensibilizuar për Konflikt filloi në mars të këtij viti në bashkëpunim me forumZFD- Programi në Kosovë, ku u ofruan një sëre trajnimesh lidhur raportimin për ballafaqimin me të kaluarën, raportimin e sensibilizuar për konflikt, lajmet e rrejshme në ballafaqimin me të kaluarën dhe roli i medias në procesin e pajtimit.

Synimi i të gjitha këtyre trajnimeve ishte pajisja e pjesëmarrësve me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të naviguar në mënyrë efektive në raportimin mbi gazetarinë e sensibilizuar për konflikte dhe trajtimin e ndjeshëm të ngjarjeve të së kaluarës.